Kuvendi Komunal i Skenderajt zhvilloi sot mbledhjen inauguruese, ku kryetari i zgjedhur më 12 tetor, Sami Lushtaku, dha betimin dhe mori zyrtarisht drejtimin e komunës. Ceremonia u mbajt në një atmosferë solemne, me pjesëmarrjen e asamblistëve, zyrtarëve komunalë dhe qytetarëve të ftuar. Në fjalën e tij pas betimit, Lushtaku u zotua se do të punojë me përkushtim dhe paanshmëri, duke respektuar ligjin dhe duke vendosur interesin e qytetarëve në qendër të vendimmarrjes. Ai theksoi se prioritet i tij do të jetë krijimi i kushteve për një jetë të qetë, të sigurt dhe më cilësore për të gjithë banorët e Skenderajt. “Betohem që do t’i kryej detyrat dhe t’i ushtroj kompetencat e mia, si kryetar i Skenderajt, me nder, besnikëri dhe në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin, në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë për të gjithë”, tha Lushtaku. Me kërkesën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe unitet brenda kuvendit, ai paralajmëroi se puna e tij do të fokusohet në zhvillimin lokal, përmirësimin e infrastrukturës, mbështetjen e arsimit, rininë dhe mirëqenien sociale. Me dhënien e betimit, Sami Lushtaku ka nisur zyrtarisht mandatin e tij të ri si kryetar i Komunës së Skenderajt.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
