Shefqet DIBRANi: KOLONA E PESTË KUNDËR PAKTIT NATO 3

Shefqet Dibrani: Letër ambasadorëve: Gjumin tim ka kohë që e kanë prishur, këta që po flasin në emër të kombit tim

Do ta duam Kosovën, sepse është lutja ime e përhershme para se dua të flejë. Është ëndrra ime të cilën dua ta shohë çdo natë, se malli për të ma ka pleksur zemrën në këto dyzet vitet e mia në mërgim. Jeta ime, përkushtimi im dhe ngadhënjimi im letrar, mbajnë këtë emblemë dashurie që ka emrin Kosovë. Gjyshërit e mi, babai im dhe pinjollët e kësaj rrënje, jemi pjesë e këtij populli që qëndruam në këtë vend atëherë kur në fshatin tonë nuk kishte njeri që lexonte letra, qëndruam edhe atëherë kur na fshinë magjen në emër të tepricave atëherë kur nuk patëm bukë të tepruar. O Zot me çfarë vuajtjesh kemi lëshuar rrënjë si pema mbi këtë dhe!

 Nuk u ligështuam as kur na i vranë demonstruesit që kërkonin Republikën e Kosovës në vitin e largët 1968, dolëm shumë më të fortë edhe kur e burgosën inteligjencën tonë në vitet e 70-ta. Pranvera kosovare e vitit 1981, ishte kthesa e madhe e brezit tim, po më shumë e atyre që qëndruan nëpër burgjet e RSFJ-së, të atyre që u flijuan. Ne ishim këtu kur na është mbyllur gazeta “Rilindja” dhe Radio Televizioni i Prishtinës (RTP), si dhe kur na janë mbyllur shkollat dhe Universiteti.

Qëndruam se ne kishim një Elitë Intelektuale e cila iu printe proceseve duke orientuar dashurinë tonë demokratike drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e bashkë me këto aleanca drejt fitores. Ne patëm një rini syzjarrtë e me zemër të fortë, e cila kur askush nuk besonte ata themeluan UÇK-në për ta çliruar Kosovën. Këto përpjekje i kishim lidhur me idealin tonë për Evropën dhe Amerikën. Me këto vende i kemi lidhur shpresat dhe kishim besonim në Zot, se dita e lirisë do të vjen bashkë me Aleancën Verio Atlantike.

Jemi të vetëdijshëm se në mesin tonë kishim domen, andaj udha nuk ishte pa huqe, pa pengesa pa sakrifica. Por asgjë nuk arrihej pa vetorganizim, dhe pa mbështetjen e Evropës dhe Amerikës. Lufta u bë me ato mjete me ato kushte që i patëm dhe që ditëm, po kështu u bë diplomacia dhe përpjekjet e pa reshtura të elitës intelektuale dhe sakrificave deri në flijim të brezave të tërë shqiptarësh.

Por, për këtë ditë nuk kanë mjaftuar vetëm këto sakrifica, e sikur populli ynë të mos qëndronte në trojet e veta, përpjekjet do të ishin të kota, sepse lufta nuk bëhet për toka të humbura, për toka pa njerëz. E nëse dikush duhet të marrë çmimin më të lartë për sukseset tona, merita iu takon atyre që qëndruan në mënyrë stoike në trojet e veta. Prandaj vazhdimisht themi se për Lirinë e Kosovës kanë sakrifikuar të gjithë ata që kanë thithur ajrin e ndotur dhe tymin e plojën e luftës, sikurse ata që kanë thithur aromën e luleve. Edhe e tashmja iu takon atyre që po e jetojmë e gjallërojnë në Kosovë, ndërsa e nesërmja do tu takojë atyre që kanë lindur tashti dhe e të tjerëve që do të lindin nesër, pasnesër dhe në vitet në vijim.

Në këto rrethana që kaloi vendi ynë Kosova, jetoi, rezistoi dhe u shkolla një elitë intelektuale, ajo elitë që i dha emër Kosovës, përmes atyre sakrificave bëri përpjekje për ndryshim dhe emancipim. Pa dyshim, në Kosovë u rrit një gjeneratë e shkrimtarëve e poetëve, e përkthyesve dhe një armatë e profesorëve universitar të cilët me dinjitet i shërbyen këtij vendi, arsimuan breza të tërë, dhe të gjithë ushtarët dhe komandantët e UÇK-së.

Në Kosovë, bashkë me popullin e vet, jetoi kjo Elitë Intelektuale, e cila diti t’i sfidojë të gjitha rrethanat e ashpra politike, shoqërore e kulturore. Ngritën institucione edukativo arsimore, ngritën vlera, dhe emancipuan shoqërinë, duke u bërë pjesë kulturore e emancipimit evropian dhe atij amerikan. Gjithmonë këtu jetoi populli me shpresën më të madhe se liria do të vjen një ditë. Një popull i frymëzuar në dashurinë që patën për këtë vend Elita Intelektuale dhe njerëzit e vyer të këtij vendi të cilët i dhanë emër Kosovës!

Elita Intelektuale, e mbijetoi shtetrrethimin, orët policore, izolimet, diferencimet, të cilat iu vinin nga demonët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë që flisnin shqip, struktura të cilat ishin rreshtuar në shërbim të armikut. Ajo elitë intelektuale jetoi e bashkëluftoi edhe me ushtarët e UÇK-së, të cilët qysh në luftën e tyre janë shantazhuar nga demonët e futur brendapërbrenda fronteve duke shpërndarë urrejtje për elitën tjetër intelektuale, që kujdesej për shkollat e spitalet dhe punonin tokën dhe mbanin familjet. Gjithmonë profesorët e katedrave janë përgjuar nga këta demon, të cilët në cilësinë e përkthyesve ishin vargëzuar në anë e armikut, ata raportonin për çdo gjë që ndodhte në Prishtinë, ata shtrembëronin lajme të paqena, ata minimizonin luftën e UÇK-së dhe varrosnin arritjet që ndodhnin kudo në frontet e luftës. Pra Elita Intelektuale e Kosovës kishte një luftë të gjatë dhe permanente, të cilën e ka fituar me dije dhe sakrificë, me durim dhe mbizotërim të faktit shkencorë.

Linçoheshin shkrimtarët, librat e të cilëve ndaloheshin, madje bëheshin kartuç, e shumë nga autorët janë burgosur për fjalën e lirë, ashtu sikurse nga redaksitë që përjashtoheshin dhe diskriminoheshin, e kjo luftë shtrigash nuk arrihej vetëm, strukturave serbe iu ndihmonin demonët që ruanin vëllazërim – bashkimin, ashtu siç janë bërë sot, beden për ta ruajtur Amerikën, jo pse ajo ka nevojë, por të mos kenë kontakt me këtë elitë nga e cila çmenden bijtë e eprorëve dhe komisarëve të LKJ-së, të cilët në secilën kohë loznin rolin e djallit, mbi këtë tokë, duke shkaktuar dhembje e vuajtje të panumërta.

Askush nuk mundet me mohuar se atë që bëri luftëtari në frontin e luftës me armën e tij, e bëri intelektuali në frontin e dijes me penën dhe rezistencën e tij, sado që elementi i demonëve ua kishte sjell shpirtin tek hunda. Intelektuali ishte viktima më e pafajshme, atë e shantazhinin demonët komunist dhe e torturonin strukturat e atij sistemi, kurse sot bijtë e tyre, i kanë izoluar duke e përjashtuar nga proceset, duke mos përjashtuar as të ashtuquajturin “Brezi i Republikës”, të cilët thuhet se janë të shkolluar në Amerikë, por atë kulturë politike që sollën në Kosovë, nuk ngjason të ketë të përbashkët me pragmatizmin amerikan, ata tashmë janë shndërruar ne një lukuni që prodhojnë intriga kundër elitës intelektuale, veteranëve të demokracisë, qoftë brenda partisë ose në nivel vendi.

Intelektualët qëndruan afër popullit, në duart e tyre janë vrarë fëmijët, nga serbet e hakërruar të ndihmuar nga domenet shqipfolës, e sot iu kufizohen të ardhurat, përjashtohen nga pune dhe iu mbyllet goja vetëm për ti nënshtruar. Elita intelektuale, janë autorë të kronikave të gjalla, ata i dhanë shpirt Kosovës, jo këta që si klientelë e shefave kriminel u ngjitën lart, u futën në lista për tu bërë pjesë e krimit politik dhe atij ekonomik. Në një shoqëri në të cilën “Listat Zgjedhore”, i përbëjnë 90%, klandestin të ardhur nga rruga dhe nga institucione me të kaluar kriminale, nuk mund të flasim për demokraci, e as për shtet ligjor, kur janë leva të krimit të organizuar, ato banda “vet ose prindërit e tyre”, e kishin bërë jetën në Kosovë të padurueshme. Ky brez në emër të asaj se na qenka shkolluar në Evropë ose në Amerikë, e kanë bërë jetën e intelektualit, jetën e shkrimtarëve të padurueshme, kurse metodologjia e linçimet dhe eliminimet janë të dukshme, sado që në këto emocione e entuziazmi po shkelet çdo vlerë dhe çdo kod moral, i kulturës dhe traditës që kishim si popull dhe si shoqëri njerëzore.

Edhe Kosova ka shtresë elite, ka studiues e shkencëtar të cilët gjatë tërë jetës i ballafaquan dijet e tyre me homologët e tyre serb duke ngadhënjyer e vërteta shqiptare mbi atë serbe. Për fat të keq edhe kjo kategori nuk përkrahet, përkundrazi “Brezi i Republikës”, është dëshmuar se nuk i dëshiron afër, as këtë brez i cili tërë jetën ia kushtoi studimit shkencor, historik e faktografik.

Janë këta intelektual që jetuan bashkë me vuajtjet e popullsisë në kohën kur mercenar e domen, janë kthyer tashti si hyzmeqarë të zellshëm dhe pjesë e klaneve mafioze për të grabitur edhe atë që ka mbetur.

Elita intelektuale sakrifikoi dhe me dinjitet i sfidoi kohërat, por ky “Brezi i Republikës”, po ua shkatërron bijtë, prandaj zhgënjimi është i madh, pa durueshmëria në kulm, andaj kemi ikje masovike për t’i shpëtuar këtij brezi që po tallet me Kosovën ashtu siç janë tallur edhe prindërit e tyre.

Sot të bijtë e etërve komunist na flasin për paqe e për demokraci, ata na flasin për miqësinë e përhershme me Amerikën dhe shyqyr Zotit që amerikanët nuk i kanë dëgjuar kur kjo kategori na fliste për vëllazërim-bashkimin, dhe për kombin e tyre jugosllav. Tash në krye të partive janë veshur me pushtet politik e shtetëror, shohim se si ujku është mbështjellë me lëkurë qengji. Këtë kozmopolitizëm e këtë çaraveshje për demokracinë e ndeshim edhe të popujt tjerë, kryesisht me të kaluar komuniste, e cila si doktrinë edhe për pesëqind vjet do ta torturojë botën demokratike dhe shoqërinë njerëzore.

Strukturat e tashme politike flasin me emocione patetike për viktimat e luftës, por vetëm në përvjetorë, kur shkojnë tek varret ose gjatë fushatave zgjedhore, sa për të mashtruar popullin i cili vetë ka pasion për tu mashtruar, kurse të nesërmen, pasi të kenë votuar do të këlthasin se edhe ky apo ajo na mashtroi?!

Padyshim intelektuali është simboli i emancipimit në të cilën gjendet kodeksi moral i qytetarisë evropiane, jo i këtyre që kanë devijuar, të cilët edhe vet e dinë se të pavlefshëm janë, të pa dobishëm dhe madje edhe tradhtarë. Shih sot klientela politike si tradhton, kurse tradhtinë e kanë ngritur në kult, madje duke ua kaluar edhe serbëve. E kjo elitë politike, madje e shkolluar edhe jashtë, po manipulojnë me ndjenjat kombëtare, ndërsa popullin e kanë shndërruar në turmë e cila shkel edhe mbi parimet e tyre themelore. Por, turma iu duartroket në mënyrë patetike, pa qenë e vetëdijshme se po përkrah një diktator a diktatore të re, për të cilën vet përkrahësit dhe votuesit një ditë pas fitores do ta akuzojnë e shajnë, kurse sloganin e bërë bajat do ta përsërisin se “ky ose kjo na tradhtoi?!”

Edhe në këto rrethana, intelektualët dhe shkrimtarët, përsëri do të ballafaqohen me defektet e liderëve të rinj që janë shndërruar në patericë të shefave të tyre gjysmë të paralizuar, duke u bërë beden i demokracisë ata po dhunojnë dhe po e persekutojnë mendimin intelektual dhe veprimin shkencor, ku do të pësojnë edhe shkrimet kulturore të shkrimtarëve polemizues nga këta demonë që po e gllabërojnë lirinë e Kosovës.

Natyrisht shkrimtarët luftohen nga demokratët, luftohen nga anarkistët, ashtu siç janë luftuar dje nga komunistët në pushtet. Sot bijtë e tyre të transformuar në truproje të anarkisë shesin moral human dhe reformues!

Të jesh intelektual dhe të mbetesh Njeri është arritje mbi shekullin e teknologjisë informative, të jesh shkrimtari i rebeluar, do të refuzojë shtypi jugosllav në gjuhën shqipe, por është një nder më shumë. Pastaj të jesh shqiptar emigrant në Evropë dhe të dëgjosh çirrje e atyre që janë kthyer nga Evropa dhe Amerika për ta shkatërruar demokracinë dhe Kosovën është dhembje e përhershme që ta prish gjumin edhe në pikë të natës. Andaj të dashur miq Ambasadorë, gjumin tim, ka kohë e kanë prishur këta që po flasin në emër të KOMBIT tim!

FUND

St. Gallen, 30 shtator 2019.

*Sh. Dibrani, është autor i 25 librave të cilët kryesisht i trajtojnë zhvillimet politike në Kosovë. Ai prej më shumë se tre dekadash jeton dhe vepron në Zvicër.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Angazhime të pandërprera të Fatmir Xhelilit dhe të Hilmi Ramadanit. (E hënë 30 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Angazhime të pandërprera të Fatmir Xhelilit dhe të Hilmi Ramadanit. (E hënë 30 nëntor, 1998)

Në mëngjes kam biseduar me Fatmir Xhelilin dhe Hilmi Ramadanin, të cilët janë të pandashëm …