Brickos

Saime Isufi: Për Kosovën kam bërë atë që e kanë bërë shumë bija të saj

Saime Isufi është veprimtare e njohur e çështjes kombëtare, ish-bashkëshortja e heroit të kombit, Kadri Zeka. Ajo i takon brezit të rinisë militante revolucionare të vitit 1981. Në janar të vitit 1982 ishte martuar me militantin e lirisë, Kadri Zeka, ndërkohë që 15 ditë pas martesës, më 17 janar, UDB-ja, në një qytezë afër Shtutgartit në Gjermani,  kishte vrarë në pritë, bashkëshortin e saj, Kadri Zeka, dhe vëllezërit Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla. Saimja ka qenë dhe është veprimtare e dalluar e Mërgatës shqiptare. Saimja me familjen e  jeton në Zvicër.

Motra Saime! Jeni njëra nga veprimtaret e dalluara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Krahas tragjedisë kolektive që kemi përjetuar si komb, ju keni përjetuar edhe humbjen e bashkëveprimtarit dhe bashkëshortit, heroit të kombit, Kadri Zeka, humbjen e shokëve të tjerë, por asnjëherë nuk jeni ndarë nga rruga për  realizimin e idealeve, për të cilat  ata dhanë jetën. Si ndihet sot një idealiste e lirisë, sikur jeni Ju?

Saime Isufi: Si komb kemi humbur shumë. Kemi sakrifikuar shumë. Kemi përjetuar shumë tragjedi të pashembullta në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore; dhe këto janë të njohura për opinionin kombëtar e deri diku edhe atë ndërkombëtar. Por si komb kemi edhe një defekt i cili na kushton shumë dhe ky defekt është harresa. Harrojmë shpejt të shkuarën, ndërkaq  ai numër i vogël që përpiqet të mos harrojë, është e vështirë sot të gjej veten në shoqërinë tonë, të kyçet në institucionet dhe të kontribuojë  për të çuar proceset përpara.

Unë kam pasur fatin e madh të njoh dhe të bashkëpunoj me Kadriun  e me shumë bashkëluftëtarë të tjerë, të cilët sot janë dëshmorë të kombit;  por kam njohur e kam bashkëpunuar edhe me shumë veprimtarë të tjerë, numri i të cilëve është i pafund si në Kosovë, po ashtu edhe në mërgim. Rënia e dëshmorëve, burgosja e shokëve e shoqeve dhe qëndresa e tyre në burgjet jugosllave dhe vendosmëria e ideali i shenjtë dhe i shtrenjtë për liri i veprimtarëve të pafund në mërgim, më kanë dhënë forcë, kurajo e besim për të çuar më tutje luftën e nisur.

Por pyetjes suaj se si ndihem sot nuk është aspak e lehtë t’i përgjigjem dhe as s’do të doja t’i përgjigjesha. Së pari ndjehem shumë e lumtur që Kosova u çlirua nga pushtuesi serb, falë bijve e bijave luftëtare të tij. Me këtë u përmbush një pjesë e ëndrrave tona, por idealet tona ishin shumë më larg arritjeve aktuale.  Personalisht ndjehem shumë e zhgënjyer, e mllefosur dhe e pakënaqur me ato që dëgjoj, me ato që përcjell në media e ato që shoh kur vi në Kosovë.  Dhe kam arsye unë dhe bashkëpunëtorët e mi të ndjehemi të tillë. Bashkëpunëtorët e mi dhanë jetën, lanë burgjeve shëndetin, mërgimtarët dhanë buxhetin e familjes për të ndihmuar çlirimin e Atdheut dhe sot ata që janë gjallë nuk kanë vendin e merituar në shoqëri. Edhe ata pak veta që janë kyçur diku në politikë, në institucione shtetërore janë vënë aty vetëm si figurantë, por që nuk kanë ndonjë rol të rëndësishëm në vendimmarrje. Dhe kjo më dhemb. Është edhe më e dhimbshme gjendja e veteranëve të luftës, të cilëve u është kërcënuar e po u kërcënohet jeta në mjerim. Dhe ky është një paradoks, kur bashkëpunëtorët e tyre bëjnë jetë përrallore në Prishtinë.  Me këto që thashë  asnjëherë dhe në asnjë kohë e situatë nuk jam penduar për punën e bërë deri më sot për atdheun tim dhe po të kërkohej përsëri, përsëri do të bëja të njëjtën gjë pa hezitimin më të vogël.

Më ka bërë përshtypje tregimi Juaj, ku keni përshkruar momentet tronditëse kur keni marrë lajmin për vrasjen në pritë të bashkëshortit Tuaj, 15 ditë pas martesës. Si e keni përballuar ato momente tronditëse, kush ju ka ndihmuar më së shumti?

Saime Isufi: Nga tregimi mund të keni parë se nga e kaluara kanë mbetur vetëm kujtimet, pasi të kaluarën nuk po e lidh dot me të sotmen. Ato janë shkëputur…

„Trimi i mirë me shokë shumë”, thotë fjala e urtë popullore. Dhe  Kadriu kishte shumë shokë bashkëpunëtorë në mërgim, ndërkaq që unë sapo kisha ardhur në Zvicër dhe i njihja shumë pak veprimtarët këtu, dhe në momentin e rënies,  menjëherë m’u ndodhën pranë shokët e tij si: Hasan Malaj, Kadri Avdullahu, Nexhmedin Ahmeti, Shefket Musliu e shumë të tjerë. Me shokët, me punën dhe aktivitetin intensiv në Lëvizje, duke u përpjekur të përmbushja në këtë mënyrë amanetin e Kadriut me shokë, ndjehesha e fortë dhe e plotësuar.

Kanë kaluar 32 vjet qysh atëherë. Tani edhe pas çlirimit të vendit nga regjimi serb, mbetjet e Beogradit në Kosovë, po përpiqen jo vetëm të hedhin baltë mbi të gjithë veprimtarët, të cilët në kushte dhe rrethana të caktuara vepruan në mërgim, por edhe po e mbrojnë UDB-në, e cila sipas tyre  nuk kishte vrarë asnjë veprimtarë shqiptarë, por  ata paskan vrarë njëri-tjetrin!  Si e komentoni këtë “ringjallje” të papritur të këtyre shpirtshiturve?

Saime Isufi: Natyrisht që kur institucionet  që në embrion ishin jo të pastra, siç ndodhi me vjedhjen e votave, dhe kjo dihet botërisht, atëherë  ato nuk janë në gjendje të funksionojnë si duhet, dhe armiqtë gjejnë shesh për të bërë përshesh dhe luajnë lojën e përçarësit tek shqiptarët.

 Për njerëzit e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, se kush i vrau veprimtarët në mërgim e brenda në Kosovë është e ditur. Ata i vrau UDB jugosllave. Mendoj se nuk ia vlen të diskutohet më se kush i vrau dhe vërtetë irritohem kur dëgjoj diçka të tillë. Nëse dikush e bën këtë për të fituar poenë politikë, e konsideroj gjest shumë të ulët. Që atëherë dhe sot, dihet kjo gjë.

Për fatin tonë të keq, edhe në të kaluarën, që nga koha e Skënderbeut, ka pasur e do të ketë edhe njerëz të shitur dhe përsëri për fatin tonë të  keq jo rrallë shqiptarët kanë punuar për armikun, me ose pa vetëdije; me apo pa pagesë. Dhe nuk është çudi që kjo të vazhdojë edhe sot e kësaj dite.

Keni vite të tëra që jetoni në Zvicër, por mbani kontakte me familjen, bashkëveprimtarët. Si ndiheni në rrugën mes Kosovës e Zvicrës?

Saime Isufi: Pas demonstrative të vitit 1981 erdha në Zvicër, ku edhe sot jetoj e punoj. Me njerëzit e mi dhe shoqërinë  në Kosovë mbaj kontakte të rregullta. Pastaj Shqipërinë e Kosovën i vizitoj dy-tri herë në vit. Vizitat në Kosovë e në Shqipëri më japin shumë energji për të vazhduar më tutje punën që bëj këtu. Të them të drejtën, pritjet tona si mërgimtarë, pas çlirimit, kanë qenë shumë të mëdha, por tani  zhgënjimet janë edhe më të mëdha. Vazhdojmë akoma të kemi vështirësi gjatë udhëtimeve tona për në Kosovë. Agjencitë e udhëtimeve mashtrojnë njerëzit; i rrjepin me para dhe në këtë mënyrë e vështirësojnë edhe fluturimin e mërgimtarëve për në atdhe. Çmimet janë astronomike gjatë kohës së pushimeve shkollore të fëmijëve. Në këtë mënyrë prindërit kanë vështirësi të përballojnë harxhimet për fluturime dhe kështu që detyrohen të fluturojnë më rrallë në Kosovë, në këtë mënyrë edhe lidhja e këtyre fëmijëve me atdheun vjen duke u zbehur dhe kjo është e dhimbshme.

Cili është mendimi Juaj për rrjedhat e fundit politike në Kosovë, për bisedimet me Serbinë për fushatën kundër krerëve të UÇK-së  dhe përpjekjeve për degradimin e vlerave të kësaj lufte, e bashkë me të edhe të pavarësisë së vendit ?

Saime Isufi: Mbase ne nga larg i shohim me sy tjetër rrjedhat politike në Kosovë. Jetojmë në një shtet demokratik, të përparuar, ku sundon rendi dhe ligji dhe sundimi i  ligjit mungon absolutisht në Kosovë. E kur nuk sundon ligji, atëherë çfarë mund të presësh nga politikanët e atij vendi? Por natyrisht që s’pret gjë as nga rrjedhat politike? Krerët politikë në Kosovë duket hapur se nuk janë shumë të interesuar e as të shqetësuar për ndryshimin e situatës së mjerueshme ekonomike në radhë të parë, por thjesht për ruajtjen e karrigeve të tyre, në të cilat ata janë majmur e po majmen për çdo ditë.

Bisedimet me Serbinë, sipas mendimit tim nuk duhej të ndodhnin në formën se si po bëhen. U takonte pjesëmarrësve në bisedime  të Kosovës  së martirizuar dhe viktimizuar nga Serbia t’i parashtronin kushtet dhe pastaj të fillohej me bisedime: e para Serbia duhej të kërkonte falje për viktimat e dhunës e terrorit në Kosovë; për kthimin e të pagjeturve e dëmeve të pafund që i ka shkaktuar ajo Kosovës në çdo lëmi të jetës. Politikanët tanë mendoj se nuk e kanë guximin të veprojnë ndryshe nga ato që i këshillon dhe ofron bashkësia ndërkombëtare. Dhe bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që akoma të qëndrojë në Kosovë.

Më dhemb kur dëgjoj për fushatën e çmendur kundër krerëve të UÇK-së dhe degradimin e luftës sonë çlirimtare. Por një pjesë të madhe të fajit për këtë fushatë e kanë vetë krerët e Kosovës, të cilët e konsiderojnë veten si pjesëtarë të UÇK-së, nëse  ata e kanë pasur luftën çlirimtare përnjëmend! Ata duhet të parët të dalin në mbrojtje të tyre dhe të fushatës së çmendur kundër luftës sonë çlirimtare. Duhet të jenë të bashkuar në  mbrojtjen e vlerave të UCK-së, pasi në saje të asaj lufte kanë ardhur në pushtet e që për fat të keq më duket se e harruan luftën shumë shpejt. Me mosveprimet e tyre serioze i lënë vend armikut të përçajë e sundojë në Kosovë. Dhe kjo po u shkon shumë për shtati armiqve tanë.

Jeni në mesin e femrave shqiptare që keni sakrifikuar shumë për idealet, qofshin ato kombëtare apo të përgjithshme, njerëzore. A janë përmbushur sado pak ato ideale për të cilat kanë rënë mijëra dëshmorë dhe janë sakrifikuar me vuajtje mijëra të tjerë?

 

Saime Isufi: Për Kosovën kam bërë atë që e kanë bërë shumë  bija të saj, duke kryer kështu detyrën që ia kemi borxh atdheut. Idealet e të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dihet dhe duket se nuk janë realizuar plotësisht. Kosova e çliruar pjesërisht (pa Mitrovicën) është realizim i pjesërishëm i idealeve të të rënëve. Siç dihet, të gjitha organizatat ilegale, në programet e tyre kishin bashkimin me shtetin amë, Shqipërinë. Por rrodhën si rrodhën ngjarjet dhe u bënë edhe tri luftëra çlirimtare në trojet shqiptare dhe kjo nuk u arrit.; bile nuk u arrit akoma as çlirimi i plotë i Kosovës.

Si e kaloni kohën duke jetuar në Zvicër e duke menduar për Kosovë, Shqipërinë, Iliridën?

 

Saime Isufi: Në Zvicër kam krijuar familjen time. Kam një çun, me të cilin ndihem shumë e lumtur dhe krenare. Si prindër jemi përpjekur ta ushqejmë me ndjenjën e atdhedashurisë. Duke jetuar në Zvicër, mendja më rri tek Atdheu im; tek të rejat politike, ekonomike e kulturore, të cilat i përcjell me vëmendje të madhe dhe s’shkëputem dot nga to. Gëzohem për përparimet, por shqetësohem për ngecjet dhe ngjarjet e pakëndshme që ndodhin aty.

A besoni se integrimi i shqiptarëve në Evropë e zgjidh çështjen tonë kombëtare, sikur trumbetojnë politikanët tanë në Tiranë, Prishtinë e në Shkup?

Saime Isufi: Trumbetimet e politikanëve për bashkim kombëtar duke hyrë në Evropë, janë përralla me mbret dhe trumbetimet i bëjnë për përfitime politike: kohë e pa kohë; në kohë fushatash e jo fushatash. Shqiptarët në Evropë do të duhej të hynin të bashkuar e jo të ndarë. Siç po rrjedhin ngjarjet jemi larg Evropës dhe larg bashkimit. Kosova duhet të zgjidhë shumë probleme siç është ai kryesori dhe më i vështiri: korrupsioni në pushtet.

Intervistoi: Arbanë Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …