Libri “Themele jete” i shkrimtarit Martin Çuni përmban një tregim, dy përralla dhe njëzet rrëfime. Këto rrëfime, përralla e tregime, autori në formë letrash ua dërgoi fëmijëve në shtëpi, e të cilat kanë përmbajtje sociopedagogjike. Përmes tyre fëmijëve ua bën të ditur jetën në fshat, me bukuritë dhe rreziqet që ofron ambienti malor fshataresk, shkollën, shtëpinë, skamjen, kurbetin, jetën baritore, kërshërinë fëmijërore, vizitat te dajët, shoku etj.
Rrëfimet bëjnë fjalë për vendlindjen e autorit, pra Hasin, përkatësisht fshatin Ujz dhe Malësinë e Gallapit të Prishtinës, më për afër Keqekollën, ku një pjesë të fëmijërisë dhe të rinisë i kaloi.
Të gjitha rrëfimet janë të shkruara në vetën e parë, andaj emrin e autorit e zëvendëson përemri Unë.
Thjeshtë është një autobiografi e fëmijërisë së tij e ndarë në episode që implikon elemente të rëndësishme sociale të kohës. Si lajtmotiv i këtyre rrëfimeve na del dashuria ndaj fëmijëve, ndaj prindërve, të afërmëve, vendlindjes për të cilën ka një konsideratë të veçantë, sepse përmes përshkrimit të bjeshkës, krojeve, pemëve, rogave, e pse jo edhe të kalasë larg, jo vetëm që paraqet një bukuri romantike, por edhe gjurmat e luftrave. Nuk lë anash as doket e zakonet, bujarinë, mençurinë. Këtë të fundit përmes plakut Xha Rrapit. Ai tërheq një vertikale nga fëmijëria e tij tek fëmijëria e fëmijëve të tij, ose anasjelltas.
Autorit i dhemb kur fëmijët shprehin dëshirën të kenë ski. Në pamundësi t’ua sigurojë nga burgu, ai përpiqet t’ua mbush mendjen se në qytet nuk rrëshqitet me ski, se për to është i nevojshëm ambienti fshat, mali si ai i Sharrit, ose Alpeve Shqiptare, etj. Po ashtu përpiqet të mbjellë dashurinë ndaj kafshëve të egra, sidomos kaprollit, përmes rrëfimeve “Dimrat e egër”, “Gjahu i papritur, “Kaprollthi”. Ndërsa te rrëfimi “Syka dhe ujku” përmes metaforës nxjerr në pah si veti negative rrëmbimin, vrasjen. Ai e konkretizon rrëfimin duke aluduar edhe në jetën e përditshme, se si të bashkuar armiku s’mund të na bëjë gjë, por të ndarë nga kullufitë një nga një, mbështetur në visarin popullor “Delen që ndahet nga kopeja e han ujku”.
Kësaj radhe edhe Syka ishte ndarë dhe e pëson. Autori i rrëfimeve, të cilat kanë karakter pedagogjik, me porosi të shëndoshë, në pamundësi që të jetë pranë fëmijëve të vet, që t’i pajisë me edukatë e ngrohtësi prindore, përmes këtyre letrave do të mbjellë tek fëmijët sinqeritetin dhe modestinë, ndërsa vjedhjen e gjykon si punë të keqe, e gënjeshtrën si gjë negative tek fëmijët, të cilët pa arsye e përdorin për të fshehë të vërtetën.
Librin, autori e përmbyll me përrallën e përkthyer “Drejtësia”. Figura e njeriut në kuptimin e plotë të fjalës këtu përballet me njeriun bishë që pushton, dhunon, shkatërron. Njeriu i lodhur nga njerëzit bisha hidhet në luftë kundër tyre. Me luftën e drejtë që bën i mund, i djeg. Autori e zgjedh këtë përrallë, sepse përmes saj thuajse kuptohet tërë historia jonë.
Kontrolloni gjithashtu
Zymer Mehani: Doli nga shtypi libri: “Kadri Avdiu – një jetë në shërbim të atdheut”
Kjo monografi i kushtohet veprimtarit nga fshati Bellopojë të komunës së Podujevës, Kadri Avdiut, të …