Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka akuzuar hapur qeverinë në detyrë të Albin Kurtit për shantazhe, kërcënime dhe linçime politike. Ai tha se për herë të parë që nga viti 2003, është ballafaquar me një qeveri që, sipas tij, refuzon çdo formë dialogu me pushtetin lokal. “Më kanë akuzuar, më kanë linçuar, më kanë shantazhuar e kërcënuar – dhe këto të gjitha vetëm nga politikanët e kësaj qeverie. Me qeveritë e kaluara, kur kemi pasur probleme, jemi ulur, kemi diskutuar dhe kemi gjetur zgjidhje. Por kjo është e vetmja qeveri, i vetmi kryeministër pas luftës, që nuk e ka takuar bordin e Asociacionit të Komunave,” tha Ibrahimi. Ai shtoi se edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ka refuzuar takimet me përfaqësuesit e komunave, duke thelluar hendekun mes nivelit qendror dhe atij lokal. Deklarata e Ibrahimit ngre pikëpyetje serioze mbi raportin e Qeverisë me komunat, veçanërisht në një kohë kur bashkëpunimi institucional është thelbësor për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për funksionimin demokratik të vendit.
