Në një intervistë për Radio Kosovën e Lirë, ish-kryetari i Hanit të Elezit dhe ish-komandanti i UÇK-së, Rufki Suma, ka kritikuar ashpër bllokadën institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si pasojë të inateve politike dhe mungesës së kulturës demokratike mes partive. Sipas tij, deputetët po e keqpërdorin besimin e qytetarëve, të cilët i kanë zgjedhur për të ndërtuar institucione, jo për t’i bllokuar ato. Ai tha se ligji u jep deputetëve tri opsione në votim – për, kundër ose abstenim – por në asnjë rast nuk e justifikon bllokadën. Suma vlerësoi gjithashtu se në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, raporti i forcave politike në Kuvend nuk do të ndryshojë ndjeshëm, ndërsa u shpreh kritik ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo vepron pa simbole të shtetit dhe se ka dëmtuar rëndë imazhin e luftës së UÇK-së. I pyetur për zgjedhjet lokale në tetor, Suma konfirmoi se qytetarët kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për rikandidimin e tij si i pavarur në Han të Elezit, dhe se vendimin përfundimtar do ta marrë pasi të përmbyllet ky proces. Ai përmbylli intervistën me moton e tij: “Gjithnjë në shërbim të popullit.”
