Tani librat që na i ka lënë për botim autori prof. Ahmet Qeriqi janë edhe më me interes për të gjithë ne, për t’i lexuar me një endje të veçantë. E para, për shkak se kemi mall për Ahmetin. E dyta, duke dashur ta njohim personazhin në roman, si dhe të bashkëjetojmë me autorin, e për ta kuptuar brendinë e librit, mundohemi të hyjmë thellë në mendimin, qëllimin, porosinë dhe mesazhin e autorit, për të nxjerrë në sipërfaqe realitetin, fantazinë, filozofinë, ngjarjet, traditat dhe vlerat që ai ka shkruar.
Me syrin e mendjes sonë mundohemi t’i gjejmë edhe ato që i ka menduar autori.
Siç do të na e shpjegonte në bisedë dialektikën, ndryshimin dhe unitetin e të kundërtave.
Edhe më shumë, kur ne i lexojmë rreshtat, përpiqemi të kuptojmë çfarë na thotë edhe në mes të rreshtave, cilat porosi na ka lënë. Kjo shtohet edhe më shumë pasi nuk e kemi pranë për të biseduar drejtpërdrejt. I lexojmë shpjegimet dhe porositë, jo vetëm nga ana e prindit, vëllait e shokut të madh — në këtë rast pa i ndërhyrë në fjalë — por duke i pranuar dhe vlerësuar maksimalisht ashtu si na i ka lënë të shkruara.
Sa bukur e shpjegonte se si ndodh dhe shkaktohet uniteti i të kundërtave, kur e merrte shembull spiralen dhe thoshte: forca që e shtrëngon spiralen për ta ndrydhur deri në maksimum (në fund) duhet shtuar vazhdimisht sa më shumë, sepse gjithnjë e më shumë mblidhen rrathët. Sa më shumë trusen dhe shpeshtohen rrathët e spirales, aq më shumë kthehet presioni për t’u shtrirë (zgjeruar) spiralja. Në një moment, kur forca lëkundet dhe nuk mund ta ndrydhë më, spiralja fillon të japë kundërfuqi më të madhe se forca shtypëse, duke ia kthyer forcës me forcë — kështu e shpjegonte unitetin e të kundërtave.
Qartësisht, shumë para lufte, Ahmeti shpjegonte se nga dhuna dhe trysnia shpërthen lufta për liri. Po ta kishim në promovim të librit, do të na shpjegonte se ai shumë para lufte e kishte paraparë luftën. Shumë para çlirimit e kishte parë lirinë.
Neve na mbetet të vazhdojmë sipas amanetit të tij deri në bashkimin kombëtar. Me siguri edhe bashkimin e shqiptarëve në një Shqipëri të ribashkuar, heroi Ahmet Qeriqi me sytë e mendjes dhe të zemrës e ka parë.
Ah, sikur të ishte së bashku në rrugëtim me ne edhe tani! Ai është dhe do të jetë përherë në zemrat dhe në mendjen tonë, derisa të jemi gjallë. Veprat e tij do të jenë sa të ketë shqiptarë në këtë botë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
