leoni

Sabit Selim Sadikaj (9.10.1974 - 28.3.1999)

Sabit Selim Sadikaj (9.10.1974 – 28.3.1999)

Sabit Sadikaj lindi me 9. 10. 1974 në fshatin Dashinoc të Deçanit. Rrjedhë nga një familje me tradita atdhetare, Stërgjyshi i Sabitit ishte vrarë nga forcat serbo-malazeze në mbrojtje të tokave shqiptare në kufirin me Malin e Zi ku edhe është i varrosur. Edhe Miftar Sadikaj familjar i Sabitit ishte vrarë gjatë shërbimit në ushtrinë jugosllave të asaj kohe. Shkollën fillore e kreu në Ratishë dhe Irzniq ndërsa të mesmen dy vitet e para në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri në Deçan duke vazhduar dy vitet e tjera në shkollën teknike “Shaban Spahija” në Pejë ku edhe e përfundoj shkollimin e mesëm.

Ishte djalë i vetëm i prindërve Selim e Shake Sadikaj, vëlla i shtatë motrave, Sabrijes, Sevdijes, Sadijes, Sadetës, Safetës, Lirijës dhe Shpresës. Pasi që ishte djalë i vetëm, familja e bindi që të martohej shumë herët nga e cila martesë pati edhe dy vajza Agnesën dhe Qendresën. Menjëherë pas martesës, Sabitit, i vdiq babai duke e lënë shumë të ri që të mbaj shtëpinë e të kujdesej për nënën, shtatë motrat gruan e dy vajzat.

Kjo e kaliti e forcoi dhe e burrnoi para kohe po edhe zoti i fali shëndet dhe i dha rritë. Sabiti ishte shtatë lartë e shpatullgjerë, në dukje, sjellje e në qëndrim ishte kreshnik malesh, i rritur në Dashinocin e Ram Binakut dhe i frymëzuar nga të bëmat e tij Sabiti tani veç ishte shndërruar në një luftëtar të madh shqiptar.

Po edhe si fëmijë Sabiti kishte shpirt luftëtari, prania e shumë familjeve serbe në fshat dhe raportet gjithmonë acaruese vetëm sa ia shtonin urrejtjen për ta, siç e kujton Isufi familjar dhe bashkëluftëtar i Sabitit ai asnjëherë nuk mundi të pajtohej me ta, si nxënës i shkollës fillore dallohej nga nxënësit e tjerë dhe gjithmonë ishte në konflikt me nxënësit serbë. Kjo e bëri që shpeshherë të jetë i arrestuar dhe i keqtrajtuar  nëpër stacionet policore serbe,  në Deçan, Pejë e  në  Gjakovë.

Edhe bashkëveprimtari dhe bashkëluftëtari Rasim Selmanaj me krenari e kujton Sabitin. Sabit Sadikajn thotë e njoha në vitet 90-ta. E kisha mik e bashkëveprimtar. Ai ishte kudo në të gjitha organizimet që bëheshin kundër regjimit të Milloshevicit, në protesta e demonstrata, në përvjetorët që mbaheshin në nderim të figurave kombëtare. Ai shpërndante revistën Zgjimi në disa lokalitete. Unë isha kryetar i rinisë për komunen e Deçanit, ndersa Sabiti ishte kryetar për fshatin Dashinoc! Ai shquhej për guxim e përkushtim në të gjitha aksionet! Në kujtesën time mbetet nje nga veprimtarët e guximshëm dhe shumë aktiv në vitet e 90-ta.

Me të filluar lufta në Dukagjin, Sabiti i përgjigjet kushtrimit të lirisë dhe menjëherë ndër të parët rreshtohet për tu furnizuar me armë në Shqipëri, edhe pse bashkëluftëtarët dhe komandanti i ZO të Dukagjinit asaj kohe Ramush Haradinaj, u përpoqën të mos e lejonin të shkonte për armë me arsyetimin se ishte djali i vetëm në familje, Sabiti nuk ndalej. Ai me shumë shokë shkuan për Shqipëri, morën armatim dhe për tre ditë u kthyen dhe armatosën gjithë fshatin.

I uniformuar dhe i armatosur mirë tani si ushtar lirie, Sabiti rreshtohet në vijat e para të frontit në Gllogjan, Dashinoc, Beleg, Maznik, Gergoc, Vranoc, Buqan, Llukë, etj. duke u dalluar nëpër beteja. Pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998 dhe ristrukturimit të UÇK-së ai u radhit në Brigadën 131 Jusuf Gërvalla dhe vazhdoi luftën deri në rënien e tij me 28 mars të vitit 1999.

Nëna mbeti pa djalin e vetëm, shtatë motrat pa të vetmin vëlla, dy vajzat pa baba e kombi pa një luftëtar të madh, po toka e Kosovës e ujitur me gjakun e tij të dëlirë fitoj lirinë e pritur për qindra vjet. Se liria është e shtrenjtë  dhe e dalë nga palca e shpirtit e dëshmon më së miri dëshmori i kombit Sabit Sadikaj me jetën, veprën dhe rënien e tij.

Nëna e Sabitit e cila duke kërkuar falje për lotët që shpesh herë e tradhtojnë thotë një dritë syrit e pata dhe atë ia fala atdheut, motrat e vajzat që për shumë vjet jetuan më shpresën se tymi i oxhakut të shtëpisë në Dashinoc do të shkojë përpjetë dhe jeta do të rikthehet në truallin e Sabitit e ajo shpresë ju fal atdheut. Lavdi jetës dhe veprës së Sabitit lavdi gjithë dëshmorëve ndër breza. (Nexhmi Lajçi)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …