Sadik Zeqiri: Reagim ndaj lirimit të Gavrilo Milosavleviq, ish-gardianit në burgun e Dubravës

Reagim ndaj lirimit të Gavrilo Milosavleviq, ish-gardianit në burgun e Dubravës: Vendimi mohon faktet dhe dëshmitë e të mbijetuarve
Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë një vendim tronditës dhe thellësisht zhgënjyes për të gjithë ata që besojnë në drejtësi dhe në vuajtjet e popullit shqiptar. Gardiani i burgut të Dubravës, Gavrilo Milosavleviq, i njohur si “Gagi”, është shpallur i pafajshëm për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Ky vendim, i cili bie ndesh me faktet, dëshmitë dhe kujtesën kolektive të një populli të tërë, është një goditje ndaj viktimave dhe një përpjekje për të fshirë një nga kapitujt më të errët të historisë sonë të afërt. Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Milosavleviqit për pjesëmarrje në krime sistematike kundër të burgosurve shqiptarë gjatë viteve 1998-1999 në burgun e Dubravës, krime të faktuara nga dëshmitarë të drejtpërdrejtë, ish-të burgosur dhe përjetues të masakrës së 22 majit 1999.
Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, “Gagi”, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të burgut, ka marrë pjesë në rrahje mizore dhe trajtim çnjerëzor të të burgosurve shqiptarë në pavijonet “B” dhe “C”. Janë mbi 700 dëshmitarë që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi për dhunën sistematike që është ushtruar në atë institucion. Madje, Milosavleviq ka dijeni të drejtpërdrejtë edhe për fatin e Ukshin Hotit, një nga figurat më të ndritura të rezistencës shqiptare, i cili u zhduk në mënyrë misterioze në prag të çlirimit.
Sot, me këtë vendim, gjykata na thotë në mënyrë të heshtur se në Dubravë nuk ka ndodhur asgjë. Që nuk ka pasur krime, nuk ka pasur masakra, nuk ka pasur dhunë, nuk ka pasur as gjenocid. Po i bie që as Aca Rakoçeviç, as Branko Komatina e asnjë gardian tjetër nuk janë fajtorë për asgjë.
Unë, si ish-i burgosur në Dubravë, që kam përjetuar atë tmerr, pyes publikisht:
Nëse Gavrilo nuk është fajtor për vrasjen e 109 të burgosurve më 22 dhe 23 maj 1999 në fushën e sportit dhe puseta, atëherë kush i vrau ata? Kush i plagosi dhjetëra të tjerë? Kush ushtronte dhunën ditë për ditë ndaj nesh?
Gjykatë e nderuar, në Dubravë ka ndodhur një krim gjenocidial, dhe kushdo që ka shërbyer atje në anën e regjimit serb, ka bashkëkryer krime kundër njerëzimit. Me këtë vendim, sot ju keni zhgënjyer thellë viktimat dhe keni hapur plagë të reja mbi plagët që ende nuk janë mbyllur.
Pa respekt për këtë vendim,
Sadik Zeqiri,
Ish-i burgosur në Dubravë

Kontrolloni gjithashtu

Faton B.Mehmetaj: Kapja e Shtetit dhe zhgënjimi i madh

Nga grusht shteti i dështuar që kishte filluar me protesta të dhunëshme kundër shtetit, trazirat …