MIT
Airport Adem Jashari
kek
valamobile
mbpzhr grante
Fillimi / Personalitete / Sulejman Pitarka (1924 – 2007)
Sulejman Pitarka (1924 - 2007)

Sulejman Pitarka (1924 – 2007)

Aktori i madh i skenës dhe filmit shqiptar, Sulejman Pitarka ka lindur më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibër të Madhe.  U detyrua të braktisi shumë shpejt studimet, për t’i ardhur në ndihmë të atit, pasi varfëria e skajshme e familjes nuk mund të përballohej vetëm nga ai. Prej vendlindjes, vendoset në qytetin portual të Durrësit, ku fillimisht detyrohet të punojë si hamall, jo vetëm në port, por edhe në kriporet e Kavajës. Shumë shpejt, Pitarka fillon punën si ndihmës-llogaritar në një firmë të njohur italiane dhe më pas në Bankën e Durrësit, por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai i braktis financat për t’iu përkushtuar teatrit.

Pas vitit 1945, Pitarka interpretoi në teatrin amator të Durrësit role në dramat “Ishulli i paqes”, “Invadimi”, etj. Pitarka filloi punë në majin e largët 1951, kur u emërua aktor profesionist në Teatrin Kombëtar. Kanë mbetur të paharruara për spektatorët kryeqytetas rolet e realizuara prej tij në skenën e këtij teatri në dramat “Trimi i mirë me shokë shumë”, “Syleshi”, “Orët e Kremlinit”, “Familja e peshkatarit”, “7 shalianët”, “Vajza nga fshati”, “Doktor Aleksi”, “Epoka para gjyqit”, etj. Çuditërisht, Pitarka ka luajtur role dytësore deri në vitin 1964, ndërsa në vitin 1956, i frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë dhe nga përvoja e vështirë jetësore, shkruan një dramë të spikatur të dramaturgjisë shqiptare, “Familja e peshkatarit”, të cilën e pason me vepra të tjera. Kësaj periudhe i përkasin disa nga rolet e tij më të paharrueshme në teatër, si në pjesët “Halili dhe Hajria”, “Borgjezi fisnik”, “Epoka para gjyqit”, “Vajza me flokë të thinjura”, “Prefekti”, “Karavidhet”, “Arturo Ui”, “Një nuse për Stasin”, etj. Pas suksesit në filmin “Debatik”, Sulejman Pitarka, do të siguronte një karrierë të pasur edhe në kinematografi. Në fakt, ai e filloi me filmin “Furtuna” dhe pas “Debatikut” interpretoi edhe në “Horizonte të hapura”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, etj. Roli i tij më i spikatur është ai i Zheleznovit, komandantit rus, në filmin “Ballë për Ballë”. Ky film ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në vitin 1981 dhe është shpallur fitues i këtij edicioni. Të tjerë filma ku ai ka interpretuar janë: “Tinguj lufte” (1976), “Guna përmbi tela” (1977), “Rrethimi i vogël” (1986), “Vdekja e burrit” në vitin 1989, etj.

Sulejman Pitarka është një ndër aktorët më të suksesshëm të teatrit dhe kinematografisë, protagonist i mbi 70 roleve në teatër dhe rreth 20 roleve në kinematografi, kujtohet nga publiku për secilin nga këto role, të vlerësuara nga kritikët si mjaft realiste. Të paharrueshme do të ngelen rolet e tij në dramat “Arturo Ui”, ”Besa e madhe”, ”Doktor Aleksi”, në rolin e Heroit të Popullit, Sulejman Vokshi, në dramën “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut, “Familja e peshkatarit” të shkruar po nga Ai vetë, në rolin e Pejxhit në dramën “Gratë gazmore të Uinsdorit” të Shekspirit, në rolin e Gildesernit në dramën “Hamleti” të Shekspirit, në rolin e Turhanit në dramën “Kështu të dua”, “Trimi i mire me shoke shume”, në rolin e Faikut tek drama “Karavidhet”, “Një nuse për Stasin”, në rolin e Hysen Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, në rolin e Bakos në komedinë “Zonja nga Qyteti” të Ruzhdi Pulahës, duke përfunduar me rolin e tij të fundit në dramën “Pjata prej druri” e Edmond Morris e vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame në vitin 2004 në rolin e plakut të braktisur. Rol për të cilin në Festivalin “Apollon 2005” do të shpallet “Aktori më i Mirë” i festivalit, titull i cili do ti jepet edhe në Festivalit të Teatrove në Dibër të Madhe në vitin 2006.

Në kinematografi roli i parë i tij do të jetë ai i Eshrefit në filmin “Furtuna”. Interpretimi i tij do të linte në kujtesën e publikut edhe shumë role të tjera si roli i shokut Sokrat në filmin”Horizonte të Hapura”, roli i zotit Galip tek “Tinguj lufte”, roli i Gjeneralit tek “Gunat përmbi tela”, roli i xha Avdiut tek “Gjeneral gramafoni”, roli i Zheleznovit komandantit të bazës në filmin “Ballë për ballë”, roli i Ali Beut në filmin televiziv “Agimet e Stinës së Madhe” e shumë të tjerë. Roli i tij i fundit në kinematografi do të jetë ai i Selmanit në filmin “Larg barbarëve/Loin des barbares” në vitin 2004 për të cilin pati shumë vlersime pozitive si nga kritika kombëtare ashtu edhe nga ajo internacionale.

Pitarka do të shkruante edhe disa drama ku përveç të mirënjohurës “Familja e peshkatarit” mbi të cilën regjisori Hysen Hakani bazoi filmin “Oshëtimë në bregdet” me skenar të po vetë Sulejmanit, mund të përmendim komedinë “Burri me përparëse” dhe dramat “Trimi i mirë me shokë shumë” në vitin 1957, “Heronjtë e Linasit” në vitin 1967, “Kulla e Linasit”.

Shumë studentë të tij, sot aktorë të njohur, thonë se pasaporta e krenarisë së tyre është kur shprehen se kemi qenë studentë të Prof. Sulejman Pitarkës, aktori i madh, i cili pas njëzetë vjetësh shkëputjeje, në vitin 2005 u ngjit me shumë sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me interpretimin e shkëlqyer në dramën “Pjata e drunjtë”.

Të gjitha rolet e tij janë vlerësuar nga kritika shqiptare si portrete origjinale, që aktori i krijoi me zërin dramatik, herë-herë imponues në skenë. Këto karakteristika i dhanë një sinqeritet gati të rrallë skenik Sulejman Pitarkës, aq sa rreth 20 vjet më parë, një nga admiruesit e tij i shkruante një letër shumë domethënëse, ku në pak rreshta përmblidhte çdo vlerësim: “Ju më pëlqeni”, i shkruante ai Pitarkës. “Më pëlqeni, sepse më duket se më gënjeni me lezet”.

Për nder të tij “Çmimi i Madh” i Festivalit të Teatrove në Dibër të Madhe duke filluar që nga viti 2007 do të ri-titullohej “Çmimi i Madh Sulejman Pitarka”.

Për meritat e tij artistike Sulejman Pitarka është vlerësuar me titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh “.

Sulejman Pitarka, ka fituar disa çmime në teatër dhe kinematografi, mes tyre çmimin për “Karrierën” si edhe Medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Ndahet nga jeta dhe nga familja e tij e dashur në Tiranë më 24 mars të vitit 2007.

Ceremonia e përcjelljes së kësaj figure te madhe të artit shqiptar është përshkruar nga disa opinionistë si jo në nivelin e duhur. Një sorollatje pa përkushtim ishte ajo e kolegëve të tij, që ishin më shumë student të tij, gjatë ceremonisë së varrimit. Kështu të vijnë ndër mend fjalët e një filozofi, i cili thotë se, “vlerat e një kombi nuk varen nga madhështia e personaliteteve të tij, por nga vlerësimi që populli u bën këtyre personaliteteve”.

Burimi: Peshkopi, Dibër Albania. 17.08.2012.

Kontrolloni gjithashtu

Mulla Idriz Gjilani (1901 – 1949), fetar, atdhetar dhe luftëtar për bashkimin e trojeve shqiptare

Mulla Idriz Gjilani (1901 – 1949), fetar, atdhetar dhe luftëtar për bashkimin e trojeve shqiptare

Mulla Idriz Velekinca lindi në Velekincë, fshat në komunë të Gjilanit, më 4 qershor të ...