Heroi Zijah Shemsiu lindi në vitin 1950 në Prelepnicë të Gjilanit.
Ky revolucionar, që herët ishte i organizuar në GML në rrethinën e Gjilanit me Kadri Zekën, Hydajet Hysenin, Taip Zekën, Ahmet Isufin, Agim Sylejmanin, Saime Isufin (Bulja), Abdulla Tahirin, Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Sami Kurteshin, vëllezërit Zylfiu, si dhe me familjarët: vëllezërit Fetahun, Shabanin dhe babanë e tyre, Hasan,
Zijah me shokët ishin të frymëzuar e ideuar nga Metush Krasniqi e Adem Demaçi.
Me veprimtari organizative e revolucionare të shumta, që nga viti 1968 në Kosovë, veproi deri sa emigroi në Perëndim, në Zvicër.
Atje, i kontaktuar bashkë me mërgimtarët e tjerë, që në atë kohë ishin veprimtarë të shumtë nga LPRK, me qendër në Zvicër dhe shumë këshilla popullore në Gjermani e në shtete të tjera të Europës. Në Gjermani ka mundur t’i takojë: Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Faradin Tafallarin, Hysen Gegën, Maksut Saramatin e shumë të tjerë.
Pas 17 janarit 1982, bashkohet dhe themelohet LPRK-ja në Zvicër me qindra të organizuar. Zijah ishte përkrah Kadri Zekës, Saime Isufit, Agim Sylejmanit, Hasan Malës, si dhe Nazmi e Fehmi Zylfiut dhe shumë veprimtarëve të tjerë.
Angazhimi në degën jashtë vendit kishte hapësirë gjysmë të hapur (legale) për veprimtari, si në propagandë, protesta dhe materiale propaganduese.
Gjë që Zijahut i dukeshin veprimtari të lehta e të pakta, për të mos thënë të thata e teorike, ngase ai donte veprimtari konkrete, praktike, pragmatike dhe luftarake për ta çliruar Kosovën dhe viset e saj të okupuara nga Jugosllavia.
Në Lëvizjen për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi – LRSSHJ, duke qenë përkrah zhvillimeve të kohës dhe përkrah Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Zijah kontribuoi në propagandë dhe angazhime organizative për avancimin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Republikë Socialiste Shqiptare në Jugosllavi.
Gjithsesi, këtë e mendonte se duhej realizuar me luftë.
Prandaj kishte vendosur t’i furnizonte shokët në Kosovë me armë, eksplozivë dhe mjete të tjera lufte për prita, aksione dhe luftë guerile kundër pushtuesit.
Bashkë me Sami Kurteshin, shokun e veprimtarisë, u ndaluan në afërsi të Beogradit. Atyre iu gjetën shumë armë në veturën e tyre.
Po ashtu, në bastisjen e shtëpive të Shemsive, u gjetën armë të ngjashme.
U bë edhe arrestimi i tetë anëtarëve veprimtarë, pesë prej tyre ishin nga familja Shemsiu.
Kjo goditje e madhe dëmtoi Lëvizjen dhe aktivitetin e vazhdueshëm revolucionar kombëtar.
Zijah u burgos më 9 tetor 1983. Pas shumë torturave të vazhdueshme në burg, nga hetuesit në mënyrë makabre çnjerëzore, e shkatërruan fizikisht, duke ia sjellë vdekjen.
Mes datave 2–3 maj 1985, u vra në burg Heroi. Ndërsa ne e kuptuam më 5 maj 1985 që zemra e Heroit kishte pushuar së rrahuri në kthetrat e UDB-së.
Revolucionari, patrioti, trimi i paepur, i cili rezistoi deri në flijim ndaj torturave të kriminelëve shovinistë të Beogradit.
Zijah Shemsiu, duke qenë i përgatitur teorikisht, moralisht, psikikisht, idealisht dhe strategjikisht, ishte i gatshëm të organizonte luftën, të luftonte me bashkëveprimtarët për kauzën e çlirimit nga okupatori dhe që të bëhej Republika e Kosovës me viset shqiptare, të cilat pas çlirimit të bashkoheshin me Shqipërinë Socialiste dhe të bashkohej i tërë kombi shqiptar.
Zijah e mori për detyrë t’i furnizonte bashkëveprimtarët me armë nga Perëndimi.
Kështu, në marrëveshje me shokët, niset për Kosovë me veturën e tij, me disa armë luftarake të maskuara.
Por UDB-ja, siç duket, kishte pasur informata për veprimtarinë e madhe të Zijah Shemsiut.
Kur Zijah Shemsiu u nis për vendlindje në Kosovë, i ngarkuar me armatim në veturë, UDB-ja e kishte përcjellë që nga kufiri në Itali e deri në afërsi të Beogradit. Aty e ndaloi milicia e atëhershme.
E arrestuan bashkë me Sami Kurteshin në veturë, dhe u konfiskuan armët e shumta që ndodheshin në të. I mbyllën në burg në Beograd, në CZ! Gjatë hetuesisë, vazhdimisht e torturonin në mënyrat më çnjerëzore dhe të papara ndonjëherë nga njerëzimi, duke ia shkatërruar edhe trupin me metoda kriminale e gjakpirëse, vetëm që të pranonte:
Kush ia kishte dhënë këtë mision për t’i furnizuar me armë? Kujt po ia dërgonte? Kur dhe kush do t’i përdorte? Kundër kujt? Dhe pse duhej të luftonin shqiptarët?
Pse ju duhen armët? Kush janë shokët dhe njerëzit me të cilët bashkëpunoni? – duke ia kërkuar emrat e tyre.
Këto me siguri kanë qenë pyetjet që, nën tortura nga më të ndryshmet, UDB-ja kërkonte t’ia nxirrte Zijah Shemsiut.
Por trimi, që e kishte ndarë mendjen të pranonte vdekjen dhe jo të jepte përgjigje ndaj armikut, rezistoi deri në fund, derisa ia morën jetën me tortura të pamëshirshme udbashët. Por nuk mundën t’ia marrin informacionet që i duheshin atyre.
Vdiq me dinjitet.
Mbrojti shokët përballë armiqve.
I ruajti ata dhe e ruajti kontinuitetin e veprimtarisë së bashkëveprimtarëve të idealit për çlirimin e Kosovës.
Ky trim i paepur, i vrarë nën tortura, u soll në vendlindje – në Prelepnicë, në tokën e Gjilanit – kur Kosova atëherë ishte e robëruar.
Ndërsa sot, Kosovën e kemi të lirë, falë qëndresës, sakrificës dhe gjakut të tij deri në flijim, për kauzën e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.
Në varrimin e Zijah Shemsiut, megjithëse pjesëmarrja ishte masive, ishin të pakët shokët dhe shoqet, sepse survejoheshin nga UDB-ja.
Sa di unë, ishin: Afërdita (E.V.) Berisha, Vesel Doda, Ismet Halimi, Nezahate Gjata Enver … T?
dhe të tjerë që nuk njiheshin mes vete për shkak të natyrës së veprimtarisë së fshehtë (ilegale).
Në ngushëllime (të pamen) për Zijah Shemsiun, nuk mundëm të shkonim ne, shokët e idealit, sepse do të survejoheshim nga UDB-ja.
◦ Ne, Komiteti i Rrethit të OMLK-së për Suharekë, dërguam dy pleq përfaqësues dhe u solidarizuam me një ndihmë modeste për rastin e rënies së shokut tonë, idealistit dhe veprimtarit të paepur.
Për humbjen e birit të asaj familjeje, ua dërguam 2000 MD (dy mijë):
-
1300 marka
-
pjesa tjetër në dinarë,
nga shokët, për të treguar se Zija ka shokë edhe në Suharekë dhe në gjithë Kosovën.
Në atë kohë, në nivel të Kosovës dhe viseve të saj, që nga viti 1984, OMLK u ngrit në organizatë dhe formoi disa komitete nëpër rrethe.
OMLK kishte edhe organin më të lartë:
Komitetin Qendror të OMLK-së dhe fletushkën “Pararoja”, si dhe strukturat e saj organizative përcjellëse.
Sekretar politik ishte Xhabir Morina, sekretar organizativ Bashkim Mazreku, dhe anëtarë të tjerë të komitetit.
OMLK ishte avangarda, “Pararoja” e LPRK-së.
Këto nuk ishin të ndara, por OMLK i printe LPRK-së, derisa më vonë u shkri në LPK, pas ndryshimeve të sistemeve moniste në Lindje dhe në Shqipëri.
Për të mos u dekonspiruar, ne nga Suhareka dërguam përfaqësues që ishin rreth moshës 70 vjeç: Minush Bytyqi, babai i Murat dhe Hava Bytyqit. Qazim Elshani, babai i Bislim dhe Shemsije Elshanit.
Ne e ndienim si obligim moral të solidarizoheshim dhe t’u jepnim shpresë që të vazhdonin rrugën e të birit të tyre, ashtu si edhe shokët e idealit të tij.
Që të mos thyheshin dhe dorëzoheshin familjarët e të burgosurve, të likuiduarve dhe të përjashtuarve nga puna!
Të gjithë ne, si kategori e të përndjekurve, ishim solidarë mes vetes si të ishim një familje. Po ashtu, vuanim dhe ndienim dhimbje për shokët, si për familjarët!
Zijah Shemsiu ishte i organizuar në atë kohë me Kadri Zeken, Hydajet Hysenin, Agim Sulejmanin, Hasan Malen, Rexhep Malen, Nuhi Berishën, Abdulla Tahirin dhe Taip Zeken, Ahmet Isufin, Saime Isufin dhe shumë shokë të tjerë që herët ishin pjesë e GML-së të Kosovës dhe të viseve shqiptare!
Ndërsa jashtë vendit, mendoj se do të jetë takuar dhe ka bashkëpunuar me shumë veprimtarë, bashkë me bashkëveprimtarin Sami Kurteshin dhe të tjerë!
Dega jasht vendit, pasi kishte hapësirë gjysmë legale, e quajti hapur veten “LEVIZJA PËR REPUBLIKEN SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI”!
Zijah, ky Hero i pa krahasueshëm nga vlerat dhe qëndresa, me vetëdije deri në flijim, për kauzën Kombëtare për liri e bashkim Kombëtar, u vra dhe mbeti përgjithmonë Hero i Heshtur!
Pos tij, në etapat e mëhershme ishin edhe heronjtë Zenun Kepa nga Suhareka, që u vra në mënyrë mizore dhe nuk iu tregoi asgjë armiqve për Ibrahim Lutfiun dhe Levizjen “Besa”, që më vonë u bë NDSH.
Kështu, Heroi Zenun Kepa mbeti sinonim i Besës Shqiptare, se si duhej mbajtur Besa!
Po ashtu, edhe Heroi Fazli Greqevci, Hero i Flamurit, të cilit ia morën jetën në burgun e Prishtinës, me tortura mizore!
Pas vdekjes së tij në mënyrë të mizore, e sollën Dr. Ali Sokolin dhe kërkuan që të nënshkruante se kjo ishte vdekje natyrore, gjë që nuk e bëri doktori, duke i thënë: “Ju e keni vrarë në tortura!”
Më pas, UDB-ja e helmoi edhe doktorin dhe ia mori jetën.
Po ashtu, edhe Heroin Xhemajli Berisha e shkatërruan fizikisht dhe e vranë në tortura, duke e hedhur nga kati i tretë i sekretariatit në Prizren, ku UDB-ja quhej Sigurimi.
Në Prizren, kriminelët, pasi e vranë, e hodhën nga dritarja e katit të tretë dhe për ta justifikuar vdekjen, e paraqitën si vetëvrasje.
E thirrën Dr. Halil Berishën ta nënshkruante si vdekje nga vetëvrasja, por ai i tha: “Ju e keni vrarë me tortura dhe pastaj e keni hedhur nga dritarja për ta justifikuar si vetëvrasje.”
Pasi pak ditë, edhe Dr. Halil Berishën e helmuan UDB-ja.
Njësoj vepruan me këta dhe të tjerë që tani nuk po i përmendi të gjithë, përpos Heroin Fadil Vata, i cili, nga burgu i (C.Z.) në Beograd, u lëshua pas 6 viteve burgimi për vdekje të sigurtë!
Përfundimisht, ai vdiq pas një kohe të shkurtër.
Njësoj vepruan edhe me Ahmet Haxhiun (Baca) dhe shumë të tjerë, të cilët na sollën me arkivole nga Armata Jugosllave (JNA), duke e justifikuar vdekjen e tyre si vetëvrasje!
Ata që mundën, por nuk deshën të dorëzoheshin dhe ishin të sigurt për vdekjen e tyre, rezistuan heroikisht, siç ishin:
Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Afrim Zhitia, Fari Fazliu, dhe të tjerë. Këta ishin para rënësit dhe embrioni i lindjes së UÇK-së, që lindi në gjakun e këtyre heronjve në vjeshtën e vitit 1994.
Para luftës, me mijëra u vranë nëpër burgjet e pushtuesit, por u ruajt kontinuiteti i veprimtarive organizative patriotike deri në përgatitjen e luftës së UÇK-së.
Me luftë, e çliruam Kosovën, duke zbatuar idealin dhe amanetin e heronjve!
Mbetet ta vazhdojmë amanetin e dëshmorëve deri në çlirimin e të gjitha tokave tona dhe bashkimin e shqiptarëve në Shqipërinë e ribashkuar!
Jo rastësisht, vrasja e Zijas lidhet me ditën e dëshmorëve të gjithë kombit.
Lavdi dhe përulje e përjetshme pranë Heroit të pavdekshëm Zijah Shemsiu, dhe pranë të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit!
05 maj 2025
Sadik Halitjaha