SHBA kritikon Kosovën dhe Serbinë: Takimet për UNMIK-un janë shfaqje për konsum të brendshëm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur sërish pakënaqësi për mënyrën si po zhvillohen mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për raportet e UNMIK-ut, duke i cilësuar ato si “takime për shfaqje dhe për konsum të brendshëm politik”. Në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit, ambasadori amerikan Jeff Bartos tha se këto takime po shndërrohen në platforma politike që nuk i shërbejnë as paqes dhe as sigurisë ndërkombëtare. Ai theksoi se “koha dhe burimet e Këshillit duhet të shpenzohen aty ku janë më të nevojshme” dhe se “UNMIK-u ka tejkaluar rolin e vet që prej vitit 2008”. SHBA kërkoi që raportimet e UNMIK-ut të mbahen një herë në vit dhe pas dyersh të mbyllura, ndërsa e quajti misionin “shpenzim të kotë parash amerikane”, duke kujtuar se Uashingtoni mbulon rreth 25 për qind të fondeve të misioneve paqeruajtëse të OKB-së, përfshirë 10 milionë euro në vit për UNMIK-un. Në seancë, si Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, ashtu edhe homologu serb Marko Gjuriq, shfrytëzuan fjalët e tyre për mesazhe politike të brendshme. Gjuriq e quajti raportin e UNMIK-ut “modest, por domethënës”, ndërsa Gërvalla publikoi në rrjete sociale reagimet e vendeve që e mbështesin pavarësinë e Kosovës, duke anashkaluar kritikat për mungesën e progresit në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, Rusia dhe Kina kundërshtuan qëndrimin amerikan, duke kërkuar që misioni i UNMIK-ut të vazhdojë me të njëjtin buxhet dhe staf. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë diplomatë perëndimorë, këto seanca po shndërrohen gjithnjë e më shumë në arenë politike për poena të brendshme, në vend se të shërbejnë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku

Vlora Çitaku me kritika ndaj qasjes aktuale diplomatike të Qeverisë së Kosovës

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, ka komentuar sot mënyrën se si …