ENVER NEBIH BUÇAJ (20.3.1975 – 28.3.1999)

Enver Nebih Buçaj (20.3.1975 – 28.3.1999)

Familja Buçaj e Artanës së Prizrenit, e prejardhur nga Malësia e Budakovës, luftës për çlirimin e kosovës i ka dhënë kryefamiljarin, Nebih Buçaj e bijtë e tij, Enver Buçaj dhe Imer Buçaj. Kjo familje atdhetare me kohë ishte orientuar në rrugën e çlirimit dhe bashkimit të trojeve të Shqipërisë. Këtë e dëshmoi me vepër në kohën e luftës së UÇK-së.
Enver Buçaj u lind më 20 maj të vitit 1975, në Prizren. U rrit dhe u edukua nën përkujdesjen e prindërve: Nebih dhe Mihrije Buçaj. Fillimisht, shkollën e kreu në Arbanë të Prizrenit.
Si kudo dhe kurdoherë, lëndët gjuhë dhe letërsi shqipe, histori e gjeografi i ndihmojnë nxënësit për t`u formuar dhe edukuar sa më mirë atdhetarisht. Po kështu edhe Enveri do të përfitonte shumë nga shkolla, por mbi të gjitha ai do të përfitonte nga edukimi familjar dhe atdhetar i babait. Prandaj dashuria dhe vullneti e gatishmëria për të vepruar për atdheun, atë do ta forcojnë shpirtërisht dhe pa hezitim do të shprehë karakterin e një atdhetari të devotshëm që si fëmijë dhe i ri.
Pasi e mbaroi shkollën tetë vjeçare në Arbanë, ai u regjistrua Shkollën e mesme teknike -drejtimi i mekanikës.
Dy deceniet e fundit të shekullit XX janë përshkuar me protesta, demonstrata, greva mbledhje, grumbullime e afrime të shumta të shqiptarëve dhe forma të tjera të rezistencës shqiptare kundër Serbisë dhe Jugosllavisë, me qëllimin më të pastër njerëzor e kombëtar për t`u çliruar e për të fituar lirinë e pavarësinë. Në këto ngjarje e zhvillime çlirimtare e atdhetare, Enveri ka marrë pjesë aktivisht së bashku me vëllanë Imerin dhe shokun e tyre Muhamet Kabashi. Ata ishin në ballë të demonstratave e të rezistencës shqiptare. Muhamet Kabashi ka rënë heroikisht në përleshje me forcat ushtarako-policore serbe e jugosllave. Ai është tanimë dëshmor i atdheut.
Kështu vitet kalonin dhe Enveri gjithnjë e më shumë do të forcohej e do të formohej, do t`i ngulitej në shpirt e në kokë, se vetëm lufta me armë do të jetë mundësia për t`u çliruar nga Serbia dhe kështu do hapej horizonti i lirisë së njëmendët dhe bashkimit të Shqipërisë. Prandaj ai pa hezitim do të radhitet në rreshtat e nderit, krenarisë dhe heroizmit shqiptar, në luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së, cila tanimë botërisht dihet se ka bërë luftë çlirimtare dhe humanitare.
Kur pushkët e lirisë kërcitën edhe Enveri shfaqi vrullin dhe gatishmërinë për t`u bërë pjesëtar i saj. Ai ka pasur shoqëri me Ismail Kryeziun, tanimë edhe ky dëshmor i atdheut dhe ushtar i lirisë. Shoqëria, organizimi dhe gatishmëria, vullneti e dëshira e Enverit për t`i dalë zot Atdheut do ta udhëheqin për t`u lajmëruar vullnetarisht në formacionet e organizuara UÇK-së të zonës së tij. Atë do ta mirëpresin dhe ai i filloi stërvitjet ushtarake në Reti, jo larg Arbanës. Më pas merr pjesë në luftime dhe në aksione të shumta luftarake si pjesëtar i denjë i Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikur. Komandant kishte eprorin e UÇK-së, Nehat Basha.
Enveri me disa sokë të tij shkon dy herë në Republikën e Shqipërisë për armatime, duke përshkuar nëpër rrugë të vështira malore, nëpër shtigje rrallë të shkelura. Në këto rrugë i kishte udhëhequr burri e patrioti hasian, Haki Çuni, fqinj i Enverit dhe krah i të rinjve atdhetarë e i UÇK –së.
Kur forcat serbe i kishin vënë re Enverin me shokë, në maje të malit të Pashtrikut, i sulmojnë, prandaj ata detyrohen të kthehen dhe pas dy javësh ndërmarrin udhëtimin tjetër për t`u futur në Kosovë dhe në këtë rrugëtim i udhëhoqi vëllai i madh i Enverit, Xhemaili, për shkak se edhe terrenin e njihte më mirë.
Kështu armatimin e sjellin në Reti dhe më vonë edhe në shtëpinë e Enverit.
Shtëpia e Nebih Buçajt kishte rënë në sy të policisë barbare serbe që nga vitet 89-90, por ajo ishte vënë në shënjestër pasi Enveri ishte bërë ushtar UÇK-së.
Në kohën kur popullatën shqiptare të asaj pjese, barbarët serbë po e dëbonin nga trojet stërgjyshore më, 28 mars 1999, shtëpinë e Buçajve në Arbanë e rrethojnë policia, ushtria barbare fashiste serbe. Nebihu si kryefamiljar e kishte hallin e vetëm për t`i larguar fëmijët dhe gratë nga shtëpia dhe për t`i siguruar në pjesën e atdheut të lirë, në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa fëmijët dhe gratë ishin bashkuar atyre që po dëboheshin për në Shqipëri.
Nebihu me djalin Imerin qëndruan në shtëpi , aty kishin qenë edhe Enveri dhe Fadil Ferati, ushtarë të UÇK-së. Siç rrëfen edhe Xhemaili për babain e tij Nebih Buçaj, ai gjithnjë u kishte thënë, se do të luftonte kundër Serbisë dhe duhet t`iu tregojmë serbeve se kjo tokë është shqiptare, është Shqipëria vetë.
Me zjarrin e urrejtjes shekullore kundër pushtueve serbë, Nebih Buçaj me tre yjet e rinj ndriçues të atdheut, Imerin, Enverin dhe Fadilin shtinin me armë kundër forcave ukupatore serbe, e cila kishte epërsia në numër dhe me mjete lufte. Atë ditë, më 28 mars 1999 në altarin e Atdheut kanë rënë trimërisht e heroikisht Nebih Buçaj, Enver Buçaj, Imer Buçaj dhe Fadil Ferati. Enveri e ka lënë edhe të bijën, Gentianën e cila tashmë është rritur në Kosovën e lirë dhe të pavarur, për të cilën kishin derdhur gjak babai i saj, gjyshi e xhaxhai. (I. I.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …