Selim Mehmeti: Orarët javore të mësimit dhe menaxhimi i ngarkesës së çantës së nxënësve me tekste shkollore

Në fillimet e vitit shkollor, shkollat dhe mësimdhënësit kujdestarë të klasave të ndryshme shpërndajnë oraret e mësimit për klasat gjegjëse.
Për disa modele të orarit javor të mësimit që i kam parë këto ditë, kam përshtypjen se ka tendencë që oraret e mësimit t’iu përshtaten më shumë mësimdhënësve për të mos krijuar pauza eventuale, kundrejt faktit se orari javor i mësimit duhet ta ketë në fokus nxënësin dhe mundësitë e tij/saj për zhvillim maksimal të potencialeve dhe arritje të rezultateve e mësimeve të përcaktuara më dokumentet kurrikulare.
Shkollat kanë autonomi dhe fleksibilitet në rregullimin e orareve të mësimit. Kjo nuk mund të kontestohet. Megjithatë disa parime duhet të jenë referencë edhe për orarët javore të mësimit. Pra, edhe për këtë duhet të vlejnë pesë parimet e kurrikulës: (1) Gjithëpërfshirje; (2) Zhvillimi i kompetencave; (3) Mësimdhënie dhe nxënie të integruar; (4) Autonomi dhe fleksibilitet në nivel shkolle; (5) Përgjegjësi dhe llogaridhënie.
Referuar parimeve më sipër, shkollat duhet të kenë kujdes edhe në raport me menaxhimin e ngarkesës së çantës së nxënësve me tekste shkollore, duke marrë për bazë kontekstin e shkollës dhe veçantitë e të gjithë nxënësve në secilën klasë. Shkollat duhet të kujdesen që të ndërtojnë orare kreative të mësimit, që krijojnë lidhje ndërlendore dhe thellim përmbajtësor e sistemor në zbatimin efektiv të kurrikulës, si dhe orare të mësimit që krijojnë mundësi që nxënësit të kenë më pak libra në çantat e tyre dhe më shumë mundësi për qasje interaktive në mësim.
Vajzën e kam në klasën e shtatë (7), në njërën nga shkollat publike të kryeqytetit. Në mungesë të dollapëve për nxënës në klasë/shkollën e saj, çdo ditë e shoh ngarkesën e çantës së nxënësve të gjeneratës së saj, dhe jo vetëm. Shkollat që nuk kanë dollape për nxënës në klasa, peshën e çantës së nxënësve mund ta menaxhojnë (lexo: lehtësojnë) së paku në dy mënyra:
1. Kurrikulat Bërthamë janë të organizuara në fusha kurrikulare, kjo jep mundësi që së paku për dy fusha kurrikulare (Shoqëria dhe mjedisi; Shkencat natyrore), oraret e mësimit për lëndët e këtyre dy fushave të kenë orë bllok. Kjo krijon mundësinë që nxënësit psh. të klasës së 7 të kenë maksimum 5 lëndë mësimore brenda një dite mësimi dhe jo 6 lëndë mësimore që i kanë të gjitha oraret javore të mësimit që i kam parë këto ditë. Kjo mendoj se nuk krijon ngarkesë përmbajtjësore për nxënës, meqë një orë e mësimit në sistemin tonë është 45 minuta.
2. Librat bazë të secilës lëndë mësimore, jo domosdo duhet të merren çdo ditë nga nxënësit (kjo natyrisht varet nga planifikimet e mësimdhënësve), meqë të gjithë e dimë se tekstet nuk janë kurrikula, por janë një nga burimet kryesore të mësimit në shkollat tona. Në përpjekje për të zvogëluar peshën e çantës së nxënësve:
(a) mund të përdoren tekstet digjitale (në shkollat ku ka Tabela Smart, TV/projektor të lidhur me rrjetin dhe që tekstet mund të lexohen edhe nga nxënësit e ulur në bankën e fundit);
(b) tekstet bazë merren vetëm nga një nxënës në bankë ose 2-3 nxënës brenda një grupi të nxënësve. Psh. Arti i ulur në një bankë me Vlerën dakordohen që njëri ti marrë librat bazë për dy-tri lëndë brenda një dite dhe tjetri ti marrë librat bazë për dy-tri lëndët tjera në ditën e njetë – kështu veprohet gjatë gjithë javës. Kjo mund të rrisë edhe komunikimin dhe interaktivitetin e nxënësve për mësimet.
Për menaxhimin e ngarkesës së nxënësve me tekste shkollore duhet të përfshihen aktivisht nxënësit dhe prindërit, të analizohen idetë kreative të nxënësve dhe ata të bëhen pjesë e vendimmarjes për ta.
Një shembull të një orari mësimor javor të përgatitur shpejtë për klasëne shtatë, mund ta shikoni në foton e këtij postimi me shkas. Në këtë model është propozuar që vetëm një ditë të javës të ketë 2 orë mësimore bllok. Ky model përfshin orët bllok për lëndët: Histori, Gjeografi, Biologji, Kimi dhe Fizikë.
I inkurajoj shkollat që ta bëjnë një hulumtim në veprim dhe të shohin sa kjo qasje mund të jetë praktike në punën me nxënës, për zbatim efektiv të kurrikulave dhe arritjen e rezultateve të nxënit nga këto lëndë mësimore/fusha kurrikulare.

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi

Fitim Selimi: ALBIN KURTI : HUMBËS I VLERAVE DHE ASOCIAL NË POLITIKË

Për të gjithë ata që shprehen se dikush e urrejka Albinin, pa dashur të ju …