Në zgjedhjet lokale të këtij viti, disa kryetarë komunash kanë siguruar mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët, duke fituar me përqindje të larta votash në komunat e tyre përkatëse. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetari me përqindjen më të lartë të votave në nivel vendi është Sami Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka fituar bindshëm në Komunën e Skenderajt me 83.45% të votave. Pas tij renditet Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me 58.78% të votave në Istog, ndërsa Agim Aliu i PDK-së në Ferizaj siguroi 56.47%, duke u pozicionuar në vendin e tretë. Në vijim, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi 53.42% të votave në Podujevë, ndërsa menjëherë pas tij renditet Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate, me 53.41% në Malishevë. Gjithashtu, Ramiz Lladrovci, kandidat i pavarur në Drenas, fitoi me 52.32%, ndërsa Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) siguroi 51.57% në Deçan. sKëto rezultate dëshmojnë një garë të qetë, por të diferencuar politikisht, ku disa figura lokale kanë konsoliduar besimin qytetar me mbështetje të theksuar në komunat që udhëheqin.
