Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kujtuar një moment historik në marrëdhëniet dypalëshe, duke publikuar një fotografi nga hapja e Zyrës së parë të Shërbimit të Informacionit të SHBA-së në Prishtinë, më 5 qershor 1996. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, ambasada ka theksuar rëndësinë e kësaj zyre, e cila për gati një dekadë shërbeu si misioni diplomatik kryesor i SHBA-së në Kosovë, nga viti 1999 deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, kur u shndërrua zyrtarisht në ambasadë të plotë. “E mbani mend këtë ditë apo ishit të pranishëm në ceremoni? Ndani historinë tuaj me ne!” – shkruhet në thirrjen publike drejtuar qytetarëve që mund të kenë qenë pjesë e asaj dite historike. Kujtesa e kësaj ngjarjeje vjen si pjesë e ruajtjes së kujtesës diplomatike dhe marrëdhënieve të veçanta që Kosova ka ndërtuar ndër vite me Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë luajtur një rol thelbësor në proceset e çlirimit, rindërtimit dhe shtetformimit të saj.
