Shaip Jahir Pacolli (8.3.1950 - 19.4.1999)

Shaip Jahir Pacolli (8.3.1950 – 19.4.1999)

Shaip Pacolli lindi më 8 mars të vitit 1950 në Marec. Gjashtë muaj pas lindjes, i vdes e ëma, Miradia. Pas vdekjes së të ëmës, për Shaipin e vogël, një kohë të caktuar upërkujdes motra e Jahirit, Fahria, e cila ishte e martuar në Bresalc. Më pas, përkujdesjen për të e mori motra tjetër e Shaipit, Selvia.

Shaipi fëmijërinë e kalon me shqetësime, brenga e varfëri. Edhe pse në gjendje të rëndë ekzistenciale, në vitin shkollor 1957/1958 regjistrohet në shkollën fillore të fshatit. Ishte i zgjuar në mësime, ndërsa shkollën fillore e mbaron me sukses të shkëlqyeshëm. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, ai do të rritet me ndihmë sociale.

Në vitin 1970, Shaipi mori rrugën e kurbetit. Gjatë një dekade të qëndrimit të tij në Zvicër, ai punoi pandërprerë dhe arriti të sigurojë një bazë solide ekonomike për mirëqenien e familjes.

Në fillim të vitit 1980, kthehet në vendlindjen e tij, në Marec. Në revoltën e rinisë studentore të marsit dhe të prillit të vitit 1981, merr pjesë aktive.

Edhe pse nga kursimet e tij kishte arritur të siguronte një jetë normale, Shaipi, megjithatë, u rreket punëve dhe fillimisht zë punë në minierën e Hajvalisë, ku do të punojë prej vitit 1984 e deri në vjeshtë të vitit 1989. Me rastin e pezullimit të autonomisë së Kosovës, Shaipi solidarizohet me kërkesat e shokëve të punës dhe merr pjesë në demonstrata sidomos në Prishtinë. Bie në sy të policisë për shkak të qëndrimit të tij si minator militant, në radhët e para të demostruesve. Me rastin e aplikimit të masave të dhunshme nga pushteti okupator, ai ndër të parët dëbohet nga puna, mirëpo për asnjë çast nuk demoralizohet. Meqë ishte i shkathtë, së bashku me bashkëshorten, Azeminen, përkujdeset për ta ngritur familjen, tashmë shumanëtarëshe. Në vitin 1975, Shaipit dhe Azemines u lindi djali Naseri, ndërsa pas tij erdhën në jetë edhe 12 fëmijë të tjerë.

Shaipi, nga ata që e kishin njohur, kujtohet si njeri mikpritës e zemërgjerë. Ishte solidar dhe kurdoherë i gatshëm për t’i dalë në ndihmë kujtdo që kishte nevojë. Pasion të veçantë kishte gjuetinë, si dhe sportin e mundjes.

Me rastin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, Shaipi bën përpjekje për të rënë në kontakt me çlirimtarët. Asokohe interesimin e tij për luftën ua detyron shokëve të tij të ngushtë si: Behxhet Vitia, Emin Gërbeshi, Nazmi Siarina, Sadik Makolli, Lirim Haxholli e të njohurve të tjerë. Ndërkohë, Naseri depërton në Drenicë te shoku i tij, Ismet Kastrati, në Kizharekë, ku ishin krijuar pikat vendore të UÇK-së. Mirëpo, meqë asokohe nuk kishte armë të mjaftueshme, pas pak ai kthehet sërish në Marec. Nga i biri, Shaipi mëson se edhe në Malësinë e Marecit së shpejti do të flakërojë emblema e UÇK-së dhe jehona e krismave të trimave të Adem Jasharit e të Zahir Pajazitit.

Me rastin e zgjerimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llap dhe në Gallap, Shaipi inkuadrohet në radhët çlirimtare, ndërsa Naseri i ri tanimë kishte bërë emër për trimëri dhe luftë kundër forcave armike.

Më 28 dhjetor të vitit 1998, Shaip Pacolli inkuadrohet në radhët e luftëtarëve çlirimtarë të Malësisë së Marecit, në Zonën Operative të Karadakut. Edhe pse goxha në moshë dhe baba i trembëdhjetë fëmijëve, Shaipi nuk u dha. Ai ngjeshi pushkën dhe deri në rënien e tij heroike luftoi në radhët e para të frontit duke treguar trimëri, sakrificë dhe përkushtim të zjarrtë për luftën çlirimtare.

Më 18 prill të vitit 1998, në ditën e mësymjes së përgjithsme të forcave ushtarake e policore serbe kundër të gjitha zonave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shaip Pacolli së bashku me Baki Pacollin, Emin Gërbeshin, Faik Gërbeshin, Sejdi Vitinë, Behxhet Vitinë e shumë luftëtarë të tjerë, ndodhej në pozicionet e luftës në fshatin Gërbesh.

Sulmi i luftëtarëve çlirimtarë kundër hordhive serbe atë ditë kishte qenë vendimtar. Armikut, në vendin e betejës, i ishin vrarë shtatë trupa, ndërsa shumë të tjerë ishin plagosur.

Të nesërmen, më 19 prill, forcat okupatore kishin filluar ofensivën në drejtim të lagjes së Pacaj ve në Marec. Artileria armike kishte vënë në shënjestër një rreze të gjerë të veprimit kundër istikameve të luftëtarëve shqiptarë. Vendi paraprakisht ishte granatuar me të gjitha llojet e armatimit të rëndë. Shaipi ishte ndër të parët që iu kishte kundërvënë forcave të këmbësorisë armike. Duke qenë se luftohej ballë për ballë dhe jashtë istikameve; arma vrastare e armikut e godet atë për vdekje. Në momentin kur e përshkon plumbi i armikut, Shaipi ndodhej në Kodër të Gërbeshit, te vendi i quajtur Ara e Kamberit.

Gjatë luftimeve, bashkëluftëtarët, Selami u dhe Neziri nga rrethi i Vitisë, Shaipi n e plagosur e tërheqin nga rrezja e zjarrit. Me urdhër të komandant Lekës dhe të zëvendëskomandatit të Zonës Operative të Karadakut, Shemsi Syla, bashkëluftëtarët, pasi i japin ndihmën e parë e nisin në drejtim të Shtabit të Zonës së Karadakut, por gjatë rrugës Shaip Pacolli hyn në përjetësi.

Ofensiva e armikut kishte zgjatur deri në orët e vona të natës. Askush nuk e dinte numrin e të rënëve. Dihej vetëm se forcat armike kishin pësuar humbje të konsiderueshme, ndërsa në altarin e lirisë, në tokën e rimë me lot me djersë e gjak të Marecit, kishin rënë shumë dëshmorë lirie, në mesin e tyre edhe Shaip Pacolli.

Më 20 prill, në orët e hershme të mëngjesit, trupi i dëshmorit Shaip Pacolli varroset me nderime ushtarake, në lagjen Hajdaraj të Marecit.

Gjashtë muaj pas përfundimit të luftës, më 20 nëntor të vitit 1999, ai u rivarros dhe tani prehet në amshueshmëri, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Viti të Marecit. Shaipi ka lënë pas vetes bashkëshorten, Azeminen dhe bijat:

Florien, Fikrien, Naxhien, Sadeten, Arbenën, Ganimeten, Shyhreten dhe Ibadeten, si dhe bijtë: Naserin, Agronin, Blerimin, Patriotin dhe Besimin.

Më 17 prill të vitit 2000, në njëvjetorin e qëndresës dhe të rënies, në vendin e rënies, në Kodër të Gërbeshit, emri i Shaip Pacollit është skalitur në pllakën përkujtimore.

Kontrolloni gjithashtu

Shefqet Fazli Mustafaj (2.4.1969 – 19.4.1999)

Shefqet Fazli Mustafaj (2.4.1969 – 19.4.1999)

Shefqet Mustafaj u lind më 2 prill të vitit 1969, në një familje me tradita …