Selam Shkodra: Shqiptarët nuk mund të qëndrojnë heshtur lidhur me zhvillimet në Turqi

Selam Shkodra: Shqiptarët nuk mund të qëndrojnë heshtur lidhur me zhvillimet në Turqi

Që nga nata e gjatë dhe dinamike e 15 korrikut kemi pasur rastin të dëgjojmë e të lexojmë mendime, pikëpamje, analiza, qëndrime, opinione e deri në debate të ashpra me shprehje raciste e me fjalor i cili nxit urrejtje e përçarje jo veç ndaj palëve në konflikt në Turqi, po edhe në vetë shoqërinë e Kosovës. Gjuha helmuese e atyre që debatuan për çështjen e grusht-shtetit në Turqi ishte e përmasave të asaj që njëra-tjetrës palë i thoshin se duhet zhvendosur për të jetuar në vende të tjera, e rëndë e panevojshme! I gjithë debati u ndez nga një grup i gazetarëve të medieve të ndryshme në Kosovë natën e 15 korrikut ku shumë nga ta filluan të mbanin anë në çastet e para të fillimit të asaj katrahure e cila po e përfshinte shtetin aleat, Turqinë, disa filluan edhe me komente dhe qëndrime nga më banalet duke sharë dhe fyer presidentin Erdogan dhe duke i dhënë mbështetje një tentative të “grusht-shtetit” nga një grup i vogël i ushtrisë turke e që në atë kohë nuk dihej kush qëndronte prapa këtij grusht-shteti! Mirëpo shpejt u tha se janë ithtarë besnikë të lëvizjes së klerikut Fetullah Gylenit, dikur ish-aleat i presidentit Erdogan, e që po flitej se ka pas raste ku janë paguar gazeta të ndryshme në funksion të propagandës së “grusht-shtetit”.

Përpjekja për “grusht-shtet”, e udhëhequr nga gjenerali Akin Ozturk, një ish-komandant i forcave ajrore, i cili synonte të vetëshpallej shefi i ri i shtabit. Arsyet e këtij synimi mund të kenë qenë edhe fraksioniste me qëllim të kapjes së pozitës më të lartë ku do ta bënte më të lehtë edhe një “grusht-shtet” si ky i tanishmi që mbeti në tentativë. Me të janë gjenerali Metin Iyidil, përgjegjës për trajnimin e forcave tokësore në Ankara, komandanti i armatës së tretë dhe gjenerali Adem Huduti, përgjegjës për Korpusin e Dytë, nga i cili varen komplet ofensivat tokësore të ndonjë beteje të mundshme në mes të Turqisë dhe ndonjë grupi terrorist siç është PKK apo edhe ISS, mirëpo organizatorët e “grusht-shtetit” nuk arritën ta fusin në dorë pozitën e synuar nga gjenerali Akin Ozturk, pozitë kjo e shefit të shtabit, ndërsa mungesa e mbështetjes nga ana e shefit të shtabit, Hulusi Akar, zëvendësit të tij, gjeneralit Yasar Guler dhe komandantëve të forcave ajrore të ushtrisë, marinës dhe xhandarmërisë, të gjithë këta besnikë të rendit kushtetues dhe, po ashtu, besnik ndaj qeverisë, bëri që grushti i shtetit të mos ishte i suksesshëm, pasi edhe revolta qytetare e cila shpërtheu me të marrë vesh veprimet e ushtarakëve dhe pas thirrjes së bërë nga presidenti Erdogan, bëri që të dështonte tentativa mirë e organizuar nga elemente brenda dhe jashtë Turqisë. Kam lexuar se ajo që e bëri edhe më pak efikas rebelimin është mungesa e një komande të unifikuar, si dhe mungesa e mbështetjes brenda forcave tokësore. Pikërisht për këtë arsye, komplotistët vendosin ta shfrytëzojnë momentin kur Erdogani ndodhet për pushime në “Grand Yazici Club Turban”, një hotel në periferi të Marmarisit, në Detin Egje. Pak para orës 21:00 të së premtes – derisa një grup puçistësh marrin peng shefin e shtabit Akared, dhe zëvendësin e tij Guler, duke i mbyllur në një bazë ajrore në afërsi të Ankarasë – 40 pjesëtarë nga radhët e forcave speciale dërgohen në Marmarisi, në bordin e tre helikopterëve, me urdhrin për të kapur, ose vrarë presidentin, mirëpo falë shkathtësisë së treguar dhe falë teknologjisë së avancuar e të shfrytëzuar me mjaft shpejtësi nga presidenti Erdogan fillon edhe dështimi i planit për “grusht-shtet”.

“Shqetësim” për arrestimet dhe dhunën e ushtruar në procedurë

 Në mediet vendore turke dhe ato ndërkombëtare janë shfaqur imazhe të ndryshme të personave të arrestuar ku shumë nga to kanë sjellë edhe reagime të ndryshme si nga qeveritë, po ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtarë, mirëpo ditët e fundit ka pasur edhe lajme të cilat kanë demantuar lajmet dhe imazhet të cilat i janë prezantuar opinionit vendor dhe ndërkombëtar se gjoja janë imazhe të ngjarjeve në Turqi e, në fakt, kanë rezultuar që s’kanë pasur të bëjnë asgjë me të vërtetën e trajtimit të të arrestuarve. Mirëpo, ka pasur edhe të atilla të cilat kanë dalë si të vërteta.

Shqetësim lidhur me arrestimet dhe shkarkimet e mijëra njerëzve në Turqi, të cilët janë të dyshuar për përfshirje në përpjekjen e dështuar për puç. Shqetësimet për mënyrën e trajtimit të të arrestuarve Qeveria e Ankarasë duhet t’i marrë me shumë seriozitet, veçanërisht reagimet të cilat i bëjnë apel Qeverisë turke që të mos lejojë që, edhe përkundër “hetimeve lidhur me autorët e puçit…, të mos ketë shkelje të drejtave të njeriut dhe të mos ketë metoda të cilat mund të bëjnë që strukturat e sigurisë të rrëshqasin në situatë kur të arrestuarit të torturohen. Moslejimi i kësaj bën që opinioni vendor dhe ndërkombëtar ta riformojë besimin publik në institucione demokratike dhe sundim të ligjit” si dhe respektim të të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit Qeverisë turke, pavarësisht situatës në të cilën ka kaluar dhe po kalon, assesi nuk duhet të lejojë që të vihet në dyshim shteti i së drejtës, sepse vetëm kjo e bën legjitime vazhdimin e një qeverie të tillë pas situatës së krijuar pavarësisht mbështetjes popullore në rast të lejimit të cenimit të shtetit ligjor dhe të së drejtës çdo qeveri do ta humbte legjitimitetin përkundër legalitetit të cilën e ka nga zgjedhjet e kaluara dhe të rikonfirmuar me mbështetjen masive në parandalimin e më të keqes në natën e 15 korrikut. Deri më tash nuk ka pasur organizata ndërkombëtare që kanë konstatuar shkelje të drejtave të njeriut, edhe pse kanë mundur të ndodhin.

Lëvizja Gylen (Hizmet) dhe ftohja me Erdoganin

Hizmeti është lëvizje që i jep një theks të veçantë vullnetarizmit dhe edukimit përmes rrjetit të madh të instituteve arsimore të themeluara jo vetëm në Turqi, por në shumë vende, duke përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë. Angazhimi i kësaj lëvizje në dekada me radhë ka qenë që në Turqi duhet të vijë në pushtet dhe të qeverisë një parti konservatore me orientim islamik. Ndihmesa e lëvizjes “Hyzmet” për ardhjen në pushtet në vitin 2002 të AKP-së është evidente, mirëpo zëra të ndryshëm flasin se me ardhjen në pushtet të AKP-së konsiderohej se është arritur synimi i kësaj lëvizje dhe rrjedhimisht do të duhej pushuar aktivitetin apo do të duhej shkrirë në kuadër të AKP-së.

Ftohja e bashkëpunimit mes Erdoganit dhe Hizmetit mendohet se nisi pas incidentit në detin Mesdhe, ku ushtria izraelite, gjatë një sulmi në anijen e ndihmave “Mavi Marmara”, vrau shtatë shtetas turq dhe një amerikan. Gylen e kritikoi iniciativën humanitare që synonte thyerjen e bllokadës në Rripin e Gazës, duke e cilësuar si një provokim ndaj shtetit të Izraelit. Kjo qasje ishte në disakordance me qëndrimin e Erdoganit, i cili prej kohësh, i përfshirë në mbështetje të kauzës së palestinezëve në Gaza, i cili e konsideroi sulmin si “gabim historik” dhe provokim të hapur ndaj Turqisë dhe me pasoja të rënda për marrëdhëniet e dy vendeve. Por, nuk është vetëm politika e jashtme fusha ku ndahen dy ish-aleatët: një rivalitet në sferat e pushtetit ka kohë që ka marrë formë kur njihet ndikimi gjithnjë në rritje që ka Hizmeti në aparatin e gjerë shtetëror.

Rrjeti i madh i shkollave i kësaj lëvizje të cilat kanë indoktrinuar breza e breza me dhjetëra e mijëra të cilat kanë kaluar nëpër këto shkolla mori përmasat e një shteti paralel të cilët në verën e vitit 2012 filluan edhe celulat e para të një “puçi” dhe pikërisht në këtë sferë ndodhi edhe përplasja publike mes ish-aleatëve; AKP vendosi ta këpusë këtë lidhje, duke ndier përherë e më tepër në kurriz peshën e një aleati që me zgjerimin e ndikimit të tij, bëhej më i rëndë në sfidat dhe objektivat e ardhshëm politikë. Në verën e këtij viti shpërthyen polemikat në opinionin publik mes ish-aleatëve rreth projektligjit që parashikonte mbylljen e instituteve përgatitore parauniversitare, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë nën kontrollin e Hizmetit. Ndërkohë, nëse kësaj here Erdogani do të korrë sukses, duke e stabilizuar vendin dhe duke mos lejuar të ketë hakmarrje në kundërshtim me ligjin, lëvizja Hizmet dhe modeli i saj i aplikuar i Islamit do të pësojë rënie për t’u futur në analet e historisë si një lëvizje puçiste dhe qëllimkeqe.

Reformat ekonomike dhe roli i presidentëve Ozal & Erdogan

Presidenti i ndjerë Turgut Ozal, një nga personalitetet më të spikatura politike në historinë më të re të Turiqsë pas Ataturkut, la gjurmë të rëndësishme gjatë viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90 të shekullit XX. Lëvizjet e tij radikale, të guximshme dhe largpamëse, ndikuan në ndryshimet, si në politikën e brenda vendit, sidomos në politikën ekonomike, ashtu edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të Turqisë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Ozal I ndërmori disa iniciativa të rëndësishme, midis të cilave, nga fundi i tetëdhjetave, u dallua e ashtuquajtura iniciativa e Detit të Zi (BSEC. Ozal i propozoi afrimin e të gjitha vendeve të regjionit të Detit të Zi për zgjerimin e themelimin e marrëdhënieve ekonomike, zhvillimin e projekteve të përbashkëta shkencore e teknike, kontrollimin e ndotjeve, zhvillimin e turizmit dhe përvojës kulturore). Transformimi dhe zhvillimi i hovshëm ekonomik i Turqisë pa dyshim se i ka rrënjët në reformat e ndërmarra nga ish-presidenti OZAL, mirëpo presidenti Erdogan, si një lider tipik karizmatik, shumë prej sukseseve ekonomike dhe politike të Turqisë janë të pandashme nga personaliteti i tij. Pas reformave kushtetuese dhe iniciativave të ndërmarra në rrafshin ekonomik të cilat kanë bërë që Turqia të ketë rritje të hovshme ekonomike nga ardhja në pushtet e AKP-së, është i pranishëm kudo në Ballkanin Perëndimor një imazh pozitiv i Turqisë, duke përfshirë Bosnjën e Hercegovinën. Bazuar në monitorimin e vitit 2010 në shtetin e Gallupit për Ballkanin, vetëm 40 % e popullsisë së këtij shteti e konsideron Turqinë si një “vend miqësor”. Kjo shifër korrespondon pak a shumë me numrin e boshnjakëve (në krahasim shifrat që korrespondojnë në shtetet e tjera janë si në: Serbi 15 %, Kroaci 24 %, Shqipëri 73 %, Kosovë 85 %, Republika e Maqedonisë 80 %. Ndërsa është koha e gjatë e AKP-së në pushtet, që natyrshëm sjell konsumimin e cilësdo force politike që qeveris më tepër se një dekadë kritikët kanë sulmuar pikërisht presidentin Erdogan për jetëgjatësinë e tij në pushtet duke pretenduar se janë rritur tendencat autoritare.

Për kritikët aktivë të Turqisë në Ballkan

Për kritikët aktivë turk në Ballkanin Perëndimor, mospajtimet më evidente në politikën e Ankarasë janë mbështetja për shkëputjen (ndarjen) e shqiptarëve të Kosovës. Në të vërtetë, Ankara ka qenë një promotor i fuqishëm (dhe një pjesëmarrës entuziast i bombardimeve të NATO-s në Serbi në vitin 1999) pavarësisht se ishin të goditur nga një problem i ngjashëm i shkëputjes me minoritetin e saj kurd. Ballkani ka qenë në një pozitë që ndikohej më shumë nga ekuilibrat globale sesa nga ato zonale. Një nga rezultatet më të rëndësishme të periudhës pas Luftës së Ftohtë, se dinamikat e brendshme të zonës dhe struktura e saj e komplikuar etniko-fetare hyn në veprim në atë mënyrë që ndikon drejtpërdrejt mbi politikat zonale. Kjo situatë krijoi një fushë të re ndikueshmërie midis strategjive globale të fuqive të mëdha dhe politikave të përmasave zonale – fuqive zonale. Me copëtimin e Jugosllavisë e cila gjatë periudhës së Luftës së Ftoftë, veçanërisht në periudhën e Titos, tregonte kujdes për të mbetur jashtë fushës së ndikimit të BRSS-së dhe në këtë kuptim ishte bërë një element origjinal ekuilibri, për sa u përket politikave globale dhe zonale, ndërsa Serbia u orientua për politikë me bosht Rusinë. Bullgaria dhe Rumania që vepronin si satelit të zonës për BRSS-në, iu hynë përpjekjeve për të formuar një politikë më të pavarur. Gjatë Luftës së Ftohtë, Greqia e cila u përpoq të ndiqte politika ekuilibruese me Jugosllavinë meqë merrte pjesë në Bllokun e perëndimit, pas Luftës së Ftohtë u afrua me Serbinë dhe u përpoq të zhvillonte me këtë vend politika mbështetur në kontrollin përbashkët të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Sllovenia dhe Kroacia që u shkëputën nga Jugosllavia, duke u larguar nga qenie si vende Ballkanike hyjnë në rrugën për t’u bërë vende të Evropës së mesme dhe Adriatikut që u afroheshin Italisë dhe Gjermanisë dhe në këtë kuptim u orientuan për një pozitë të ngjashme më Austrinë dhe Hungarinë. Me avantazhin që i sillte Danubi, Rumania filloi të zhvilloj një politikë jo më shumë ballkanase drejtuar nga jugu, se sa të tillë që t’i japë përparësi rolit-urë midis Evropës se mesme dhe Detit të Zi. Në marrëdhëniet aleate të natyrshme mund të përmendet aleanca mes Serbisë dhe Greqisë të cilët kishin mirëkuptim në masë të madhe në politikat e tyre veçanërisht për Maqedoninë dhe Shqipërinë, si dhe aleanca mes Bosnjës, Shqipërisë, dhe Turqisë nga të cilat Bosnja dhe Shqipëria, me një instinkt historik e shihnin fatin e vet të lidhur me Turqinë në zonë dhe që kishin marrëdhënie mospajtimi edhe me Serbinë, edhe me Greqinë. Vetë termi ekuilibër shpreh kryesisht një gjendje të caktuar të marrëdhënieve ndërkombëtare kjo mund të jetë ose rezultat i veprimit të rastësishëm të protagonistëve të shumtë, ose mund të lindë si pjesë e zbatimit të një vije politike të vetëdijshme të shteteve të ndryshme. Në këtë kuptim, kur ekziston dëshira e synuar e një pjese të shteteve që në bashkësinë ndërkombëtare të realizojnë një gjendje të marrëdhënieve të baraspeshuara-ekuilibruara në fushën ushtarake ose politike, atëherë mund të flasim për baraspeshimin e forcave, si motiv i veprimit të shteteve Brenda ekuilibrave zonale të Ballkanit, zona e dytë ku reflektohen kontradiktat mes linjave kritike gjeopolitike dhe brezave gjeokulturore, është zona që ndodhet brenda boshtit Morava-Vardar dhe që formon brezin gjeokulturor ku ballafaqohen elementët serbo-shqiptaro-maqedon. Në këtë mes Turqia për shtete shqiptare në rajon luan rol të rëndësishëm në balancimin e ekuilibrave brenda zonal, Në kuadrin e rajonit të Ballkanit, rishpërndarja e fuqisë dhe aleanca e shqiptarëve me Turqinë favorizon shqiptarët, një proces që partneriteti me Turqinë veçse e përshpejton fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon. Dy vendet dhe popujt kanë shumë gjëra të përbashkëta historike duke u nisur nga aspekteve të ngjashme identitare, disa tipareve të ngjashme kulturore, kontributi i shqiptarëve në ndërtimin e Perandorisë Osmane dhe të Turqisë moderne. Andaj çdo destabilizim i Turqisë është edhe dobësim i faktorit shqiptar në rajon.

Shqiptarët nuk mund të qëndrojnë të heshtur

 Shqiptarët nuk mund të qëndrojnë të heshtur përballë zhvillimeve që ndodhin në Turqi duke pas parasysh rolin tejet të madh në rajon të shtetit Turk. Më vjen keq për paudhësinë e mosnjohjes së gjeopolitikës nga një pjesë e madhe e atyre që vërtetë këto ditë e kanë lëshuar nivelin e debatit në fyerje e sharje e deri në kualifikime dhe epitet nga më të ndryshmet për qeverinë legjitime të shtetit aleat Turqisë. Gjithashtu, detyra e qeverisë turke është të ushtrojë autoritetin publik duke treguar kufijtë etikë të trajtimit të rasteve të të arrestuarve, ka tagrin, autoritetin që të mos e lejon një hakmarrje, ndërsa është detyrë e publicistëve dhe medieve në vendin tonë për të informuar drejtë opinion dhe me anë të këtij informimi të ndihmoj në emancipimin e publikut në raport me debatet e rreth “grusht- shtetit” të 15 korrikut. Debatet duhet të ruajnë cilësinë, ashtu edhe nga ana e atyre që i kritikojnë ata edhe nga ana e atyre që i mbështesin. Në këtë mënyrë do të kishin arritur të ndihmojnë në maturimin e diskursit publik mbi këto tema, duke shmangur polarizimet dhe konfliktualitetin, si dhe duke ndihmuar që shumë njerëz të zhvishen nga paragjykimet e krijuara për Turqinë. Media në Kosovë edhe këtë herë nuk e bëri detyrën e saj, edhe këtë herë, skena e debatit vijoi të mbetet bosh, e shfrytëzuar nga militantë e aventurierë të rastit, që keqpërdorin mediumet duke ofruar qasje të dëmshme për shoqërinë, të cilat mund të cenojnë seriozisht aleancat e vendit me shtetet të rëndësisë së veçantë për shtete shqiptare në Ballkan.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …