leoni

Fatmir Graiçevci: Sadri Duhla luftoi dhe jetoi vertikalisht si luftëtar trim dhe i vendosur

Fatmir Graiçevci: Sadri Duhla luftoi dhe jetoi vertikalisht si luftëtar trim dhe i vendosur

(Fjala e Fatmir Graiçevcit me rastin e përurimit të monografisë:  Sadri Sahit Çatani, vepër e  autorit Ahmet Qeriqi)

Jemi mbledhur sot këtu për ta përuruar  librin e radhës të studiuesit, Ahmet Qeriqi, kushtuar luftëtarit të paepur të lirisë, Sadri Qatani, i mirënjohur në kujtesën popullore edhe si  Sadri Duhla. E themi i mirënjohur në popull pasi historiografia deri vonë me pa të drejt i ka anashkaluar disa personalitetet meritore të kombit, sidomos të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, e njohur si NDSH.

Libri që po promovojnë sot, duke ndriçuar jetën dhe veprën patriotike të Sadri Duhlës hedhë dritë edhe mbi personalitete tjera që jetuan, frymuan dhe vepruan me vetëmohim për realizimin e ëndrrës së gjeneratave të tëra të kombit për bërjen e Shqipërisë një dhe të vetme dhe shtrirjen e saj anekënd hapësirave të kombit autentik shqiptar ashtu sikur jetojnë popujt e lirë anekënd botës së qytetëruar. Duke qenë njohës tejet i mirë dhe i përkushtuar i personaliteteve të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare dhe duke u rritur qysh nga fëmijëria  me tregimet për bëmat e këtyre burrave të kombit e atdheut, studiuesi Ahmet Qeriqi ia ka dal ta ndriçojë edhe më shumë jetën dhe veprën e atdhetarit, Sadri Duhles, me të cilin jo rrallëherë ka biseduar për veprimtarinë e tij të shumanshme e të gjatë në shërbim të kombit e atdheut.

Nga leximi i librit dhe personaliteteve meritore të kombit të trajtuara në të, mësojmë që jeta dhe vepra patriotike e burrave të kombit, I shërbejnë dy herë atdheut, në njërën anë duke derdhur mund, djers e gjak për komb e vatan dhe në anën tjetër duke ju dhënë shembull gjeneratave të ardhshme se si duhet angazhuar për  atdhe.

I tillë kishte qene tribuni i popullit, Ramë Bllaca, jeta dhe vepra e të cilit kishin lënë gjurmë të pashlyeshme te luftëtari popullor, Sadri Duhla. I lindur dhe brumosur në një familje dhe rajon të shquar për veprimtari atdhetare, edhe ai do ta vijoj rrugën e mijëra dëshmorëve të kombit. Ai si i ri ishte revoltuar me vuajtjet e jashtëzakonshme të popullit shqiptar gjatë sundimit të Kosovës  nga mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene gjatë së cilës populli shqiptar përballej me vrasje, shpronësime e dëbime masive. Të përballur me një dhunë dhe presion të paparë dhe të mirë organizuar që kishte për synim de shqiptarizimin e trojeve shqiptare që me bekimin e Evropës së atëhershme kishin mbetur nën pushtimin sllav, kapitullimi i Jugosllavisë në fillim të Luftës së Dytë Botërore ishte tejet e mirëseardhur për popullin shqiptar të mbetur jashtë Shqipërisë londineze. Autori, Ahmet Qeriqi, në librin kushtuar jetës patriotike të luftëtarit popullor, Sadri Sahiti ka sqaruar se nuk ishte i njëjtë pushtimi i trojeve shqiptare nga Italia fashiste në Shqipëri dhe në Kosovë. Derisa në Shqipëri me të drejt forcat italo-gjermane ishin perceptuar dhe trajtuar si forca pushtuese, në Kosovën që po përballej me vrasje, dëbime e presione që kishin për qëllim de shqiptarizimin e trojeve shqiptare të mbetura nën sundimin e mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, disfata e kësaj mbretërie ishte tejet e mirëseardhur për kombin shqiptar ani pse ishin të vetëdijshëm se ishin të pushtuara por tanimë nuk rrezikohej qenia kombëtare. Të ndodhur në rrethana të tilla, qindra mijëra patriotë, kishin filluar t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësit për mirëqenie e zhvillim kombëtar. Me qëllim të bashkërendimit më të mirë të aktiviteteve, një elitë vizionare krijojnë Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, rreth së cilës ishin mbledhur atdhetarë të dëshmuar anekënd Kosovës. Këtyre pa asnjë hezitim ju kishte bashkangjitur edhe luftëtari popullor, Sadri Duhla, qoftë duke dhënë kontribut për krijim e kushteve për arsimimin e gjeneratave të reja qoftë duke motivuar të tjerët për arsimim. Krahas kësaj, ai angazhohet edhe për ofrimin e sigurisë pasi bandat serbe kishin filluar të operonin tinëzisht anekënd Kosovës duke vrarë burra, e djem e duke rrëmbyer gra e vajza të reja.

Syqeltësia, angazhimi dhe trimëria e tij ishte halë në sy për armiqtë dhe bashkëpunëtoret e tyre të cilët zhvillonin luftë të pa kompromis kundër popullit shqiptar në përgjithësi e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare në veçanti. Jo  rrallëherë, luftëtari popullor, Sadri Duhla kishte luftuar me bashkëluftëtar kundër tyre me vetëmohim, sikur ishte rasti në luftën mbi  fshatin Bilushë, luftë e cila kishte zgjatur për shumë orë me radhë e ku merr plagë të rënda, mandej në Kullën  e Qerim Ali Gashit në Luzhnicë e në shumë vend beteja të tjera. Në të gjitha betejat, luftëtari popullor del faqebardhë dhe bëhet shembull se si duhet luftuar për komb e vatan.

I ndodhur në rrethana të tilla dhe duke u përndjekur këmba këmbës nga armiqtë e përbetuar të kombit shqiptar dhe besnikët e tyre shqipfolës si dhe me qëllim për të mos i dhënë më pretekst regjimit të Titos për t’ia trotuar familjen, farefisin dhe ata që po i ofronin ndihmë e strehim, luftëtari popullor, Sadri Duhla, pranon ballafaqimin me UDB-në dhe burgun që e priste. Ishte ky shpirt liridashës  i cili nuk ishte thyer as nga torturat e vuajtjet e shumta por kishte vazhduar të hapëroi shtigjeve të lirisë duke mbajte gjallë ëndrrën për luftë çlirimtare. Ndonëse luftëtarit popullor  Sadri Duhla nuk iu ndalën për asnjë moment padrejtësitë, duke ia marrë të gjitha të drejtat qytetare, duke e izoluar e marrë pasuritë, ai vazhdoi të qëndrojë vertikalisht pa u përkulur për asnjë moment përball asnjë furtune deri në frymën e fundit. Jeta dhe vepra e tij patriotike, kishte frymëzuar gjenerata te reja se si duhet angazhuar për komb e atdhe. Luftëtari popullor Sadri Duhla, ajrin e zhuritur të Kosovës e thith në tetor të vitit 1987 dhe vetëm një dekadë më pas, të frymëzuar nga jeta dhe vepra e luftëtarëve shembullor, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të zhvillojnë betejën e parë kundër forcave të shumta pushtuese serbe të cilat do t’i detyrojnë të ikin të tmerruar nga fusha e betejës dhe do t’i ngjallin shpresat anekënd kombit se Kosova ka dal zotësen e saj. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës  ishte jetësimi i amanetit të qindra mijëra dëshmorëve të kombit për vazhdimin e luftës çlirimtare deri në çlirim.

Studiuesi, Ahmet Qeriqi, në përgatitjen e librit “ Sadri Sahit Catani” është bazuar në literaturë të bollshme dhe të besueshme përfshirë libra studimore për jetën dhe veprën e luftëtarëve të NDSH-së, në intervista të pjesëtarëve të NDSH-së, dhe bashkëpunëtorëve  luftëtareve popullor, Sadri Duhla jeta dhe vepra e të cilit u bë frymëzim se dihet angazhuar e luftuar për komb e atdhe për të gjitha gjeneratat.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …