Prokuroria përdori të gjithë arsenalin e mundshëm kundër të akuzuarve, udhëheqësve të UÇK-së, dhe kundër vlerave të arritura nga lufta çlirimtare në Shtetin e Kosovës.
Narrativa po shkon në drejtim të gabuar me qëllime politike. Prokuroria e konstaton luftën si konflikt!
Deklarata se po gjykohen individët me kërkesën për 45 vite burg për secilin bëhet që më lehtë të pranohet një dënim më i ulët. Ndërsa duke thënë se nuk po dënohet Shtabi i Përgjithshëm e as UÇK-ja, këtë mund ta besojë vetëm dikush i pa informuar!
Në aktakuzë, qindra herë apostrofohet SH.P. dhe ndikimi i përgjegjësia e tij. Kjo deklaratë që SH.P. nuk po dënohet lë të kuptohet si zbritje e akuzës nga ajo që e quajnë “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. Mund të bie kjo akuzë me këtë apostrofim, në mënyrë që të mos njolloset UÇK-ja.
Kjo do të thotë se i hapet rruga ndryshimit nëse mbrojtja e argumenton mirë. Kjo kuptohet si qëllim ose hapje rruge për zbritje në struktura më të ulëta. Një zbutje e përkohshme e popullit, Gjykata me këtë ble kohë.
Narrativa vazhdon me prapavijë politike. Kuptohet kur prokuroria akuzon që nga themelimi: pse u themelua UÇK, si u themelua, pse u armatos dhe pse luftoi kundër milicëve dhe ushtarëve serbo-sllavë. Pse UÇK-ja e konsideronte kolonizatore dhe pushtuese Serbinë?!
Edhe pse nuk ka asnjë provë për faj direkt të të akuzuarve, akuzohen për përgjegjësi hierarkike dhe për mosveprim në ndalimin e veprimeve të paligjshme. Për Kosovën, prokuroria thotë se nuk ishte subjekt ndërkombëtar dhe luftën nuk e trajton si luftë, por si konflikt.
Mbrojtja duhet ta zbresë aktakuzën dhe të heqë procesimet enorme e shpifëse të mbledhura dhe të depozituara në gjykatë në kurriz të të akuzuarve. Nga “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” duhet të shndërrohet në “Ndërmarrje e Përbashkët Çlirimtare”. Pastaj të hulumtohen gabimet ose fajet individuale.
Pasi Kosova ishte nën okupim, nuk kishte ligje apo struktura shtetërore në kohë lufte. I akuzojnë për veprime të paligjshme. Nëse veprat janë kryer kur nuk ekzistonin ligjet, nuk mund të denohen me ligjet e mëvonshme, retroaktivisht.
Akuzohen edhe për krijimin e pushtetit dhe strukturave shtetërore gjatë dhe pas luftës, gjë që konsiderohet si opozitë e padëshiruar nga UNMIK-u. I akuzon prokuroria duke përdorur ligjet e Serbisë dhe pretendon se ishin ligje të kohës së konfliktit.
Realiteti është se UÇK-ja nuk i pranoi ato ligje të pushtuesit dhe i luftoi që në fillim. Për këtë i akuzon prokuroria jashtë çdo standardi, norme dhe tradite të gjykatave dhe ligjeve ndërkombëtare.
Kjo gjykatë e bëri këtë – KE Europjan! Por UÇK-ja, duke pasur të gjithë këta kundërshtarë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, arriti ta bëjë Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke prishur planet e Serbisë, Rusisë dhe Europës, si dhe UNMIK-ut. Edhe sot, ata që janë nostalgjikë të atyre interesave, nuk do të mund ta rikthejnë statusin e mëparshëm.
Përkrahja e Amerikës, Anglisë, Zvicrës, Turqisë dhe shteteve aleate që na dolën në krah do të jetë gjithmonë me ne për lirinë dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Disa avokatë dhe juristë shqipfolës pa i llogaritur pasojat, thonë se ligjet e Jugosllavisë kanë maksimumi 15 vite burg. Kjo është shumë e gabuar dhe dëmshme, sepse në start predikojnë fajin dhe maksimumin. A nuk e shohin sa rëndë janë dënuar Sali Mustafa, Pjetër Shala dhe të tjerët?!
Gjykata paraqet 100 viktima – viktimë konsiderohet edhe ai që ka marrë një shuplakë, ose që ka prerë dru, apo ka pasur një konflikt të vogël. Krim dhe kërcënim konsiderohen edhe ata që kanë hapur kanale për evakuim ose kontakt me UÇK-në.
Mbrojtja duhet të tregojë se spiunët dhe kolaboracionistët ishin të ditur nga koha e gjatë nën pushtim dhe se ata bashkëpunuan me pushtuesit me dekada, duke vazhduar edhe gjatë luftës.
Prokuroria akuzon për nivele përgjegjësie dhe mosparandalimi, për fajësi të tërthortë, duke ngarkuar të akuzuarit edhe për mungesë kontrolli dhe veprime të drejtpërdrejta.
Pra, nëse vrave, je fajtor; nëse nuk vrave, gjithsesi fajtor. Këso urdhrash politikë po përdor Gjykata!
Unë, si jurist, nuk di ku dhe me cilin ligj ndërkombëtar ose shtetëror janë të rehabilituar ata që veprojnë lirshëm bashkëpunimin me armikun. Prokurorët duket se luftën e prisnin me lule, duke u dhënë mundësi spiunëve dhe pushtuesve.
Qartë kuptohet se akuzat janë konstruktime dhe kanë shkuar nga spiunët serbë dhe UNMIK-u. Dëshmitarët thonë se UÇK-ja ka luftuar edhe FARK-un.
Nëse mbrojtja nuk arrin të heqë nga procesimet deponimet e shpifura të prokurorisë, dhe të akuzuarit nuk do të jenë në gjendje t’i rrëzojnë ato, rrezikohet padrejtësia e madhe.
Shpresojmë që Gjykata të bazohet në zakonet e luftës dhe të heqë akuzën “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, duke e riemëruar në “Ndërmarrje e Përbashkët Çlirimtare”. Kjo kërkohet për korrektësi dhe drejtësi të bazuar në norma dhe rregulla, jo në dosjet e Serbisë dhe kërkesat e saj.
Urojmë lirimin e shpejtë të çlirimtarëve si të pa fajshëm, sepse ata bënë luftë të drejtë dhe të pastër mbrojtëse. Populli duhet të dalë sa më shumë në protestë kundër padrejtësisë, për t’i treguar botës se të akuzuarit nuk mund të dënohen në emër të popullit.
Reagimi kundër protestës së 17 shkurtit nga kryeprokurori Smith dhe reagimet nga Serbia tregojnë rëndësinë e kësaj proteste. Protesta i zbulon maskat vendimeve të padrejta të Gjykatës së Hagës.
12-02-2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
