Pavarësisht nismave për integrim dhe bashkëpunim rajonal, qytetarët e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me barriera që kufizojnë lëvizjen dhe kontaktet ndërmjet vendeve të rajonit. Të dhënat e “Barometrit të Ballkanit 2025” tregojnë se Kosova dhe Shqipëria ruajnë nivelin më të lartë të ndërlidhjes mes tyre, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia mbeten ndër destinacionet më pak të vizituara nga qytetarët e rajonit. Sipas anketës, vetëm 4 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk e kanë vizituar kurrë Shqipërinë, ndërsa 20 për qind e shqiptarëve nuk kanë qenë në Kosovë. Në kontrast, 79 për qind e kosovarëve nuk kanë vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën dhe 67 për qind nuk kanë qenë në Serbi, duke reflektuar ndikimin e barrierave politike dhe mungesën e lidhjeve funksionale rajonale. Raporti vlerëson se, pa heqjen e pengesave politike dhe investime më të mëdha në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, integrimi i Ballkanit Perëndimor do të mbetet një objektiv i parealizuar plotësisht në jetën e përditshme të qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
