Rufki Suma: Problem në komunën tonë si çdo kund në Kosovë është papunësia

RKL: z. kryetar,  ju fituat udhëheqjen e komunës për të dytën  herë me radhë, si kandidat i pa varur. Cili është opinioni juaj për këtë?

Suma: Po është e vërtetë që unë edhe mandatin e dytë e kam fituar si kandidat i pavarur. Ka qenë kërkesa e qytetarëve të Hanit të Elezit, kryesisht e ushtarëve të UCK-së, që ngase unë edhe më herët kam punuar në interesin e qytetarëve në interesin kombëtar si dhe pas lufte kam punuar edhe nga fillimi deri në shpërbërje në TMK, kështu që kërkesa e qytetarëve ishte që unë të kyçem në administratë komunale. Unë pranova ofertën edhe herën e parë që të jem kandidat i pavarur, pra puna ime katër vjeçare gjatë mandatit të parë bëri që përsëri të kandidohem. Edhe në mandatin e dytë përsëri ishte kërkesa e qytetarëve që unë të rikandidohem, dhe që në raundin e parë fitova prapë si kandidat i pavarur.

RKL: Mirëpo ju gjatë fushatës nuk kishit në mbështetje Qeverinë apo shefat e partive politike për t’i bërë premtime elektoratit?

Suma: Jo vetëm që nuk kisha në krah Qeverinë, por kisha kundërshtarë dy partitë më të mëdha PDK-në dhe LDK-në, por unë arrita fitoren ngase është vlerësuar puna ime katër vjeçare. Qytetarët nuk kanë nevojë t’i mashtrojmë apo t’i japim premtime ngase është në praktikën e çdo kandidati kur të dalin ne fushatë zgjedhore të premtojnë ata që realisht nuk mund ta përmbushin. Unë asnjëherë nuk kam bërë fushatë , përkundrazi u kam treguar se do ta realizoj vetëm atë që kam mundësi

RKL: Pra, a mendoni se punët që janë bërë në komunën e Hanit të Elezit kanë reflektuar pozitivisht te qytetarët, për t’ju dhënë edhe për mandatin e radhës?

Suma: Gjithsesi se puna që kam bërë ka qenë ajo që më ka mundësuar edhe mandatin e dytë. Lirisht mund t’ju them se qysh kur kam filluar punën në mandatin e parë, ka qenë vetëm një rrugë e shtruar në asfalt në Han të Elezit, ndërkaq në fund të mandatit të gjitha rrugët e Hanit të Elezit dhe fshatrave janë të asfaltuara përjashto ndonjë rrugicë që lidh dy fshatra. Gjithashtu janë shtruar me kubëza gati të gjitha rrugicat në zonën urbane , por kemi filluar edhe në zonën rurale. Brenda dy apo tre viteve do të përfundohen të gjitha rrugët e rrugicat me kubëza betoni.  Kanalizimi ne zonën urbane ka përfunduar në tërësi por edhe në zonat rurale, tani pritet të bëhet lidhja e kanalizimeve të fshatrave me qytetin. Në ndërkohë janë rregulluar edhe parqe të ndryshme etj. Edhe ne arsim e shëndetësi janë realizuar shumë projekte.

RKL: A ka buxhet të mjaftueshëm komuna e Hanit të Elezit për realizimin e mjaftueshëm të projekteve në fushën e shëndetësisë e të arsimit?

Suma: Më duhet të them se buxheti në tërësi për investime kapitale në Han të Elezit sillet rreth 400-460 mijë euro, por investimet kapitale në çdo fund vit kanë qenë të dyfishuara apo të trefishuara  në saje të ndihmës që kanë dhënë institucionet e Kosovës por edhe të donatorëve ndërkombëtarë. Pra një sërë projektesh janë realizuar nga faktori vendor dhe ai ndërkombëtar. Sa i përket shëndetësisë dhe arsimit e kemi gjendjen jashtëzakonisht mirë. Sa i përket shëndetësisë, unë menjëherë pas shpërbërjes së TMK-së, asokohe isha drejtor i drejtorisë komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Atë kohë, Hani i Elezit ka pasur vetëm një ambulancë familjare ku kanë punuar 12 punëtorë shëndetësorë vetëm në një ndërrim, ku vetëm për një injeksion qytetarët e Hanit të Elezit janë detyruar të shkojnë në Kaçanik për këtë shërbim. Gjatë mandatit tim atëherë arritëm ta shndërrojmë ambulanten në Qendër kryesore të mjekësisë familjare, është shtuar numri i punëtorëve dhe ambulanca që nga ajo kohë punon 24 orë. Ndërsa kur tani ne po flasim, ajo qendër punon po me 24 orë, ka 31 punëtor shëndetësor, është e pajisur me auto-ambulancë të re nga Ministria e Shëndetësisë. Në viti 2013 Ministria e Shëndetësisë ka pajisur me sallë të rengenit me një aparat radiologjik që është në vlerë prej 80 mijë euro. Po ashtu tani do të realizojmë aneksin e QKMF-së që do të kushtoj 80 mijë euro  të ndara nga Ministria  e Shëndetësisë, e sipas nevojës do të participojë edhe komuna me aq sa ka mundësi. Gjithashtu edhe përmes Caritasit dhe fabrikës Sharrcem është furnizuar QKRMF me aparaturë të nevojshme.  Sa i përket gjendjes në arsim, edhe këtu gjendja është jashtëzakonisht e mirë. Infrastruktura është në nivel, gati të gjitha shkollat janë të reja, disa të vjetra janë riparuar, në sezone bëhet edhe dezinfektimi i shkollave. Të gjitha klasat e shkollave janë të pajisura me projektorë, çdo mësimdhënës ka nga një llaptop  që e përdor për procesin mësimor, pra mësimi zhvillohet me sllajde. Janë të aplikuar edhe ditarët elektronik, ku me këtë shmangën disa efekte negative p. sh. të mos ketë vjedhje të ditarëve siç ka qenë praktikë e viteve të mëhershme. Arsimtari nuk guxon të bëjë përmirësimin e notave siç ka qenë dukuri e mëparshme, po ashtu viteve të kaluara janë vjedhur ditarët në fund të vitit shkollor. Tni me instalimin e ditarëve elektronik nuk mund të përsëritet një gjë e tille, tani të gjitha shënimet e nxënësve të gjitha notat përcillen tek drejtori i shkollës, drejtoria e arsimit dhe zyra e kryetarit. Pra në çdo kohe ne mund t’ monitorojmë ata. Para se te pajisen me ditar elektronik e llaptop, ne kemi pajisur shkollat edhe me kamera . Përmes USAID-it amerikan është hapur edhe shkolla ‘Klasa e  Shekulli 21’ ku është pajisur kabineti me kompjuter në mënyrë që arsimtarët e shkollave  të Hanit të Elezit janë trajnuar nga programi i USAID-it. Është e vërtetë që disa arsimtarë që janë në prag të pensionimit, pra janë në moshë të shtyre nuk mund t’i përdorin llaptopët por ata ndihmohen nga nxënësit që së paku t’i shfrytëzojnë për projektorë.   Një tjetër e arritur me rendësi është pajisja me telefon celular e të gjithë punëtorëve të stafit publik që paguhen nga buxheti i Kosovës, pra duke filluar nga punonjësit shëndetësor, mësimdhënësit, kryetarët e fshatrave etj, të cilët janë futur në rrethin Ipko, dhe shpenzimet telefonike tani janë shumë më të ulta. Kur ne kemi bërë krahasimin me vitin paraprak, shpenzimet kanë dalë më të ulëta. Pra kushtet janë krijuar, por ne kërkojmë më shumë punë dhe cilësi.

 RKL: Nga kjo që thatë del se komuna e Hani të Elezit duhet të jetë model për komunat tjera sa i përket arsimit dhe shëndetësisë ngase përgjithësisht këto komuna kanë ngecje në këta dy sektorë, së paku infrastrukturën ju keni mundësuar…

Suma: Po, tek infrastruktura dua të shtoj se objekte shkollore kemi të mjaftueshme. Bile ka shkollë që punon vetëm me 4 nxënës dhe e ka arsimtarin aty. Kemi dy-tri shkolla që punojnë me 12 apo 13 nxënës me nga dy arsimtarë . Përveç shkollës fillore që ka një numër jashtëzakonisht të madh në Han të Elezit, të gjitha shkollat tjera punojnë me nga një ndërrim . Në vitin 2013 është bërë zëvendësimi i kaldajave për nxehje, nga ajo që ka qenë me derivate kemi kaluar me dru, dhe kur është bërë vlerësimi me vitin paraprak ka rezultuar me 40% më pak shpenzime.

RKL: Në planet dhe perspektivat  e komunës gjatë këtij mandati e që kësaj radhe përfshinë periudhën katër vjeçare, cilat do të jenë prioritetet?

Suma: Ne do të vazhdojmë me infrastrukturën aty ku ka mbetur pra lidhja e fshatit me fshat. Kemi një rrugë të Hanit të Elezit që e lidh me një fshat të  Kaçanikut e që është në Glloboqicë edhe pse atje interesi me i madh është për shtetin sesa për komunën tonë, për shkak se lidhe dy pika kufitare e që shfrytëzohet nga policia kufitare, nga dogana dhe nga banorët e Glloboqicës. Këtë vit kemi planifikuar të bëjmë edhe një aneks të shkollës fillore në Han të Elezit, edhe pse klasat janë të mjaftueshme ne dëshirojmë që ti rregullojmë edhe disa kabinete të cilat i mungojnë shkollës në Han të Elezit. Sa i përket kanalizimit ne vetëm kemi me e  lidh kanalizimin e fshatrave me kanalizimin e qytetit.

RKL: Sfidë kryesore edhe gjatë viteve të kaluara por edhe tani është furnizimi me ujë për qytetarët e Hanit të Elezit për shkak të kompetencave nga niveli qendror në atë lokal?

Suma:  Po problem kemi ujin, ne jemi duke punuar në këtë drejtim bashkërisht me institucionet e shtetit të Kosovës që ta rregullojmë këtë problematikë. Ne kemi pas donacione nga CDI-ja, zvicerane ku kemi ndërtuar një fabrikë për pastrimin e ujit, mirëpo  nga momenti  i përurimit të asaj fabrike kemi pas probleme për shkak se kompania regjionale që ka qenë e obliguar që me ligj të përkujdeset për mirëmbajtën e menaxhimin e ujit ajo nuk e ka kryer obligimin e vet , andaj neve na është imponuar themelimi i një kompanie , edhe pse kemi qenë të vetëdijshëm se ajo kompani është antiligjore , por kemi qenë të detyruar vetëm e vetëm që qytetarët të kenë ujë të pijshëm edhe pse me reduktime. Pra nga qeveria kemi marre reagime pas themelimit të kësaj kompanie por pasi ata që ishin kompetent nuk kryenin punën si duhet atëherë neve na u imponua një veprim I tillë , Në fund të mandatit të parë dhe tani me fillimin e të dytit ne kemi biseduar me ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe jemi dakorduar që përsëri të kyçemi në kompaninë Regjionale Bifurgacioni në mënyrë që ata ta marrin përsipër menaxhimin e ujit .

RKL:  Cilat sfida ju kanë përcjell në këtë kohë?

Suma: Problem në komunën tonë si çdo kund në Kosovë është papunësia. Tek ne ka ndodhë problem me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore ngase ka rezultuar me ulje të numrit të punëtorëve që deri atëherë punonin në fabrikat gjegjëse , tek ne është më e theksuar kjo dukuri ngase Hani i Elezit është njohur si zonë industriale , ka pasur fabrikën e çimentos e cila ka pasur më tepër se 750 punëtor, pastaj ka pasur fabrikën azbest çimentos e cila ka pasur 350 punëtor, fabrikën Kosova Plast , fabrikën e stiroporit e ka pasur 150 punëtorë, Pas lufte fabrika e azbest çimentos është mbyllur për shkak se nga organet e atëhershme të Unmik-ut, është cilësuar e rrezikshme për shëndetin se është kancerogjene, tani me privatizimin e asaj ndërmarrje ajo është shndërruar në terminal doganor ku janë të punësuar 30-40 punëtor , gjendja pak më e mirë është me fabrikën Sharrcem e cila ka mbi 500 punëtor. Fabrika Kosova Plastë është shndërruar në një biznes familjar , nga 150 punëtor sa ka pasur tani ka vetëm 10 . Ne për ta zbutur pak këtë papunësi jemi munduar që përmes MPMS-së, të nxjerrim nga një projekt që të kemi punëtor sezonal ku janë punësuar nga 30 deri në 60 punëtor sezonal nga 2 deri në tre muaj. Edhe përmes Caritasit në fshatin Hoqishtë përmes një projekti kanë përfituar 100 familje si: serra, multikultivatorë, makina rrobaqepësie, koshere bletësh, lopë qumështore etj. Komuna në disa fshatra ka ndarë serra , që sadopak brenda mundësive të zbutet papunësia .

RKL: Kryetar, Komuna e Hanit të Elezit me manifestimin madhështor shënoi 15 vjetorin e  dirës e krismave të pushkës së parë në Han të Elezit. Si u ndinë atë ditë familjarët e dëshmorëve?

Suma: Kuptohet se familjet e dëshmorëve ato ditë janë më të mërzitur se i kujtojnë më të afërmit e tyre. Ne mundohemi që përmes manifestimeve të ndryshme, ti përkujtojmë, të paktën ti zbusim zemrat e tyre  të cilët kanë vuajtur në ditët më të vështira. Që nga fillimi kam qenë pjesë përbërse e luftës së UÇK-së, komandant i Brigadës 164 “Gafurr Loku” në Han të Elezit. Gjithashtu edhe pas luftës sa kam qenë pjesë e TMK-së por edhe sot si kryetar i komunës, zakonisht kur kemi data të tilla, nëpër festa fetare dhe kombëtare, në rend të parë vizitohen varrezat e dëshmorëve. Pastaj unë me një delegacion nga ish UÇK-ja, TMK-ja dhe tash FSK-ja i vizitojmë të gjitha familjet e dëshmorëve. Këto ditë më 26 shkurt u shënua edhe 15 vjetori i krismës së parë të pushkës në Han të Elezit. Më 26 shkurt 1999 forcat okupatore ushtarako-policore serbe tentuan që ti fusin në rrethim njësitin e UÇK-së, ku nuk kishte më tepër se 15 ushtarë. Mirëpo ne kishim tërë kapacitetin, për shkak se qytetarët e Hanit të Elezit por edhe fshatrave përreth siç është Bllaca e Maqedonisë ishin kujdestare të situatës në atë kohë dhe për çdo lëvizje të forcave serbe na njoftonin neve. Ka qenë e pamundur që 15 ushtarë të mbajnë roje natë e ditë atë kohë, mirëpo me vëzhgimin dhe njoftimin e qytetarëve se kanë filluar forcat serbe të depërtojnë në pozicionet e UÇK-së, atëherë forcave serbe u doli përpara njësiti i parë i UÇK-së, që asokohe ishte i vendosur Puset e Nikës, arritëm që ta zbrapsim njësitin e forcave paramilitare policore serbe. Luftimet atë ditë ishin në afërsi deri në dhjetë metra, mirëpo ishte një fat i ushtarëve të UÇK-së se kishin uniformat e bardha në atë kohë kur moti ishte me borë dhe forcat serbe nuk patën mundësi ti identifikonin. Nga krisma e pushkës së parë ne kishim vetëm një ushtarë të plagosur, ndërsa nga forcat serbe kishte më tepër të vrarë dhe të plagosur. Ata u tërhoqën dhe tentuan ti dalin prapa shpine ushtarëve të UÇK-së, mirëpo vëzhguesit tanë na njoftonin për depërtimin e forcave serbe dhe përsëri ushtarët tanë i dolën përpara, kështu që arritëm ti zbrapsim. Ky ishte vetëm sulmi i parë dhe sinjali i parë se Han të Elezit do të ketë luftima të ashpra. Luftimet më të ashpra në Han të Elezit u zhvilluan me 2 dhe 3 Mars të vitit 1999, ku më tepër se 7000 forca serbe ia mësyn fillimisht duke granatuar pozicionet e UÇK-së te Puset e Nikës nga të gjitha drejtimet. Më vonë filloi këmbësoria të ngjitet në drejtim të pozicioneve të UÇK-së. Në atë kohë UÇK-ja nuk kishte më tepër se 70 ushtarë, kështu i bie që çdo ushtarë i UÇK-së përballë kishte më tepër se 100 ushtarë serbë. Në këto luftime sa zgjatën për dy ditë ne kishim dy dëshmorë të rënë dhe tre të plagosur , ndërsa nga forcat okupatore serbe pati shumë të vrarë dhe të plagosur dhe humbje në teknikë luftarake. Atë ditë e kishim shënimin e kësaj ngjarje, e cila bëri jehonë të madhe jo vetëm në Han të Elezit por edhe në tërë Kosovën, për shkak se me krismën e pushkës së parë në Han të Elezit filloi të përhapet lufta edhe në pjesën tjetër që ishte në afërsi të kufirit me Maqedoninë.

RKL: “E ndej veten ashtu si në Shqipërinë e dikurshme, të cilën e kam ëndërruar në qelinë e burgut”. Kështu tha simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaqi,me rastin e shënimit të ditës suaj. Për qytetarët e Kosovës, të cilët nuk kanë pasur rast ta vizitojnë komunën e Hanit të Elezit, çka asocon kjo?

Suma: Ne e falenderojmë Bacë Adem Demaqin për fjalët e tij, për vizitat e tij në manifestimet kombëtare në Han të Elezit. Unë besoj se është gëzuar shumë, për shkak se jo vetëm njëherë por sa herë që vjen në Han të Elezit, sa herë që shënohen ditët kombëtare sheh flamurin e UÇK-së, sheh ushtarët e UÇK-së, ata që kanë kontribuar gjithmonë. Për qytetarët e Kosovës, ndoshta nuk e dinë të gjithë, te ne dominon ana kombëtare, patriotike. Sidomos tani ku po flitet jo flamuri shtetëror jo flamuri kombëtar, qytetarët e Hanit të Elezit shumë pak e shohin flamurin shtetëror, edhe atë vetëm sa për të treguar se jemi në shtetin e Kosovës dhe ky flamur identifikohet me këtë flamur, përndryshe në të gjitha festat kombëtare përdoret flamuri kombëtar dhe flamuri kombëtar në Han të Elezit është i vendosur edhe në afërsi të pikës kufitare nga vet Komuna e jonë. Gjithashtu edhe rrugët stolisen me flamuj kombëtar dhe të UÇK-së. Poashtu edhe te Varrezat e Dëshmorëve nuk gjendet flamur tjetër pos atij kombëtar, sepse dëshmorët kanë pasë një flamur, një ideal dhe ai është flamuri kombëtar.

RKL: Një element tjetër përveç flamurit kombëtar në Komunën tuaj, është edhe mbishkrimi shqip?

Suma: Është e vërtetë se në Komunën e Hanit të Elezit nuk ka dygjuhësi. Në Han të Elezit është vetëm gjuha shqipe. Kemi pasë vërejtje edhe prej faktorit ndërkombëtar edhe atij vendor që duhet përdoret dygjuhësia, mirëpo ne këtë e kemi bërë edhe në shenjë reagimi ndaj institucioneve tona vendore dhe atyre ndërkombëtare për shkak se në Han të Elezit është përdorur edhe emërtimi në mënyrë të dhunshme Gjeneral Jankoviç. Ne asnjëherë nuk e kemi përdorur këtë emërtim edhe pse kohëve të fundit institucionet ndërkombëtare na kanë bërë presion që të paktën të përdoret “opshtina” apo ndonjë term tjetër, mirëpo ne e kemi kundërshtuar. Derisa ne provokohemi me emertimin e nje krimineli Jankoviç, i cili para 100 vjetëve ka vrarë e masakruar shqiptarë, jo vetëm në Han të Elezit por edhe në tërë Kosovë. Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë të përdoret një emërtim i tillë dhe nuk do të lejojmë të përdoret gjuha e një okupatori aq më pak në një vend ku nuk ka asnjë popullatë tjetër pos asaj shqiptare dhe ku nuk ka logjikë të përdoret gjuha serbe. Jo vetëm në Han të Elezit, por nuk ka logjikë të përdoret edhe në vendet tjera në Kosovë. Ne jemi për atë që në ato vende ku banon edhe komuniteti tjetër të përdoret ku ka nevojë, por jo të imponohet aty ku jemi 100% shqiptar të imponohet gjuha e dikujt tjetër.

RKL: Hani i Elezit siq e cekët edhe ju më herët, është emërtuar edhe me emrin e kriminelit Jankoviç. Si arritët ta hiqni?

Suma: Që nga përfundimi i luftës, ne nuk e kemi emërtimin Jankoviç, edhe pse shumë herë na është imponuar në dokumente të ndryshme si shkresa zyrtare që lëshonin edhe institucionet vendore por edhe ato ndërkombëtare ku pos Han i Elezit shkruhej edhe Gjeneral Jankoviç. Unë edhe sa kam qenë në TMK por edhe në momentin kur jam bërë kryetar komune çdo dokument, çdo shkresë që na ka ardhur nga cilado institucione nëse e kemi parë Gjeneral Jankoviç i kemi kthyer prapa dhe nuk i kemi pranuar. Vazhdimisht kemi bërë kërkesa nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare për largimin e këtij emërtimi nga dokumentet zyrtare, mirëpo institucionet tona nuk e panë të arsyeshme deri në momentin e fundit. Ne patëm bërë reagime edhe si shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, ku kemi kërcënuar me protesta dhe bllokada të kufijve. Fatmirësisht në 100 Vjetorin e Pavarësisë ku bëhej edhe 100 vjet të krimeve të Gjeneralit Jankoviq, ne për herë të fundit i paralajmëruam të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare se nëse edhe tani nuk do të hiqet ky emërtim atëherë do të ketë trazira dhe bllokada të rrugëve. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës ka ndrruar Ligjin për Vendbanimin dhe tani me ligj quhet vetëm Han i Elezit, ndërsa në gjuhen angleze dhe të tjera mund të përdoret Elez-Han. Përfundimisht emërtimi Gjeneral Jankoviq  nuk ekziston në dokumentet zyrtare.

 RKL: Kjo e arritur në njëfarë mënyre i atribuohet rezistencës tuaj…

Suma: Në të vërtetë pa rezistencë nuk mund të arrihet asgjë. P.sh e kemi rastin e Ferizajit ku ende zyrtarisht përdoret termi serb Uroshevac, por asnjëherë nuk kemi dëgjuar ndonjë reagim të ashpër qoftë të qytetarëve apo institucioneve që ky emërtim serb të largohet. Është edhe rasti i Skenderajt, i cili në dokumente zyrtare figuron si Sërbica. Në të vërtetë kjo është e turpshme dhe kjo nuk duhet të pranohet nga Skenderaj e qytetarët e tij. Për habi, institucionet tona janë lojale në këtë drejtim, por për rastin e Hanit të Elezit ne duhet t’i falenderojmë edhe institucionet, për shkak se me vendim është ndryshuar emri. Kjo është jo vetëm meritë e jona si komunë por edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për shkak se depuetët votuan që të kaloht ky ligj dhe Hani i Elezit të quhet me këtë emër.

RKL: Cila do të ishte porosia për dëgjuesit e Radios Kosova e Lirë?

Suma: Ju falenderoj për këtë intervistë. I përshëndes edhe dëgjuesit e radios Kosova e Lirë. Kjo radio ka ekzistuar edhe në kohërat më të vështira për shqiptarët, në kohën e luftës, ku përmes kësaj radio ne merrnin informatat e para për zhvillimet që ndodhnin në atë kohë. U përgëzojmë edhe për faktin se keni arritur ta ruani këtë radio dhe me zërin tuaj ta informoni publi

Kontrolloni gjithashtu

Flet piktori Gëzim Tirana: Në tregun aktual ku piktura origjinale njihet pak jeton me vështirësi

Flet piktori Gëzim Tirana: Në tregun aktual ku piktura origjinale njihet pak jeton me vështirësi …