Brickos

Sadri Sahit Çatani gjatë tërë jetës ishte luftëtar popullor i lirisë dhe i bashkimit kombëtar

Sadri Sahit Çatani gjatë tërë jetës ishte luftëtar popullor i lirisë dhe i bashkimit kombëtar

Fjala e autorit të librit, Ahmet Qeriqi, me rastin e përurimit të monografisë për Sadri Sahit Çatanit:

E nderuar familje e ngushtë dhe e gjerë e Sadri Sahit Çatanit,

Të respektuar pjesëmarrës!.

 

Fati im, që ky libër të dalë sa më i plotë në dritë, është se axhën Sadri, sikur i drejtohesha kur vinte për vizitë, apo bacin Sadri sikur i drejtohej daja im,  Mustafë Kadri Beba nga Ribari i Madh,  e kam njohur qysh në rini, dhe me të cilin jemi takuar  shumë herë.

Po ashtu duke qenë edhe vetë i burgosur politik, edhe pse asokohe jo me stazhin e tyre por të mëvonshëm të viteve 80  kohë pas kohe kam marrë edhe shënime lidhur me jetën dhe veprimtarinë e tij dhe të bashkëluftëtarëve të NDSH-së. Nga kujtimet e tij, pastaj të Mustafë Kadri Bebës, Mulla Ramë Govorit, Bajrush Zukës, Rasim Gashit vëllai i Qerim Ali Gashit nga Luzhnica, Ahmet Salih Rexhës,   e shumë të tjerëve, si dhe fakteve e dëshmive historike kam hartuar edhe fejtonin e parë për luftëtarët e NDSH-së, i cili është botuar në vitin 1996, në gazetën Bujku, në Prishtinë, në 50-vjetorin e Kongresit të Lypovicës.

Pas lirimit nga burgu, nuk e takova më Sadri Sahitin, sepse ai kishte ndërruar  jetë në tetor të vitit 1987, por kujtimet e tij,  më kanë shërbyer si burime autentike, reale dhe të rrëfyera me një stil të veçantë, gjithnjë ulur këmbëkryq  me cigaren në dorë ose në gojë, gjithnjë i çiltër, i qetë dhe  i dashur por edhe shumë i rreptë dhe i pa kompromis kundër pabesisë dhe së keqes.

Një vit më parë, kisha arritur ujdinë me bijtë e Sadi Sahiti për ta shkruar këtë monografi me mbulesën e tyre financiare.

Nuk do të flas për librin,  sepse të gjitha ato që i kam ditur, që i kam gjurmuar dhe i kam hulumtuar i kam sistemuar në këtë monografi e cila në shumë segmente është shteruese, sepse tani ka një literaturë  të begatshme për NDSH-në po ashtu janë gjallë edhe dëshmitarë, që e kanë njohur Sadri Sahitin, jetën dhe veprën e tij.

Në fjalën time dua të flas krejt pak për situatën në Kosovë dhe viset shqiptare prej vitit 1941 deri në vitin 1944, për ato vite që populli me metaforë i quan: ‘Tri ditët e Shqipnisë”. Të tilla dhe të lehta për shqiptarët kanë qenë ato tri vite, sa pjesës dërrmuese të popullatës iu kishin dukur vetëm tri ditë.

Dhe pse ndodhi kjo?

Shkëputja dhe rrëmbimi i dy të tretave të territorit etnik shqiptar nga Serbia, Mali i Zi, Bullgaria e Greqia, me ndihmën e Rusisë dhe bekimin e Evropës, kishte bërë që në viset e pushtuara të kishte filluar zhdukja sistematike fizike  e shqiptarëve, dëbimi i dhunshëm për në Turqi, rrëmbimi e konfiskimi i pasurisë, vrasjet e pandalshme dhe masakrat, që kishin pasur  për qëllim zhdukjen totale të qenies shqiptare nga të gjitha shtetet fqinje, pa dallim. Një regjim të tillë despotik, gjenocidal dhe fashist për shqiptarët në pjesën e robëruar të trojeve tona  ku nuk lejohej asnjë e drejtë themelore njerëzore  as kombëtare shqiptare, nuk kishin interes ta ruanin shqiptarët, me rastin e sulmit mbi Jugosllavinë monarkike  nga Gjermania dhe Italia.

Të kërkohej nga shqiptarët të merrnin armët dhe ta mbronin regjimin më gjakatar që kishin përjetuar gjatë historisë, do të ishte njëjtë sikur, të kishim marrë ermët në Kosovë për të luftuar kundër NATO-s e cila kishte sulmuar regjimin e Milosheviqit, me qëllim që ta mbronte popullatën shqiptare që ndodhej buzë shfarosjes. Po flasim gjithnjë në kontestin kohor, por me krahasime reale.

Është një e vërtetë e pamohueshme se Italia fashiste e më vonë edhe Gjermani e kishte okupuar pjesën sovrane të Shqipërisë, dhe atje me të drejtë llogaritej okupatore, por nuk vlen kjo formulë për trojet shqiptare që i kishin grabitur fqinjët grabitçarë, qysh prej vitit 1912.

Qeveria italo-shqiptare kishte sjellë në Kosovë,  të drejta kombëtare që shqiptarët nuk i kishin pasur kurrë. Kishte hapur rreth dy qind shkolla sa për fillim, lejohej përdorimi i flamurit kombëtar edhe pse me shpatën e liktorit, ishte instaluar administrata në gjuhë shqipe, kishte filluar komunikimi dhe tregtia  brenda shqiptare prej Sanxhakut e deri thellë në Çamëri.

Shqiptarëve u kishte sjellë edhe armë e municion me qëllim që të organizoheshin dhe të ruanin familjet dhe trojet e tyre. Shqiptarët nuk kanë pasur asnjë arsye të ruanin  apo të luftonin për të mbrojtur shtetet okupatore  të Ballkanit, të cilat  jo vetëm kishin grabitur tokat tona, por kishin shfarosur qindra mijëra shqiptarë në mënyrë masive.

Kjo është arsyeja pse shqiptarët në Shqipëri e pritën me armë Italinë, ndërsa dy vjet më vonë në Kosovë dhe në viset e robëruara nuk kishin as edhe një asnjë arsye të vetme  të luftonin kundër Italisë.

Ajo që ndodhi më vonë ishte shumë tragjike, sepse partizanët shqiptarë u mashtruan nga ata jugosllavë, që proklamonin çlirimin dhe vetëvendosjen dhe mbetën sërish nën robëri, edhe pse mijëra shqiptarë iu kishin bashkuar radhëve të çlirimtarëve dhe ishin inkuadruar në divizionet e Shqipërisë e disa çetave të Kosovës.

Në këtë konstelacion të forcave, qysh në vitin 1944  kishte filluar të konsolidohej  edhe Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, që ishte organizatë e mirëfilltë nacionaliste, e cila nuk pranonte mbetjen nën robërinë jugosllave, por nuk e pranonte as projektin e  forcave balliste, të cilat krejt hapur kishin bashkëpunuar me forcat fashiste, dhe i kishin ndihmuar ato kundër forcave partizane shqiptare.

Duhet të përkujtojmë me këtë rast se gjyqet e Jugosllavisë së kohës, luftëtarët e NDSH-së, i kishin trajtuar si ballistë, madje disa edhe i kishin bindur se kishin qenë të tillë, edhe pse në Kosovë nuk ka pasur parti të Ballit. Kjo ishte bërë  me qëllim për t’ i dënuar si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe për këtë e kishin edhe bekimin e faktorit ndërkombëtar.

Në fjalën e tij para hetuesisë, në Prishtinë, njëri ndër  ideatorët dhe  dhe kreatorët e  NDSH-së, Gjon Serreçi, më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-së në Prishtinë, i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar:

“Kam thënë se duhet të formohet Organizata, dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën me vise në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin demokratik që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….

52-vjet më vonë, në vitin 1999, ekskluzivisht me ndihmën e Amerikës dhe të Anglisë në kuadër të NATO-s dhe me forcat tona të UÇK-së që luftonim në male u çlirua edhe Kosova.

Për mendimin tim ky  ishte një parashikim  shumë realist i  Gjon Serreçit, që nuk ishte realizuar në kohën e tij,  por ishte bërë realitet 52 vjet më vonë.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …