Selman Dervishi – Strateg-bota në anekdota

A.Q. Poeti i dashuruar në vargun poetik

Poeti, veprimtari dhe idealisti, Selman Dervishi, radhitet në mesin e krijuesve që kanë bërë emër sidomos pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fitores historike të shqiptarëve kundër kolonializmit e hegjemonizmit shekullor serb.

Ai ka shkruar poezi që nga mosha rinore. Ka bashkëpunuar me revistat e shkollave dhe me gazetat e kohës. Qysh në shkrimet e para është vërejtur  përkushtimi i tij për vendlindjen, tokën e të parëve, atdheun e kombin. I lindur dhe i rritur në Gradicën heroike të Drenicës, ai ishte frymëzuar nga trimëria legjendare e të parëve që kishin ndjekur Jashar Pashën e Turqisë, nga vepra trimërore e luftëtarit, Lec Gradica, i cili kishte luftuar xhandarmërinë serbe në kohën e pushtimit të Kosovës, ishte frymëzuar  nga vepra atdhetare e Mehmet Gradicës dhe shumë trimave të tjerë,  sidomos të epopesë së luftës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, mbështetës i së cilës ishte edhe poeti nga Dodona, Selman Dervishi. Veçanërisht ishte frymëzuar nga lufta dhe rënia heroike e legjendarit Adem Jashari dhe e jasharëve të Prekazit heroik.

Banorët e Dodonës, ish Gradicë e Drenicës kohës së gjatë të robërisë iu kishin kundërvënë me ruajtjen fanatike të besës, me ruajtjen e gjuhës dhe traditave atdhetare dhe me shpirt e zemër kishin luftuar për të mos u dhënë, për të mbijetuar madje edhe në përleshje me perandoritë më të fuqishme të botës.

I çiltër për nga natyra, i dashur dhe shumë i përkushtuar për familjen, bashkatdhetarët, për luftën e UÇK-së dhe pavarësinë e Kosovës, Selman Dervishi, me aktivitetin e tij atdhetar dhe me poezinë, e cila i buron nga shpirti ka qenë bashkudhëtar i proceseve historike të gjysmës së shekullit XX. Kah mbarimi i luftës, në vitin 1999, Selmani me familje dhe shumë bashkatdhetarë, të rrethuar nga ushtria e policia serbe u dëbuan dhunshëm nga Kosova dhe qysh atëherë u vendos në Nju Xhersi të Amerikës, ku jeton dhe punon. Edhe pse me shëndet delikat, ai nuk i ndahet krijimtarisë artistike, ku e gjen edhe kuptimin e vetëm të jetës dhe në këtë mënyrë i përballon shqetësimet shëndetësore dhe sfidat me të cilat e ballafaqon jeta.

Selmani e do poezinë, e dashuron atë me gjithë zemër si dashnor i sinqertë dhe besnik, meqë përmes vargut poetik  ai e liron botën e tij të pasur shpirtërore, duke sjellë në kujtesë kohën e rinisë e të burrërisë, duke evokuar kujtime ndër më të ndryshme, që nga ato që përshkohen me dhembje e pikëllim e deri te momentet e gëzimit e ngazëllimit shpirtëror. Nga Amerika e largët, ku ka gjetur strehim, vend të cilin e nderon dhe e respekton shumë, ashtu sikur e nderojnë dhe e respektojnë  të gjithë shqiptarët liridashës kudo ku jetojnë, Selmani me vizionin e tij artistik, me ndjenjën fisnike të atdhedashurisë, prore është i pranishëm në Kosovë dhe frymon bashkë me rriten e saj, me të arriturat e saj gjatë këtyre viteve të pavarësisë. Ai është nga ata bashkatdhetarë, që i gëzohet çdo suksesi të Kosovës dhe që me shpirtin e tij të ndjeshëm kërkon bashkim, shprehet kundër përçarjes dhe kundër përpjekjeve të qarqeve antishqiptare, për përbaltjen e pavarësisë.

Poezia e Selman Dervishit është e çiltër, e kuptueshme, e latuar gjuhësisht, madje shpeshherë edhe shumë e latuar, duke krijuar fjalë e simbole metaforike, të cilat përshtresohen në një tërësi ritmike, të stisura me kombinim fjalësh, si në lojë domino, ku njëri numër bashkon tjetrin, ndërsa në poezi njëra fjalë nxjerr në shesh fjalën tjetër. Kjo, ta quajmë “lojë fjalësh” është një veçanti e poezisë së Selman Dervishit, meqë ai tashmë e ka bërë zap “zanatin” e hartimit të poezisë.

 

Mendja dhe zemra

Bashka së bashku

Dashka ke ashku.

Strofa me tre  vargje është strofa e tij e preferuar, ndërkohë që ai rimon me shumë kujdes edhe katërvargëshin:

Vetëm Ti shtrove drejt kërkesat shekullore,

Që i tërë kombi të ngadhënjejë, të korr fitore,

Fitoren që kaq shumë e kemi pritë,

Që edhe ne shqiptarëve  dielli të na ndritë! ( UÇK-së)

Në dukje një kombinim fjalësh me ritëm, poezia e tillë nuk humb përmbajtjen, kuptimin dhe mesazhin. Poeti është i vetëdijshëm në fuqinë e fjalës, në ritmin dhe kuptimin e saj, në radhitjen e saj sikur gurët që radhiten në godinën prej guri, në faltoren e vjetër  apo në kështjellën e gurit. Kjo veçanti e shprehjes artistike dominon sidomos në disa nga përmbledhjet e fundit poetike si “Tokë e qiell” “Popull kombi”, “Nënë oj loke” e të tjera.

Në përmbledhjen poetike: “Nënë oj loke” poeti ka radhitur poezitë  frymëzuara nga shembujt e heroizmit të kohës së kaluar, nga koha e Betejës së Kosovës, nga epopeja e luftërave të Skënderbeut, nga heroizmi i Mic Sokolit, Oso Kukës e të tjerë.

Selman Dervishi deri tani ka botuar përmbledhjet poetike:

Fluturo moj shqipe,

Epope e lirisë,

Gëzone dritën,

Flakë triumfi,

Lulekosove,

Kthehu përsëri,

Thërret një zog,

Shqip shqipe,

Ag pranvere,

Tokë e qiell,

Liri Kosovës,

Popull kombi,

Nënë oj loke,

Gjallë shqiptaria.

Tematika dhe motivet e poezisë së Selman Dervishit janë të ndryshme, por mbizotëron motivi atdhetar, pastaj ai social e meditativ. Poeti, tashmë ka krijuar një stil të veçantë në qasjen ndaj vargut, duke e latuar atë në formë e brendi, duke e skalitur, si mjeshtri gurin, pastaj  duke e vendosur çdo fjalë në vendin e vet. Kjo ecuri e punës së tij na bën të kuptojmë se ai shkruan lirshëm, por me frymëzim dhe dashuri, dashuri për temën që trajton, por edhe për syrin, për formën e jashtme të kombinimit të vargjeve, të cilat shquhen për një origjinalitet tipik, veçori kjo jo shumë e përhapur në poezinë tonë bashkëkohore. Duke lënë anash ndonjë përsëritje, ndonjë kombinim mekanik të fjalëve dhe ndonjë lëshim të rastit, marrë në përgjithësi poezia e Selman Dervishit radhitet në mesin e poezisë së sotme bashkëkohore dhe qëndron me dinjitet në këtë mes, sidomos për tematikën dhe veçoritë krijuese.

Postuar nga: Radio Kosova e lirë – www.radiokosovaelire.com

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …