Brickos

Sali ONUZI: Shqipëria dhe Malësia e Madhe nderojnë 277 Dëshmorët e Atdheut të Kryengritjes së vitit 1911
Shoku Gjergji Velo duke shperndare statuse te Deshmorit te Atdheut

Sali ONUZI: Shqipëria dhe Malësia e Madhe nderojnë 277 Dëshmorët e Atdheut të Kryengritjes së vitit 1911

Sali Onuzi
Sali Onuzi

Me 27 prill paradite në një resort të bukur ,“ Hysaj “, mu në bregun lindor të Liqenit të Shkodrës u zhvillua ceremonia e dhënies së statusit “ Dëshmor i Atdheut”, 277 të rënëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe kundër forcave pushtuese osmane.

Në këtë ceremoni mori pjesë Kryetari i Organizatës Kombëtare për Dëshmoret e Atdheut ,shoku Gjergji Velo,dhe autoritetet vendore,kryetari i keshillit te qarkut te Shkodres Z. Ilmi Lakti,prefektja e Qarkut Znj.Majlinda Angoni dhe i dërguari i Ministrisë së Mbrojtjes z. Behar Salillari. Në Ceremoni morën pjesë familjarë të Dëshmorëve ,qytetarë nga Malësia e Madhe dhe Shkodra,përfaqësues të Organizatave për Dëshmorët e Atdheut nga disa rrethe të vendit si shoqja Marie Bardhok Biba,nga Mirdita ,shoqja Dhurata Tyli, nga Shkodra ,shoku Sefer Duka nga Mati etj.
Ceremoninë e hapi kryetari i Bashkise së Malësisë së Madhe zt.Tonin Marinaj,që vlerësoi lart veprën e burrave e të grave të Malësisë në Kryengritjen e vitit 1911,dhe në veçanti të atyre që dhanë jetën në luftimet e zhvilluara.Mes tjerëve ai shprehu kenaqësinë e tij edhe për faktin se statusin e lartë të Dëshmorit të Atdheut e merrte edhe gjyshi i tij..
Pastaj përshendetën ,vec autoriteteve të lartpërmendur , Shoku Gjergji Velo, i cili vlerësoi lart trimërinë dhe sakrificat e trimave të Malësise së Madhe, që i quajti “ trima me fletë”,falenderoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Komisionin Qëndror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut që miratoi statuset përkatës. Ai falënderoi në veçanti shokun Shaqir Vukaj, anëtar i Komisionit Qëndror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut dhe nënkryetar i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e Atdheut dhe gjithë institucionet dhe individët që u përfshinë në këtë veprimtari hulumuese ,kërkuese ,historike ,atdhetare dhe juridike.
Në fjalën e tij shoku Shaqir Vukaj tregoi se ishte bërë një punë kolosale për të kërkuar e paraqitur para autoriteve vendore e Komisionit Qëndror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut fakte e argumente për qëndresën dhe rënien heroike të 277 djemëve dhe burrave të Malësisë që ranë duke luftuar në kryengritjen antiosmane të vitit 1911 ,që ngritën lart në majën e Bratilës me 6 prill 1911 flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare.
Në këtë veprimtari e morën fjalën dhe historiani Ndue Bacaj, studiusi Mark Vuçaj,Xhemal Brahja ,kryetar i Shoqatës kulturore atdhetare “ Sofra e Malësisë së Madhe” me qendër në Tiranë, krijues i mirënjohur Kadri Ujka etj. Në takim foli dhe përshëndeti edhe Vasel Berisha nga Komuna e Tuzit të Malit të Zi.
Pastaj me një solemnitet të veçantë , nën jehonën e tingujve të Lahutës , autoritetet vendore ndanë për familjarët e Dëshmorëve të shpallur dokumentet përkatëse, Certifikatën e firmosur e vulosur nga Ministria e Mbrojtjes dhe flamurin ” Familje e Dëshmorit të Atdheut”, për çdo rast.
Mirënjohjen e lartë dhe reagimin e Bashkisë e të opinionit shoqëror mund ta shohim në statusin e Bashkisë në facebook: “Sot trevës sonë iu bë një nder i madh, sepse gjaku i 277 të rënëve në kryengritjen e Malësisë së Madhe ,1911 nuk u harrua, nuk u tret, nuk u tjetërsua, por me shpalljen “Dëshmorë të Atdheut” të këtyre djemve dhe burrave malësorë , e gjithë Shqipëria nderon dhe lartëson sakrificën e bijve tanë.!”
Kryengritja e vitit 1911 e Malësisë së Madhe u zhvillua nga 24 marsi deri më 2 gusht të atij viti.Ajo filloi me veprimet e armatosura të malësorëve të Hotit të udhëhequr nga Ded Gjo Luli, nga Gjek Marash Gjeloshi etj kundër fortifikatës së ushtrisë osmane në Rrapsh,, në Grudë, në Kelmend e në Kastrat.Kudo në këtë fazë çetat e krungritësve ishin në sulm.Posta e Rrapshës me 30 ushtarë turq u u sulmua dhe u muar nga 18 malësorë që kishin vetëm 7 pushkë.Kështu edhe posta e Traboinit.Në gjithë Malësinë e Madhe ishin ngritur rreth 3000 kryengritës.Me 28 mars ata çliruan qytezën e Tuzit.Me 30 mars sulmuan Koplikun, por për mungesë armësh e municionesh u tërhoqën.” Do të kishim marrë Shkodrën,” pat shkruar Luigj Gurakuqi.Por ndërkohë kishin arritur të çlironin gjithë Malësinë e Madhe. (HAUSH. V.2,f.340)
Më 30 mars në Cetinë udhëhqësit e kryengritjes miratuan një momerandum për Fuqitë e Mëdha.Kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare që në thelbin e tyre ishin autonomiste.
Me 6 prill 1911 u zhvilluan përleshje të përgjakëshme kundër forcave turke prej Tuzi e në Kastrat. Kulmi i tyre arriti në majën e Deçiçit ku 350 ushtarë turq u sulmuan nga 80 malësorë,gjysma e të cilëve ishte e paarmatosur,por ia dolën të asgjësonin 30 ushtarë turq,.Atë ditë mbërritën në fushën e luftimit edhe 7 malësorë shqiptarë,te “çetes se Flamurit”.( sipas Prenk Ulit) Çetës i printe Dek Preçi me Flamur në dorë.Mbas tij shkonin dy vëllezër binjakë : Tom Uçi dhe Kol Uçi, mandej vinin më rradhë Gjeto Gjeka, Marash Luca, Kol Doda, Gjeto Toma e Prel Gjeka. Të gjithë të vendosur për të ngritur Flamurin e Shqipërisë, Flamurin e Skënderbeut në Deçic.Jo shumë larg llogoreve turke mjegulla filloi të shpërndahej dhe trimat u diktuan nga armiku, që i qëllonte papushim. Po binin njëri pas tjetrit.Sulmuesit malësorë të frymëzuar nga akti i flamurmbajtësve kërcyen në llogoret turke dhe u përleshën me to fyt a fyt. Turqit u terhoqën dhe disa u dorëzuan. Prel Gjeka, që kish mbetë i fundit nga çeta e Flamurit ,kërceu si shqipe mali dhe e nguli Flamurin e Shqipërisë brenda në llogoren turke.Po një breshëri pumbash e shtrinë për tokë nën hijen e tij.Flamurin e ngritur mbi kalanë e Deçiçit e kish qëndisur shkodranja Bernardina Marubi. Ky heroizëm është fiksuar si në tregimet e bashkëluftëtarëve , në këngët e popullit dhe në Historinë e Shqipërisë , Vëllimi II i Akademisë së Shkencave te RPSSH,f.452 dhe Halil Katana” Flamuri ynë”. Tiranë, 2005. f.17-19.
Shoku Shaqir Vukaj duke folur ne kete veprimtari
Gjatë tri javëve rresht xhonturqit nuk mundën jo vetëm t’i nënshtronin malësorët, por as të lidheshin me garnizonin e rrethuar të Tuzit dhe as të përforcoheshin në Deçiç.
Me 17 prill zbarkoi në Shëngjin gjenerali turk Shefqet Turgut Pasha me 8 batalione, me 5000 ushtarë, dy bateri malore,,një divizion mitralier, 800 kuaj dhe 10 mijë pushkë e materiale të shumta luftarake.Më 18 prill ato hynë në Shkodër. Por kryengritësit , në rradhët e të cilëve luftonte edhe Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi etj, nuk i ndalën sulmet. Me 1 maj ata shpallën edhe një proklamatë të shkruar në disa gjuhë europiane ku parashtruan edhe njëherë programin e tyre autonomist.
Në ditët e para të prillit e në vazhdim kryengritësit u kthyen në luftime mbrojtëse.Gjatë prillit dhe gjysmës së parë të majit forcat turke ishin shtuar shumë, me 48 batalione këmbësorie me një efektiv prej 30 mijë vetësh.Me 4 divizione turqit rrethuan gjithë Malësinë e Madhe dhe i detyruan kryengritësit të zhvillonin luftime mbrojtëse në rrethim.Ushtria turke organizoi e zhvilloi tri goditje bashkëqëndrore me objektiv asgjësimin e kryengritësve , djegëjen e shtëpive të tyre dhe shkatërrimin e kishave.Po edhe në këtë fazë të dytë kryengritësit ,mbështetur në pozita kyçe të terrenit , bënë një qëndresë tepër këmbëngulëse e të përgjakëshme.Luftimet hynë në fazën e tyre vendimtare.
Në fillim të qershorit kryngritësit u detyruan të tërhiqeshin për të ngushtuar rajonin e mbrojtjes së tyre.Me 23 qershor u mblodh në pllajën e Greçës Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili miratoi dokumentin më të rëndësishëm të kryengritjes, “Momerandumin e Greçës” , i hartuar nga Ismail Qemmali e Luigj Gurakuqi. Kryengritja e shqiptarëve të Veriut u pajis kështu me një program kombëtar për autonominë e Shqipërisë .Ndonëse me vonesë edhe në Jug të Shqipërisë çeta të kryengritëse u hodhën në sulm kundër disa prej garnizoneve osmane.
Por kryengritja për disa shkaqe tanimë të njohura,nuk u kthye dot në një kryengritje të përgjithëshme ,prandaj prej mesit të qershorit dhe fundi i korrikut luftimet erdhën duke rënë.Në ditët e para të gushtit të dy palët arritën një marrëveshje armëpushimi.
Vetë Turgut Pasha detyrohej të pranonte se “ çdo ditë janë bërë përpjekje të ashpra e të vazhdueshme dhe kryngritësit i kanë dalë zot çdo shkëmbi,çdo shtëpie dhe e kanë lënë vendin ( të shkelet) vetëm duke dhënë jetën” ( Histori e Shqipërisë,v.II,botim 1984,f454.)
Në këtë luftë të pabarabartë shqiptarët e Malësisë së Madhe lanë në fushën e betejës 277 të rënë.( të identifikuar deri më sot) që i bie 6.8.% të efektivit në një periudhë prej 98 ditë luftimesh. ( nga 26 prill deri me 2 gusht 1911) Shënojmë se në Luftën ANÇ i bie të jenë vrarë 15,1 % e efektivit dhe koeficienti i rënies ,në LANÇ është 8,7 partizanë ( ushtarë e vullnetarë) në dite .( Në të dy rastet nuk janë llogaritur të vdekurit nga uria ose të internuarit etj.)Koeficienti i të rënëve në Kryengritjen e Malësisë së Madhe është, sipas mendimit tim, edhe një tregues i aftësive luftarake ,i shfytëzimit mjeshtëror të terrenit alpin dhe i të luftuarit në mbrojtje në pjesën më të madhe të kohës.
Kërkimet për veprimtarinë luftarake të tyre,dokumentet e paraqitura dhe miratimi i tyre janë bërë me seriozitetin që kërkon ligji i statusit të Dëshmorit të Atdheut.Tani pas 112 vjetësh ka hyrë në jetë brezi i katërt i tyre,nipat dhe mbesat, stërnipat e stërmbesat e tyre.Por gëzimi i madh i tyre për vlerësimin e veprës së gjyshërve të tyre ishte i dukshëm bashkë me kranarinë e një “ familje Dëshmori të Atdheut” !
Lavdi veprës së tyre të pavdekshme !
Zoti Tonin Marinaj, kryetar i Bashkise se Malesise se Madhe duke shperndare statuse t Deshmorit te Atdheut.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …