Ahmet Qeriqi: Luftëtarë të NDSH-së (1944-1950)

Kongresi i Lipovicës

Kongresi i Pestë i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare

                Forcat e vërteta kombëtare, të cilat nuk ishin komprometuar as në formacionet profashiste, as në ato të partizanëve të Titos, vendosin të veprojnë në një platformë të re të riorganizmit. Ato forca tanimë kishin krijuar Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, si dhe shtabet e disa zonave, duke bërë përpjekje për ta rikthyer në skenën e diplomacisë botërore çështjen e Kosovës.

                Për këtë qëllim më 25 korrik të vitit 1946, u mbajt Kongresi i Pestë i kësaj Lëvizjeje, i njohur si  Kongresi i Lipovicës. Shtabi i Zonës II për vend, ku do të mbahej Kongresi, e caktoi lëndinën “Te Vorri i Hoxhës” në Lypovicë, midis fshatrave Risinovc, Krojmir dhe Fushticë, kurse për ta dezinformuar OZN-ën, u lansua propaganda se kongresi do të mbahej në Bjeshkët e Kozmaqit. (Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idrisi dhe Mbrojtja Kombëtare 1941-1951, Prishtinë 1995. f.346).

      Forcat partizane të Fadil Hoxhës e të Ali Shukriut, të cilat zellin e tyre antikombëtar e treguan në luftë kundër forcave të Shaban Polluzhës,  së bashku me sivëllezërit e  tyre serbë e malazez, filluan t’i gjurmojnë forcat e mbetura nacionaliste, të cilat u treguan të papërgatitura për t`u ballafaquar me sfidat dhe realitetin e ri, të krijuar pas fitores së forcave antifashiste në Evropë dhe në botë.

                Kudo në Kosovë po hetohej  ndarja e rrezikshme. Disa nga forcat e vërteta kombëtare ishin rekrutuar në aradhat partizane, dhe në dukje sikur i shërbenin pushtetit komunist, por  ato mbanin lidhje të ngushta veprimi me shokët e tyre të idealit. Në mesin e tyre shquhet Arif Shala nga Sankoci (1909-1946) i njohur si Hoxhë Avdija. Ai mbante lidhje direkte me kryesuesin e kreut nacionaldemokratik, Imer Berisha, përmes  Hilmi Zariqit.

                Në përpjekje për të konsoliduar radhët, grupet e shkapërderdhura kombëtare parashtrojnë nevojën e një takimi të përgjithshëm, i cili parashihej të mbahej në malet e Kozmaqit, në Qyqavicë apo në Lipovicë, tani Blinajë. Takime të rëndësishme ishin mbajtur  në këto dy vende (Qyqavi dhe Kozmaq). Për të krijuar kaos në mesin e pushtetarëve të rinj kominternistë, Arif Shala, i cili ishte në njohuri me të gjitha lëvizjet, njëherësh ishte edhe koordinatori  pothuajse i të gjitha veprimeve atdhetare të asaj kohe, përmes besnikëve të tij, kishte përhapur lajme se gjoja forcat nacionaliste do të tuboheshin në Qyqavi, ku pa vonuar kishte filluar dislokimi i forcave partizane jugosllave. Duke bashkërenditur veprimet me shumë kujdes dhe fshehtësi,  përmes shokëve të tij besnikë, ai kishte caktuar vendin ku do të mbahej Kongresi i Lipovicës. Edhe forcat komuniste kishin aktivizuar rrjetin e fortë të spiunazhit, për të hetuar me saktësi pozicionimin e forcave nacionaliste. Vendimin për ta mbajtur Kongresin e Lipovicës e merr Ajet Gërguri përmes kryesuesit të LNDSH-së në Shkup Kemajl Skënderi. Sigurimin e vendit dhe të terrenit ku do të mbahej Kongresi e marrin përsipër Azem Bellaqevci, dhe zëvendësit e tij Sokol Haxholli dhe Izet Murati. Disa pika mbrojtjeje i kishin siguruar paraprakisht edhe  Salih Rexha, Islam Domaneku e luftëtarë të tjerë të sprovuar. Lidhjet kryesore mes grupve i mbante Arif Shala. Ai ishte Ora që i caktonte detyrat për anëtarët dhe ithtarët e LpLTSH-së të Drenicës jugore në shërbim të kongresit III (V). (Vepra e cituar, f.347.).

                Gjatë natës së 24 korrik të vitit 1946 dhjetëra grupe të armatosura nga Drenica, Mitrovica, Shala, Llapi e Gollaku, nga Anadrini e Llapusha ishin dyndur drejt Lipovicës.

                Më 25 korrik në vendin e quajtur  “Te Vorri Hoxhës”, në Blinajë, ishin tubuar pothuajse të gjithë delegatët dhe pjesëmarrësit e Kongresit, rreth 150-180 veta. Të gjitha vendkalimet rreth vendit ku mbahej Kongresi ishin nën vëzhgim të forcave që kishin marrë përsipër sigurinë e terrenit. Salih Rexha, duke qenë se e njihte më mirë terrenin bën përforcime të caktuara dhe merr masa shtesë për të siguruar pikat nga ku dyshohej se mund të depërtonin forcat armike.

                Sipas përshkrimit që i ka bërë organizimit dhe punimeve të Kongresit profesor doktor Muhamet Pirraku, në librin e tij studimor  Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, del se Kongresi filloi punimet me një vonesë për shumë shkaqe. Qenë hetuar forca të shtuara të OZN-ës në vende të caktuara rreth Blinajës, nuk kishin arritur delegatët e Dukagjinit, nuk kishte arritur përfaqësuesi i NDSH-së nga Shkupi, Kemajl Skënderi, nuk kishte arritur porfesor Ymer Berisha, e të tjera.

                Në kohën kur kishin arritur edhe delegatët e fundit, Jetullah Zabeli nga Rezalla, Hilmi Zariqi nga Baica e Elshanit dhe Osman Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë,  sjellin një  të dyshuar, spiunin Rexhep Alushi nga Carrabregu,  i cili ishte rekrutuar me detyrë të denoncimit në mesin e nacionalistëve, duke mbajtur lidhje direkte me Shefin të OZN-ës për Kosovë ( e Metohi), Spasoje  Gjakoviq. Ai kishte dezinformuar  kreun nacionalist se Ymer Berisha kishte vdekur dhe nuk kishte pse të pritej ardhja e tij. Rexhep Alushi u kap në shtëpinë e Fejzë Arllatit në Domanek, meqë përmes lidhjesh ishte futur me qëllim denoncimi mu në mesin e krerëve të LNDSH-së. E vërteta ishte se vetë Rexhep Lushi me disa besnikë të OZN-ës, më 11 korrik 1946, kishte marrë pjesë në vrasjen e profesor Ymer Berishës, i cili vritet derisa po kalonte ilegalisht së bashku me Ndue Përleshin dhe disa nacionalistë të tjerë afër fshatit Hereq të Gjakovës.

                Lidhur me zbulimin e këtij spiuni të OZN-ës, Ajet Gërguri, pasi ishte kapur gjallë nga OZN-a, në deponimet e tij para Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror në Kosovë më 9 shkurt 1947 ka deklaruar: Para Kongresit i kemi dërguar një letër  profesor Ymer Berishës  përmes kuririt tonë Shaqir Zariqit…. E ka dërguar postën te shtëpia e Rexhep Alushit, por nuk e ka takuar. Vëllai i Shaqirit i është përgjegjur korierit, se Rexhepi ka shkuar në OZN-e në Prizren për ta marrë rrogën në ari  nga OZNA…

(Hysen Azemi  Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë, botuar në Vjetar XXV-XXVL, Prishtinë, 2001, f.251).

                Shaqir Zariqi dyshonte në veprimet e Rexhep Alushit, ndërsa dyshimin e tij ia shfaq Jetullah Rezallës dhe Hilmi Zariqit. Veprën denoncuese të Rexhep Alushit e vërteton edhe Xhemajl Boletini. “Kur dëgjoi Rexhepi  për këtë u përpoq të gëlltis një letër, por atë ia nxorën nga goja. Në letër shkruante: “Rexhep Lushi mund të lëviz çdo kund në Kosovë dhe pushteti e ushtria nuk mund t`i bëjë pengesë”. Letra ishte e vulosur nga kreu i OZN-ës ( Dokumenti i cituar, po aty… f. 252). Pasi ishte kapur në flagrancë, Rexhep Alushi pranon se është spiun i OZN-ës, pranon se ka vepruar në zënien e nacionalistëve  dhe për veprat e tij denoncuese nuk pendohet.

                Me urdhër të Gjon Serreçit, konform ligjeve të luftës, ai dënohet me vdekje dhe ekzekutohet. Ekzekutimin e ka kryer Istref Sheqa-Hoti, komandant i Batalionit të Katërt të Drenicës ( Dr. Islam Dobra, Lufta e Drenicës, 1941-1945 dhe NDSH-ja deri më 1947, Prishtinë, 1997. f. 332.). Pas kësaj skene e cila sikur bënte me dije se në atë mes kishte edhe denoncues të tjerë, fillon punimet Kongresi i Lipovicës. Në ekspozeun e paraqitur nga Gjon Serreçi dhe të mbështetur nga Ajet Gërguri ishin parashtuar dy teza:

                Riorganizimi i Lëvizjes së Rezistencës përmes veprimit të komiteteve vendore, që ishin formuar nga LNDSH-ja në Kosovë, ose ikja e përkohshme nga Kosova për në Shqipëri apo në Greqi, ashtu sikurse kishte vepruar grupi i Adem Gllavicës, një vit më parë. Ldhur me këtë çështje, në deponimet e tij para hetuesisë Ajet Gërguri ka deklaruar:

                “Kongresi ka filluar në orën 12,00. Në fillim ishin prezent vetëm udhëheqësit e grupeve: unë- Ajet Gërguri, Hilmi Zariqi, Jetullah Rezalla, Osman Bunjaku, i cili ishte njëkohësisht  delegat i grupit të Ahmet Selacit, pastaj Kadri Beba, Islam Domaneku, Shyt Mareci, Shemsi Mramori e të tjerë… Në këtë mbledhje është diskutuar se kush do të jetë komandant. Për komandant është zgjedhur Ymer Berisha. Përveç tij kemi zgjedhur edhe katër eprorë në Shtab për komandant të zonave. (Hysen Azemi  Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë, botuar në Vjetar XXV-XXVL, Prishtinë, 2001, f.236).

Kongresi merr disa vendime: Lëvizja balliste të quhej Lëvizje Nacional Demokratike Shqiptare.

Ushtria e formacioneve luftarake të quhej Ushtria Nacional Demokratike Shqiptare në malet e Lira të Kosovës. Profesor Ymer Berisha emërohet komandant i Përgjithshëm i  Ushtrisë dhe i LNDSH-së.

                Disa nga pjesëmarrësit e këtij kongresi, pasi iu bënë analiza rrethanave tejet të pavolitshme, propozuan që të gjitha forcat nacionaliste të fillonin tërheqjen nga Kosova drejt Greqisë, meqë qëndrimi në Shqipëri nuk ishte fare i sigurt. Si duket shumica e krerëve në heshtje e aprovonte këtë propozim. Gjon Serreçi me Ajet Gërgurin, të përkrahur nga Islam Domaneku dhe Kadri Beba ishin për dalje në Greqi, kurse kundër tyre në mënyrë të pakontrolluar do të ngrihet Osman Bunjaku, Hilmi Zariqi, Jetullah Rezalla, Imer Fazli Radisheva, Zeqir Lutani i Turiqecit, Shyt Mareci e të tjerë (Dr. Muhamet Pirraku, Mulla Idris Gjilani… Prishtinë 1995, f. 349).

                Kundër këtij propozimi ishte ngritur me pushkë në dorë Osman Bunjaku, i cili kishte thënë: Të gjithë juve që po kërkoni të shkoni në Greqi iu kisha pushkatuar, sepse këtu duhet të luftojmë për lirinë e popullit shqiptar.

(Hysen Azemi Dokumente arkivore të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë, botuar në Vjetar XXV-XXVL, Prishtinë, 2001, f.236).

                Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë sonë rrëfejnë, se, mospajtimet kishin shkuar deri te drejtimi i pushkëve kundër njëri tjetrit, por me ndërhyrjen e Gjon Serreçit, Ajet Gërgurit, Kadri Bebës, Shemsi Hazir Gashit e disa të tjerëve, situata e acaruar ishte tejkaluar. Pas ndërhyrjes të Osman Bunjakut, të përkrahur nga militantët UNDSH-istë, Kongresi vendosi që luftëtarët të qëndrojnë në Kosovë derisa të merrej lidhja me Muharrem Bajraktarin, për shkak se asokohe pritej të mbahej një Kongres tjetër i nacionalistëve në Veri të Shqipërisë.

Disa nga  pjesëmarrësit e Kongresit të Lipovicës

                Në saje të shkrimeve dokumentare dhe në saje të disa dëshmitarëve të gjallë, (pjesëmarrës të këtij Kongresi,) bëhet e ditur se në këtë Kuvend të krerëve të Nacionaldemokratikes Shqiptare kanë marrë pjesë:

                Ajet Fazli Gërguri, një tregtar i njohur, i arsimuar, me prejardhje nga Duboci i Drenicës. Ka jetuar në Vushtri dhe në Kavajë.

                Gjon Gjergj Serreçi  Fillimisht një i ri antifashist, por nacionalist me bindje, me origjinë nga Ferizaj. Intelektual vizionar dhe përfaqësues i Nacionaldemokratikes Shqiptare në Kosovë.

                Azem Jashanica (Bellaqevci), personalitet i njohur atdhetar.

                Jetullah Zabeli, i njohur edhe si Jetullah Rezalla. Luftëtar i shquar nacionalist, ka marrë pjesë në Kongres me disa bashkëluftëtarë.

                Hamid Emini, mjek nga Skënderaj.

Osman Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë, luftëtar militant nacionalit. Mori pjesë me disa luftëtarë.

                Shaban Bujaku, nga Samadrexha e Vushtrrisë.

                Hysen Sadik Ramë Lutani nga fshati Turiqec i Drenicës.

                Imer Ahmeti – Radisheva nga fshati Radishevë i Drenicës.

                Mulla Ramë Govori nga fshati Herticë, në rajonin e Llapit.

                Ixhaid Nazmi Gafurri, djali i martirit demokrat, Nazmi Gafurri.

                Hasan Bilalli, njëri ndër ideatorët e NDSH-së.

                Kadri Bebë Ribari Mori pjesë me disa bashkëluftëtarë dhe me djalin Mustafën.

                Salih Rexhë Ribari, njëri ndër luftëtarët më militantë të NDSH-së, së bashku me djalin Rexhepin dhe me disa bashkëluftëtarë.

                Hilmi Zariqi nga Baica e Elshanit. Luftëtar nacionalist.

                Shaqir Zariqi, po ashtu nga Baica e Elshanit.

                Istref Sheqa, Hoti, nga fshati Likoc i Drenicës, së bashku me disa luftëtarë. Rifat Kotorri, Sylë Hajrizi.

                Shyt Mareci, (Bislim Zeqiri) nga fshati Marec i Karadakut me disa bashkëluftëtarë.

Islam Domaneku nga fshati Grackë Lypjan, së bashku me djalin e vëllait, Mustafë Domaneku.

                Zekë Luma nga fshati Kraishtë.

                Nezir Buja nga fshati Bujan, i njohur si treshi në çetën heroike të Salih Rexhë Ribarit.

                Ismail Dragusha nga fshati Rufc i Vjetër Komesar i formacionit nacionalist që kishte bërë përpjekje për të depërtuar në Greqi.

                Në grupin e Shemsi Hazir Gashit  ishin: Rrahman Qaushi, Abdullah Demiri, Shefqet Dulahu, Shaban Maliqi, Tahir Beba, Shyqë Zeneli, Rrahman Smajli, Ibush Hamdiu, i biri i Hamdi Hazir Gashit i cili kishte rënë në luftën e Ferizajt më 2 dhjetor të vitit 1944.  Ibushi ishte djali i vëllait të Shemsiut. Në grupin e Shemsi Mramorit kanë qenë edhe: Asllan Rysha, Rexhep Gajtani, Brahim Gajtani, Hajdar Kolevica, Ukë Salihu,  Emin Shushica, Sadik dhe Sylë Tusha, Sylë Zejna, Selim Limani, Osman Abaz Gagica, Feriz Abazi, e të tjerë

                Fejzullah Saraçi me të birin Eminin nga fshati Bivolak i Vushtrrisë, morën pjesë në Kongresin e Lipovicës  me disa bashkëluftëtarë.

                Arif Shala, udhëheqës dhe koordinatori i të gjitha veprimeve për mbajtjen e sukseshme të këtij Kongresi.

                Xhemajl Esati nga Komarani i Drenicës ishte mbikëqyrës dhe njëri ndër luftëtarët që atë ditë e kishte nën kontroll terrenin e Blinajës.

                Shaban Shillova (Sallova) nga fshati Mazgit i Prishtinës.

                Ibrahim  Hoxha  nga  Cërnilla e Gjilanit

                Nazif Shaba dhe Xhelë Maliqi nga fshati Gllogoc i Lypjanit.

                Qerim Selimi nga fshati Banullë  i Lypjanit. Gjatë kohës së luftës ishte nëpunës i sigurimit në komunën e Lypjanit.

                Isuf Muharreni dhe Hajdar Muharremi nga fshati Petrovë afër Shtimes.

                Rrahman Muharrem Qeriqi nga fshati Krojmir.

                Rrahim Rexha nga Krojmiri.

                Qazim Zogaj dhe Fetah Bogiqi nga Komarani i Drenicës.

                Sokol Brahimi dhe  Izet Murati nga fshati Sankoc.

                Jahir Sejdiu dhe Tafil Sejdiu nga fshati Shalë, ish-Sedllar.

                Hazir Bajrami, Mehmet Arifi, Ismail Dugolli, Shaqir Dugolli dhe Beqir Bajrami nga fshati Pjetërshticë.

                Zekë Luma nga Kraishta dhe Izet Jetishi nga fshati Zborc afër Shtimes.

                Selim Salihu dhe Ali Besheniku nga fshati Carralevë.

                Sadri Duhla, nga fshati Duhle dhe Qerim Ali Gashi nga fshati Luzhnicë.

                Ilaz Sadiku nga fshati Hallaq-Lypjan

                Hajredin Mëziu nga fshati Vërshec afër Magurës dhe disa luftëtarë të tij po nga ky  fshat.

Bajram Çukovci nga Cernilla  dhe

                Qazim Leskovci nga fshati Mirash.

                Hajredin Avdyli nga Sazlia.

                Nebih Sahiti nga fshati Kabash-Prizren.

                Nebih Jonuzi nga Rubovci

                Tahir Prokupja prej fshatit Fushë e Madhe ish-Velikopole

                Hamdi Tmava, Jetë Hasani, Rexhep Hyseni nga fshati Godanc afër Shtimes.

                Rifat Megjani nga fshati Siboc i Kastriotit ish-Obiliq.

                Miftar Gashi nga fshati Dobrajë-Lypjan.

                Hasan Salihu nga fshati Korishë – Prizren.

                Bajrush Zuka dhe Mehdi Zuka nga fshati Lloshkobare-Ferizaj.

                Zenel Morina nga fshati Hade.

                Rizah Strellci nga fshati Dobrevë-Lypjan.

                Beqë Zeqiri nga fshati Gjurkoc-Lypjan.

                Ismail Sllamniku( Ismail Muharrem Ismajli).

                Dan Berisha nga Bellaqevci. Fushë Kosovë.

                Fejzullah Mehmeti nga Domaneku i Drenicës.

                Brahim Luta,

                Imer Radisheva,

                Imer Bajraktari,

                Hysen Lutani e të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …