U shua nga jeta Fatos Nano, reformatori i pluralizmit, politikani i skalitur që do ta rangoja me Tony Blair!
Ky burrë shteti, që trasoi rrugën e demokracisë tranzicionale — nga monizmi në pluralizëm.
Kryeministër në kohët më të vështira që kalonte Shqipëria dhe Kosova.
Ky diplomat, ekonomist, poliglot — mbi të gjitha Shqiptar i Madh!
Kur kryeministri Nano, në një samit ndërkombëtar në Kretë të Greqisë, në vitet ’90, i tha publikisht Millosheviqit se:
“Ti mban përgjegjësi për ato që po ndodhin dhe për ato që mund të ndodhin në Kosovë, sepse Kosova është çështje e brendshme e Jugosllavisë!”
Fatos Nano ishte në dijeni dhe ishte ai që, bashkë me presidentin Ramiz Alia, u kishte mundësuar ushtrimet luftarake luftëtarëve të UÇK-së në Shqipëri.
Në atë kohë buçisnin armët e luftëtarëve të UÇK-së në Çorrel, Dajt, Shëngjergj e gjetiu, nëpër poligonet e Ushtrisë së Shqipërisë.
Eprorët më të mirë, të përzgjedhur nga shkolla e oficerëve të “Shkollës së Bashkuar Enver Hoxha”, i ushtronin luftëtarët e Kosovës në grupe — si Adem Jasharin, Sali Çekajn dhe dhjetëra e qindra të tjerë të ardhur nga Kosova e robëruar dhe nga Perëndimi.
Shqipëria, në udhëheqjen e Ramiz Alisë dhe Fatos Nanos, bëri gjithçka ishte e mundur për ta ndihmuar luftën për çlirimin e Kosovës — si në lidhjen e aleancave me aleatët, ashtu edhe drejtpërdrejt me ushtrimet dhe përgatitjet.
Kryeministri Nano bëri edhe lejimin e futjes së armëve në Kosovë.
Jam dëshmitar i një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Shqipërisë, më datë 06.06.1998, ku u mor vendim për t’u lejuar armët e magazinave të veriut të shkonin për UÇK-në.
Në atë kohë Shqipëria ishte nën lupën e OSBE-së.
Ky ishte Nano — që, duke i ditur dhe duke u përgatitur për luftën e afërt në Kosovë, botërisht e shpalli fajtor Millosheviqin.
Injorantët dhe kolaboracionistët e fajësonin dhe përbaltnin figurën e Nanos.
Por Nano ishte dhe mbeti njeriu që më së shumti ndihmoi luftën e Kosovës, në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
UÇK-ja e konsideroi bashkëluftëtar dhe e pajisi me Certifikatën e Veteranit.
Prandaj, ngushëllime luftëtarëve të UÇK-së dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë: Xhavit Haliti, Azem Syla dhe Ali Ahmeti.
Ngushëllime të gjithë atyre që ndiejnë dhimbje për Fatos Nanon.
Ngushëllime Kosovë, ngushëllime Shqipëri!
LAVDI!
31.10.2025
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
