Brickos

Sabedin Sherif Sherifi: Në lagjen tonë nga 25 shtëpi kishte 23 luftëtarë të UÇK-së, tre nga ata janë dëshmorë

Sabedin Sherif Sherifi: Në lagjen tonë nga 25 shtëpi kishte 23 luftëtarë të UÇK-së, tre nga ata janë dëshmorë

( Intervistë me Sabedin Sherifin, djali i dëshmorit të kombit, Sherif Sherifi)

RKL: Mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë i nderuar, Sabedin

Sabedin Sherif Sherifi: Mirë se ju gjejë Radio Kosovë e Lirë. Ndihem i nderuar të je më pjesë e emisionit tuaj.

RKL: Na rrëfeni fillimisht diçka për familjen tuaj, e njohur për rezistencë kundër pushtuesve.

Sabedin Sherif Sherifi: Familja Sherifi është një familje e sakrifikuar për shumë gjenerata më radhë. Që nga viti 1877 e deri më sot asnjë mashkull i familjes sonë nuk ka vdekur në shtrat nga sëmundjet apo vdekja natyrore. Të gjithë ranë në luftë për mbrojtjen e tokave shqiptare. Fatkeqësisht familja gjithmonë është rritur me bonjakë pa përkujdesje dhe shumë të vazhdueshëm nga pushteti. Babai ishte i fundit në familje që ka rënë në luftën e UÇK-së. Gjyshi, Sefë Sherifi, ka rënë në frontin e Dalmacisë si ushtar i mobilizuar më dhunë. Ai ishte pjesëmarrës i luftës për çlirimin e Preshevës dhe Bujanocit që i printe Fronti. Gjyshja, Shahë, ka vdekur si pasojë e torturave nga pushteti komunist gjatë aksionit për mbledhjen e armëve 1955/56. Serbët dhe disa shqipfolës gjyshen tonë e kanë futur nën akull në dimrin e acartë të atij viti për të treguar armët e burrit. Pas këtyre torturave ajo më nuk është ngritur nga shtrati deri në vdekje. Gjyshi i babait tim Sherifi ka rënë në luftën e Kumanovës më 1913 kundër forcave serbe. Serbët atje kanë bërë masakra të mëdha kundër popullatës shqiptare në fshatrat e Kumanovës më rrethin. Vargu i të rënëve vazhdon me Mustafë Sherifi ai ishte stërgjyshi i babai tim. Ai ka rënë në luftën e Sanxhakut të Nishit gjatë pastrimit etnik të territoreve shqiptare nga Serbia. I pari i familjes sonë ishte Aliu. Ai ka rënë në luftën e Plevnës në Bullgari në viti 1977, si ushtar i mbretit. Aty është zhvilluar një betejë 3 muajsh kundër Rusisë cariste.

RKL: Si ndiheni nëpër përvjetorët e kujtimeve për babanë?

Sabedin Sherif Sherifi: Gjatë përvjetorëve sigurisht ndihemi me plot emocione pasi që na rikthehet gjithë ajo kohë e kaluar pasi që ishim edhe vetë pjesë e asaj ngjarje të madhe gjegjësisht luftës për çlirim. Por shumë gjëra më nuk janë si dikur, më kujtohet pas luftës merrnin pjesë mijëra njerëz në tubime e sot pos familjes dhe bashkëluftëtarë pak njerëz dalin në tubime. Falë banorëve të malësisë së Zhegocit tubime përkujtimore nuk janë ndalur por pushteti ka pas tentativë për zëvendësimin e tyre me akademi në teatër.

RKL: A mbani kontakte me kolegët e bashkëluftëtarët e Tij?

Sabedin Sherif Sherifi: Ne që nga pas lufta më nuk jetojmë aty ku ishim më herët. Takime kemi dhe mbajmë kontakte por shumë nga bashkëluftëtarët sot janë shpërndarë nga kanë mundur të largohen si për shembull disa në emigracion e shumë tjerë duke u përballur me luftën për ekzistencë punojnë ku të munden dhe disa janë në amshim.

RKL: Cilët kanë luftëtarët që iu kanë bashkuar babit Tuaj në UÇK?

Sabedin Sherif Sherifi: Shumica e shokëve të babait ishin kushërinj tanë dhe ishin pjesëtarët të njësitit që vepronte te ne por ka pasur edhe në zona të tjera si në Pashtrik ,Gollak Drenicë. Lagjja jonë nga 25 shtëpi kishte 23 luftëtar ku tre nga ta janë dëshmorë. Aty ne kishim edhe qendrën stërvitore e cila ishte e vendosur,  në shtëpinë e Sejdi Sejdiut, djali i tij ishte instruktor për armatim dhe taktika luftës. Aty ushtrimet kanë mbaruar edhe vajzat bashkë me djemtë. Vullneti dhe dëshira për tu bashkuar luftës ishte shumë e madhe.

RKL: Na tregoni për familjen, shkollimin, studimet Tuaja, rrethin ku jetoni?

Sabedin Sherif Sherifi: Familja e ngushtë Sherifi ka tre djem dhe dy vajza, të gjithë të martuar. Unë kam gruan dhe tri vajza . E madhja Arxhira 12 vjeçare nxënëse e shkëlqyer, flet anglisht dhe gjermanisht shkëlqyeshëm. E dyta Aela nxënëse e klasë së dytë, e shkëlqyeshme në të gjitha lëndët, ka pasion matematikën, flet anglishten bazike. E vogla është Vlera vetëm katër vjeçe. Unë kam studiuar shkenca mjekësore-Infermieri, pastaj kam studiuar shkencat e mësimdhënies klinike në një ndër shkollat më të mira Finlandeze për katër vite. Jam specializuar në Gjermani në kujdesin intensiv dhe emergjencë për dy vite. Shërbej në Forcën e Sigurisë së Kosovës në Regjimentin e Parë të Këmbësorisë-Njësinë elitare e FSK. Kam ndjekur kurse të ndryshme për trajner instruktorë dhe kam licencë të NATO-s si instruktorë për fushën mjekësore TCCC Kujdesi mjekësore në fushën e betejës. Si instruktor i FSK-së, kam pasur një sukses të madh ku pjesëtaret të cilët i kam trajnuar kanë marr pjese në garën ndërkombëtare të NATO-s, në Angli ku kanë marr pjesë mbi 40 vende të NATO-s, pjesëtaret tanë janë renditur në vendin e dytë ishte kjo gara Cambrion Patrol. Vërtet ishte një sukses i jashtëzakonshëm kur marrim parasysh se ne jemi një forcë e re në krahasim me ushtritë tjera të NATO-s. Jetoj në Gjilan më familjen e gjerë.

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?

Sabedin Sherif Sherifi: Në fillim pas luftës nuk kishim kurrfarë ndihme as sociale e as institucionale Jetonim ashtu si mundëm. Kosova administrohej nga të huajt dhe pak kush qante kokën për ne. Krejt çka na ka ndihmuar shoqëria ka qenë një tendë 4×4 metra. Falë familjes së dajës Ali Kelmendi i,  cili jeton në Gjermani ne u strehuam në shtëpinë e tij, në Ferizaj. Aty jetuam për dymbëdhjetë vite deri sa u vendosëm në Gjilan ku ndërtuam shtëpinë. Gjithçka çka kemi arritur e kemi bërë më mundin tonë. Sot është më mirë pasi statusi i familjes së dëshmorëve është rregulluar dhe në marrim një pension për babin. Në krahasim me shtresat tjera shoqërore ne qëndrojmë më mirë.

RKL: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa personale edhe po i ndajnë, a mendoni se, Ju familjet e dëshmorëve duhet të reagoni për raste të tilla?

Sabedin Sherif Sherifi: Fatkeqësisht ekziston ky fenomen e nuk duhej të ishte. Dëshmorët ranë për ideale të mëdha e jo për parti apo grupime politike apo edhe klanore. Dikush më këtë u mundua të fitoj poenë politikë .Fatmirësisht ne nuk kemi ra nën ndikimin e asnjë partie apo grupi, për ne parti është kombi mbi të gjitha. Familjet e dëshmorëve janë të përfaqësuar në mënyrë jo të dinjitetshme, po flas për rajonin tonë. Shoqatat e dala nga lufta më shumë janë grupe interesi sesa janë përfaqësues të familjeve të dëshmorëve. Ne e dimë se çdo dëshmorë ka datëlindje apo datën e rënies. Por kurrë nuk përkujtojnë ata. Disa ngritën në qiell e disa i ka mbuluar harresa. Kjo nuk është e ndershme as për shoqatën e as për familjet e tyre. Për disa mbahen akademi përkujtimore sigurisht me parat e shoqatës që këtë participim e bëjmë edhe ne dhe për dikë as një lule varri nuk dhurohet. Fatkeqësisht jetojmë në një kohë të pa kohë .

RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Sabedin Sherif Sherifi: Dëshmorët kanë bërë atë që kërkon atdheu në kohë lufte. Amaneti tyre ka qenë dhe është çlirimi i tokave tona. Ne duhet të vazhdojmë rrugën e tyre. Dëshmorët punuan në kohë shumë të vështira kurse sot të punosh për atdheun është më lehtë se sa dikur.

RKL: A ruani diçka të veçantë nga babai, ndonjë relikt, letër apo shkrim të Tij?

Sabedin Sherif Sherifi: Nga babai ruaj pushkën e tij dhe një numër të madh librash që m’i blinte rregullisht që kur kam qenë fëmijë. Ai e donte shumë edukimin dhe shkollimin tonë. Fatmirësisht librat më kanë shpëtuar sepse ato i kam siguruar në një vend të sigurt para ofensivës serbe. Gjërat tjera u dogjën pothuajse të gjitha. Babai ka pas shumë vepra arti të punuar nga drugdhendja të cilat flakët e luftës i morën të gjitha.

RKL: Faleminderit për kohën, respekt e shëndet për Ju

Sabedin Sherif Sherifi: Falënderimi u takon juve stafit të Radios Kosova e Lirë,  Ju jeni zëri edhe i familjes sonë. Faleminderit për ftesën dhe respekt për gjithë stafin e radios Kosova e Lirë.

Sabedin Sherif Sherifi: Në lagjen tonë nga 25 shtëpi kishte 23 luftëtarë të UÇK-së, tre nga ata janë dëshmorë

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …