Sevdail Zejnullahu: TRIOLOGJIA E LOJËS

Sevdail Zejnullahu: TRIOLOGJIA E LOJËS

(Rizah Sheqiri:  “Zemra e lojës” – poezi për fëmijë e të rinj,  2019).

Përmbledhja me poezi për fëmijë e të rinj “Zemra e lojës” nga Rizah Sheqiri është një buqetë me vargje si lule nga kopsht i lulëzuar, me aromë të këndëshme, me nektar e  bukuri, me ëmbëlsi  e dashuri.

Rizah Sheqiri ka publikuar rreth pesëdhjetë libra në prozë e poezi, për të rritur e për fëmijë; në mesin e tyre disa përmbledhje shumë të suksesshme për fëmijë, siç janë: ”Hëna e di lojën”, ”Kujt i buzëqeshin lulet”, ”Zemër krejt dashuri”, ”Shëngjergjat e mi”, ”Magjistari i shtatë ngjyrave”, ”Shoferi i lojës”, ”Pak më ndryshe”, ”Deti i pehqve të vegjël”, etj.

Krijimtaria e tij është shpërblyer dhe është vlerësuar lartë edhe nga kritika letrare. Është cilësuar edhe me epietin: H.Anderseni e A.Lindgreni shqiptar.

E titullova kështu këtë shkrim për dy arsye konceptale dhe strukturore.

E para, për vet mënyrën se si është konceptuar ky libër nga tri pjesë; loja si aktivitet e veprim, loja si përvojë dije e mësim, dhe loja si përsëritje, kënaqësi e dëfrim. Këto tri pjesë e përbëjnë një tërësi, me lojën si një lidhje të pandërprerë sa organike po aq poetike-figurative. Në pjesën e parë vetë krijuesi është pjesë e lojës së bashku me fëmijët. Ndërsa, në pjesën e dytë subjekti lirik është mësuesi dhe në pjesën e tretë, fëmija bëhet pjesë qëndrore e lojës.

Arsyeja e dytë vjen si interferim i kontekstit poetik figurativ, i mënyrës se si krijohet loja, si përshkohet me pasion, si e përcjellë mesazhin dhe se si loja ngritet në një figurë që shenjëzon, në një figurë shumë dimensionale dhe shumë funksionale që përshkohet, qoftë drejtpërdrejtë apo tërthorazi, në gjithë materien e librit.

Të fillojmë nga loja si nocion. Nga interpretimi pedagogjik loja është kontest edukativ ”par exellance” pra, veprimtaria më e pëlqyer, më intenzive dhe ndër të parat tek fëmijët. Por, kjo nuk i mjafton autorit. Loja nuk është vetëm një veprimtari e pëlqyer, por ajo është edhe një veprimtari e krijuar e fëmijëve. Çdo fëmijë me lojën e vet sjellë edhe krijimin e vet. Pra, kur fëmija e krijon lojën, ai sjellë një rënditje të gjërave ashtu qysh atij i pëlqejnë dhe ashtu si i ka menduar ai vet. Kështu bije fjala; ai piloton me aeroplanin e vet edhepse nuk ka aeroplan, ose fëmija kalon hapësira ndëplanetare me shpejtësi të paimagjinuar, pra krijon botën e tij fantastiko-shkencore, atë botën e tij të madhe të lojës, etj. Meqenëse e ka krijuar lojën, pra e ka menduar me tru, siç thotë autori, e thotë me zemër, me dashuri dhe pasion pastaj e lidhë atë me arterien kardinale fjalën. Kur jemi këtu, te arsyeja e dytë, zemra që në letërsi është simbol i dashurisë, ndjesisë, kënaqësisë, fëmija i beson krijimit të vet, e pëlqen atë dhe e merr këtë botë të krijuar shumë seriozisht dhe mu për këtë edhe luan dhe e zhvillon lojën me pasion të madh. Po e përmend edhe arsyen e tretë, nga më të rëndësishmet, pra  fjalën që bën mrekulli siç thotë edhe vet autori:

Fjala me fjalë e lidhë dashurinë

Fjala me fjalë e bën mrekullinë 

Pra, si reflektim mund të themi se loja nuk është thjeshtë vetëm një kontest edukativ, por është një veprimtari e krijuar e ndjekur me pasion dhe e fiksuar me fjalë që autori e quan gjuhë fëmijënore, apo gjuhë të lojës- fëmijërisht, pra një konglomerat kompleks.

Ashtu sikur fëmija që e krijon lojën e vet, që e përcjellë me pasion e dashuri, e thurë atë me ngrohtësinë e fjalës, ashtu edhe krijuesi (pra autori) e krijon botën e vet poetike – lojë  dhe e fton lexuesin  me plotë dashuri që të hyjë në botën e tij të lojës:

Le të dalë

Ku të dalë

eja të luajmë

me vargje e fjalë 

Pra, edhe krijuesi bën po të njëjtën gjë si fëmija që luan. Edhe ai krijon botën e vet të fantazuar, të cilën e merr shumë seriozisht, domethënë e trajton me pasion dhe  natyrisht që e ndanë qartë nga realiteti. Gjuha e fjala e fikson këtë afëri në mes të lojës së fëmijës dhe krijimit poetik. Pra, autori orjentohet në objekte të kapshme që mund të zbatohen, por ndodhë kështu që disa objekte reale që nuk na japin ndonjë kënaqësi, në kuadër të lojës së fantazuar edhe ato bëhen burim i vërtetë kënaqësie.

E kundërta e lojës nuk është sinqeriteti, por realiteti. Siç tham edhe më lartë fëmija e dallon shumë mirë lojën e vet nga realiteti me gjithë pasionin që ka për lojën. Ai hynë në lojë vetëm atëherë kur ai i beson lojës dhe e konfirmon praninë e vet. Kështu në poezin ”Thuani po  e thuani jo” kemi këtë bashkëveprim të lojës dhe krijimit poetik. Kjo poezi në mënyrë të përkryer i bashkëvepron këto dy koncepte të lartëpërmendura që bëjnë një poezi me premisa skenike ku fjala dhe loja janë në ndërveprim. Autori këtu jo vetëm që gjenë bukur fjalët, por ai e gjenë bukur edhe mënyrën si t’i ndërdhë këto koncepte:

UNË: Ju jeni zogj në fluturim

Për mua jeni frymëzim

FËMIJËT : Pooo…

Ose

UNË: Ju jeni rrugaç

Në shtëpi trazavaq

FËMIJËT: Jooo…

Në këtë kontekst mund ta përmendim edhe poezinë ”Klysh klyshi më thotë gjyshi” e cila sjellë poashtu një emocion të thellë loje në formë bashkëbisedimi.

Thamë që loja është një verprimtari jo vetëm edukative, por edhe një krijim dhe pasion i fiksuar me fjalë të cilës fëmija dhe krijuesi i besojnë jashtëmase. Prandaj edhe nëse  ndodhë që loja të përseritet, jo një herë por qindra herë, prapë ajo mbetet e dashur për ata që e luajnë. Këtë e di mirë  autori, por ai e di edhe një gjë tjetër se loja e krijuar me dashuri dhe e luajtur me pasion nuk e humbë kurrë rëndësinë as efektin e saj në rritën dhe formimin e fëmijës.

Prandaj, në poezinë ”Po ju them edhe njëherë” thotë:

…dhe asgjë të re

S’po ju them;

As një mendim as një fjalë,

Që s’është thënë më parë

Sepse

Gjithçka është thënë edhe më parë

Megjithatë edhe një hërë po u them pa nxitim

Edhe një fjalë

E një mendim

Fjalën e zemrës sime

Fjalën e shpirtit tim… 

 

Pra, loja është një ndërdije shumë dimenzionale e cila ashtu sikur zemra që është një organ me dinamikë të pandërprerë e cila asnjëherë nuk harron të lëvizë dhe asnjëherë nuk bëhet monotone. Edhe loja edhe atëherë kur përseritet, çdo përsëritje e saj është një moment i ri, një krijim i ri, një lojë e re.

Loja jo vetëm që është argëtim, krijim, por ajo shfaqet edhe si dilemë nga vet fëmijët, një dilemë universale me frikën se mos dalin jashtë dashurisë që sjellë loja. Në poezinë: “Dua të rritem – s’dua të rritem” ngritet dilema e fëmijës; të rritet a të mos rritet sikur babai e nëna që “nuk dijnë të luajnë” por grinden mes veti.

Fëmija e thotë se …”s’dua asnjë qortim, asnjë kërcënim”,  pranadaj e thekson mendimin me gjithë forcën e shpirtit:

Dua të më duan, të më duan shumë mua

Se unë të dy i dua, i dua – shumë i dua! 

Pra, është plot mirësi, vizion e dashuri mendja e fëmijës dhe kjo vjen si funksioni dhe fuqia më e madhe e lojës, sepse prindërit po të luanin me fëmijët e tyre do të zbulonin  më mirë botën e harmonisë, edhe dashurinë edhe brengën e fëmijëve të tyre.

Fatmirësisht, këtu rreth zemrës së lojës, tubohen bashkë bota e fëmijëve dhe e të rriturëve në lojën e përbashkët plotë zemër, dritë, dashuri e rritë. Pra, bashkë me fëmijët edhe gjyshërit, edhe mësuesi e prindërit bëhen pjesë e lojës duke sjellë argëtim, duke dhuruar dashuri, duke sjellë dilema, duke shtruar pyetje, por edhe duke e krijuar dhe duke e luajtur lojën bashkarisht me shpirt e me zemër. E gjithë kjo bën që ky libër vërtetë të jetë zemër e lojës.

Në fund edhe unë u bëra  pjesë e zemrës së lojës, pra unë e lexova dhe e rilexova, e luajta dhe e riluajta zemrën e lojës, e përjetova, reflektova për e mbi te  dhe ndjeva kënaqësi. Mendoj që lojën e luajta mirë me zemër e me dashuri dhe do ta luaj përsëri qoftë me fëmijët, qoftë me nxënësit, qoftë me mbesat a nipat e mi.

Bëhuni edhe ju pjesë e zemrës së lojës do të kënaqeni gjithësesi!

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …