Shefqet Dibrani: PROZA E MUHARREM BLAKAJT

(SILOGJIZMI LETRAR PËR SIMBIOZËN ME THESARET Muharrem Blakaj: “THESARET E HUMBURA”, roman, botoi ShKSh “Mëmëdheu”, St. Gallen / Prishtinë 2005, faqe 156. ISBN: 9951-423-04-3)


Romani i Muharrem Blakajt “THESARET E HUMBURA”, është një vepër letrare e veçantë, qoftë për tematikën e qoftë për mënyrën e rrëfimit, sidomos për konceptimin e ngjarjes. Muharrem Blakaj ka arritur të avancoj mënyrën eshkrimit, duke e bërë veprën – rrëfim interesant, një materie letrare që percepton me kujdes ngjarjen e cila lidhet me zhvillimet historike, duke e mbajtur lexuesin në ankthin e asaj ngjarje që ka ndodhur në kohëra të largëta. Ky roman i shkruar me kujdes, rikujton ato vite, ato rrethana politike, të njohura për shumë kënd. Kjo prozë letrare pa vështirësi mund të bëhet skenar filmi dhe mund të dramatizohet duke nxjerrë një film a vepër skenike për “thesaret e humbura” me vlerë dhe interes specifik.


Thesaret e humburaAutori, qysh me romanin e tij të parë “Misioni sekret” ka dhënë shenja të një autori serioz për prozën e gjatë – romanin. Me romanin “Thesaret e humbura”, vetëm sa e ka sforcuar rrëfimin duke e bërë tekstin më konciz dhe romanin më të pranueshëm në aspektin estetik.  Pa dyshim autori, me këtë roman i qon edhe më tej vlerat letrare në fushën e prozës, duke sjell për lexuesin një roman edhe më të realizuar në aspektin ideor, vlerë kjo që e ngrit edhe anën estetike por edhe atë përmbajtjesore të romanit në përgjithësi.


Ngjarja e këtij romani zhvillohet në një “qytet” që gjendet diku në Rrafshin e Dukagjinit, kurse ndodhitë janë vendosur në vitet e tridhjeta të shekullit që lamë pas, në kohën e “stabilitetit?!” të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene (SKS). Themi kështu jo vetëm nga pikëpamja e lëndës që ka shtruar autori por edhe në aspektin historik mund të besohet se vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar ishin vitet kur administrata e Mbretërisë SKS në Kosovë dhe mbarë Rrafshin e Dukagjinit ndihej më e qetë. Ndoshta është edhe kjo një vlerë tjetër e këtij romani kur autori me vetëdije e merr këtë periudhë dhe një “qytet” i cili ndodhet në këto anë, që për njohësit e Kosovës nuk është aq vështirë për ta ditur se për cilin qytet bëhet fjala. Me këtë roman shihet se autori e njeh  mirë fushën e hulumtimit dhe të studimeve gjë që ia kanë mundësuar të shtroj rrëfimin me kaq kulturë, dhe të shpjegoj shtrembërimet e fkteve historike që i ka bërë vazhdimisht Serbia, dhe përmes këtij rrëfimi interesant ka mbrojtur të vërtetën shqiptare për Kosovën.


Në këtë roman Muharrem Blakaj do të shpjegon se këto pushtete kanë dëmtuar e asgjësuar objektet e kultit dhe të fesë, madje kanë dëmtuar edhe varrezat, pastaj kishat dhe kalatë e ndryshme, mënyra këto që mendonin se ua mundësojnë për të kryer misionin e tyre shkatërrues mbi të gjitha monumentet arkeologjike që i ruante nëntoka e këtij vendi. Siç shihet edhe nga romani ekspedita serbe do të shkon në “Krahinë”, në një “qytet të huaj”, përkatësisht të paidentifikuar, për ta zhbërë ekzistencën e popullit shqiptar, dhe në aspektin historik për t’ia shkatërruar vlerat nëntokësore që janë ruajtur për shekuj të tërë…


 


Muharrem Blakaj THESARET E HUMBURA…


(Fragment)*


Rruga ishte e ngushtë, me lisa e gjerdhe anash. Tutje shiheshin ara të mbjella me misër. Pa livadhe të kositura. Gjatë rrugës takoj fshatarë, të cilët porsa i diktonin, kokulur ua lironin udhën. Thesaret e humbura. Asnjëri nuk fliste. Dëgjoheshin vetëm zhurma e guralecëve që krijohej nën peshën e çizmeve të tyre. Rruga, pas një bërryli, mori kah në të djathtë, duke u futur nëpër disa bokërima të shkreta, e pastaj në një mal të dendur e plot dushk. Ju bë se tutje, në thellësi të malit, diku prapa ndonjë shkëmbi kishin zënë pusi kaçakët, të cilët të heshtur prisnin shfaqjen e tyre, dhe…


– … Janë varre krushqish, – ia ndërpreu mendimet Miliqi dhe vazhdoi; – këtu në kohëra të vjetra që askush nuk i mbanë mend, thuhet se kur janë takuar dy palë krushq, asnjëra nuk kanë pranuar t’ia lëshojnë rrugën tjetrës, dhe janë vrarë të gjithë!


– Ishin shqiptar apo serb? – pyeti Van Joviqi.


– Jo, jo! shqiptar ishin! – u përgjigj Miliqi.


Van Joviqi kthej kokën andej. Në një shesh të mbushur me filiza të rinj shkoze, pa varre të vithisura. Ju bë se i pa ata krushq-kalorës, të veshur me tirq e xhamadan, kur shkonin kaluar për ta dërguar në shtëpi nusen e re dhe pikërisht këtu, ishin takuar me krushqit e një krahine, apo katundi tjetër dhe, asnjëra palë nuk kishte pranuar të skajohej në anën e poshtme për të hapur rrugë! Pastaj kishin krisë pushkët. Krushqit malësorë kishin zbrit nga kuajt për të zënë pozita më të mira duke shti pa ndërprerje, deri sa ishin vrarë të gjithë!  Përballë ju shfaq një kodër e vogël. Në fundin e saj u panë shtëpitë e para të katundit. Tupanët tani dëgjoheshin shumë afër, të shoqëruar me zërin gërryes të zurnave. Një turmë të rinjsh rrinin në këmbë buzë rrugës. Ata kthyen kokat drejt tyre. Pastaj, të heshtur ua lëshuan rrugën për të kaluar. Në fytyrat e tyre nuk kishte ndonjë shenjë urrejtje edhe pse dukeshin të ftohët. Akoma pa u afruar, njëri nga të rinjtë iku me vrap dhe u zhduk pas një dere të vogël, e cila u mbyll me kërkëllimë. Ndërkohë pushuan tupanët. Vendin e mbërtheu një heshtje hutaqe. Po nga ajo derë u pa të dilte një plak. Pasi ndalojë në prag të portës, vështrimin e hodhi drejt tyre.


– A pret miq, o i zoti i shtëpisë! – thirri me zë të lartë Miliqi.


– Mirë se ju pruni Zoti!… – u përgjigj plaku po me atë shikim të akullt.


– A je burrë i fortë?! – pyeti Miliqi duke ia zgjatë dorën, në shenjë


miqësie.


– I fortë e me faqe të bardhë! – ia ktheu plaku duke ua shtrënguar dorën me radhë. Deri sa e ndiqnin pas plakun, Miliqi u përpoq t’ua përkthente fjalën „a je burrë i fortë,” e veçmas fjalën „burrëri.”


– Kjo fjalë e thjeshtë, – vazhdoi ai, – të shqiptarët ka domethënie të madhe, që nënkupton besën, guximin, qëndresën, mikpritjen, mbrojtjen e mikut nëse ai rrezikohet si dhe, faljen e armikut kur ai e kupton fajin dhe mbetët i dobët nën mëshirën e tij. Kjo fjalë të shqiptarët është e shenjt, e cila e shtynë shqiptarin të fiket me rob e pasuri vetëm për mos shkeljen e virtyteve të saj!…


Në oborrin e gjerë, kishte shumë të rijnë të cilët kthyen shikimet drejt tyre. Ashtu siç i kishte përshëndetur plaku më parë, edhe ata, me dorën në gjoks, me një përulje të lehtë i përshëndetën. Plaku siç ishte duke ju pri, ndaloi për një çast dhe u kthye nga Miliqi, i cili e kuptoi mimikën e tij, ndaj hoqi pushkën nga supi dhe ia zgjati plakut. Ai me pushkë në dorë, priu i pari drejtë derës së madhe të kullës. Çarmatosjen aq të lehtë të Miliqit nga ana e një plaku, nuk e kishte menduar askush. Frika nga ndonjë grackë tani lëvizte lirshëm në fytyrën e çdonjërit. Miliqi, përkundrazi, e ndjente vetën shumë më të fuqishëm se sa më parë kur e kishte pushkën në krah.


 


– Pra, – vazhdoi Miliqi me të njëjtin ton – tani ne, jemi në besën e të


zotit të shtëpisë dhe fisit të tij. Për besën, apo fjalën e dhënë, shqiptari


e vë në shërbim të saj jetën, plëngun dhe gjithë çka ka! Për shembull, nëse


ne do të sulmoheshim nga dikush, këta do të vriten deri në shfarosje për të


na mbrojtur ne, dhe fjalën e dhënë! Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e


mikut, – kështu thotë kanuni i tyre!


Në divahane kishte shumë burra. Me t’u shfaqur para tyre, u ngritën të


gjithë në këmbë, dhe u kthyen drejt tyre. Me dorë në gjoks, dhe me përulje


të lehtë i përshëndetën. Plaku u priu deri në odë. Edhe aty kishte shumë


burra. Edhe ata i pritën në këmbë, me gjestet të njëjta. Në atë


gjysmerrësirë, nuk ju dalloheshin fytyrat. Zunë vend në ballë, aty ku ua


liruan të tjerët.


– U trashëgofshin! – foli Miliqi, duke ju drejtuar plakut.


– T’u rritë ndera! – ia ktheu plaku.


– Nderë e besë paq! – ia ktheu Miliqi. Miliqi foli edhe për një copë herë me


plakun. Plaku nuk fliste, por herë pas here luhaste kokën në shenjë


miratimi. Pas pak, plaku bëri me shenjë tutje nga burrat. Njëri ju afrua


pranë. Pasi i pëshpëriti diçka pranë veshi, ai iku në drejtim të derës.


Miliqi u kthye nga ata dhe me zë të ulët filloi të fliste:


– Ndera, të shqiptarët ka kuptimin e ruajtjes së moralit, zakoneve,


traditave dhe gjuhës së të parëve. Këto janë virtyte të shenjta për ta, po i


preke në këto virtyte, do t’i kishë armiq të përbetuar! „Dy gisht nderë në


lule të ballit, na i dha i Madhi Zot!” – është thëne nga kanuni i tyre.


Malësori plak ju dha shenjë valltarëve. Fare pranë tyre zuri vend një burrë,


i cili në supe mbante të varur tupanin. Përkrah i rrinin dy burra me zurna


në duar. Derisa ishte duke shikuar drejt tyre, pa dy valltar që kishin zënë


vend në mes. U befasua kur pa së në shokat e tyre shumëngjyrëshe ju vareshin


jataganët!


– Është valle epike dyluftimi, që karakterizon forcën e burrërinë. Kjo valle


luhet kryesisht nga burrat! Ka ndonjë rast të rrallë që, në këto valle


inkuadrohen edhe…! – u dëgjua të shpjegonte Miliqi.


E goditura e tupanit sikur i treti fjalët e fundit të Miliqit. Lëvizjet e


valltarëve në fillim u dukën të ngathëta, të ngadalshme, të hareshme dhe


sipas ritmit të rënave të tupanit, lëvizjet sikur u gjallëruan. Pothuajse në


të njëjtën kohë ata nxorën jataganët nga brezi, duke ndryshuar stilin e


kërcimit miqësor, në atë luftarak. Lëvizjet e gjymtyrëve dhe të trupit,


mimika, shprehjet përmes lëvizjeve, shprehja e mllefit kundër kundërshtarit,


reflekset, të gjitha këto ju dukeshin Van Joviqi sikur ishte duke ndodhur


një gjakderdhje e vërtetë. Ishte drama e tyre tragjike e vënë në lojë!…


Ritmet e shpejtuara sikur filluan të ngadalësoheshin. Valltarët lëviznin


ngadalë, duke i ndeshur në të rrallë jataganët që i mbanin në duar. Dukej se


ishin të lodhur nga dyluftimi, dhe nga çasti në çast do të rrëzoheshin.


Tamam në kohën kur Van Joviqi priste që njëri nga valltarët të mundej, të


rrëzohej, të jepej apo të përfundonte vallja pa të mundur, u dëgjua një zë i


tmerrshëm femre! Muzika pushojë. Qetësja dominonte, ngrirja e valltarëve në


pozita kryengritëse e bëri Van Joviqin të mendonte vetëtimthi së vërtetë po


ndodhte diçka e tmerrshme rrotull tyre. Akoma pa u tmerruar nga ndonjë e


papritur, filluan gjëmimet e tupanëve dhe zëri kumbues i zurnave. Në arenën


ku ishte zhvilluar dyluftimi, u pa të futej triumfalisht një vajzë! Në të


njëjtën kohë burbulluan të goditurat e tupanit të përcjella me zërin gërryes


të zurnave. Vallja mori hov. Valltarët sikur përpiqeshin të gjenin një rast


të përshtatshëm për të goditur kundërshtarin por, po në atë drejtim hidhej


vajza duke ia kursyer valltarit të goditurën. Pastaj, po me të njëjtin ritëm


kthehej nga valltari tjetër duke e penguar edhe atë, dhe në fund pasi mori


dy shamia që i kishte të lidhura në tojat e pështjellakut, dhe me duart


lart, njërën ia dhuroi valltarit që e kishte përballë, dhe pastaj ajo u


kthye nga ana tjetër dhe, gjithnjë duke kërcyer sipas ritmit të tupanëve, ia


dhuroj shaminë tjetrit valltar. Ritmi i të rënave të tupanit u ngadalësua


dukshëm duke i ngadalësuar edhe lëvizjet e valltarëve. Pasi i futën shpatat


në brez u përqafuan me njëri tjetrin në shenjë pajtimi! Ndërkohë, edhe


muzika pushoi.


Van Joviqi i shikonte i mahnitur malësorët valltarë, të cilët kishin zënë të


largoheshin. Pastaj e kërkoi me sy vajzën që kishte kërcyer pak më parë, por


nuk e pa gjëkundi! Ndërkohë, dëgjoi zërin e Miliqi!


 


– Po u fut gruaja në mes të dy burrave të cilët janë në kacafytje e sipër,


ata nuk guxojnë të vazhdojnë përleshjen por duhet të ndahen menjëherë!


Gruaja nuk bie në gjak, thuhet në kanun.


Në arenën e krijuar më parë për valltarët, ia behën dy malësorë të tjerë.


Zunë vend në mes të sheshit rrethuar me burra. Njëri, mbi gju e vendosi


lahutën. Pasi pëshpëritën diçka në mes tyre, vështrimin e hodhën nga plaku.


Ai kishte një pamje të ngurtë. Siç dukej nuk donte assesi të miratonte atë


që rapsodët e kishin ndërmend të këndonin.


– Do të këndojnë për Betejën e Kosovës! – sqaroi Miliqi, me zë të ulët.


Van Joviqi pa nga afër gusllën e rapsodëve shqiptarë. Ishte shumë e


ngjashme, për të mos thënë identike me gusllën sllave. Befas, ju kujtua


libri i Aleksandër Gilferdingut, ku shkruante se serbët nuk ishin në dijeni


jo vetëm për mitin e Kosovës, por as për Lazarin e Jugoviqët.


– Të shqiptarët akoma është i gjallë miti për Luftën e Kosovës. Në netët e


gjata të dimrit, të ulur buzë vatre, pleqtë me krenari, ua rrëfejnë të


rinjve legjendën e betejës së Kosovës dhe vrasjen e Sulltanit nga ana e


Millosh Kopiliqit. Këtë gojëdhënë edhe unë, shumë herë e kam dëgjuar nga


malësorët shqiptarë. Nuk ka shqiptarë që nuk e di këtë legjendë! – fliste


Miliqi me zë të ulët, deri sa rapsodët përgatiteshin për t’ia nisë këngës.


Rapsodët, çuditërisht vazhdonin të rrinin këmbëkryq. Vështrimet e tyre të


qelqta, herë-herë i hidhnin në drejtim të mysafirëve të paftuar. Pamjet e


tyre të dyzuara, jepnin një tablo mospërfillëse ndaj grupeve që e rrethonin.


Këto vinin si shkarkim i dyshimit ndaj të paftuarve dhe zhgënjimit ndaj të


zotit të dasmës, i cili dukej të ishte i pasigurt nga prania e të paftuarve,


ndaj vazhdonte ta shtynte sa më larg urdhrin për t’ia filluar këngës.


– Mund t’ia filloni! – ndërhyri Miliqi me një zë të butë, pasi i kishte


vërejtur dyshimet e tyre.


 


Rapsodët, sikur ta kishin bërë me fjalë, të dy hodhën vështrimet e tyre


drejt të zotit të dasmës, i cili miratoi me luhatje koke.


Ai që e mbante lahutën në prehër, lëvizi pak për të zënë vend më mirë.


Ngriti dorën. Pasi e tundi lehtë harkun, e vuri mbi fillin e lahutës.


Tingulli doli kumbues, me një zik-zake të zgjatur sikur vinte nga një kohë e


vjetër, e humbur nga lashtësia. Van Joviqit ju bë se ai ton i zgavruar i


lahutës, e mori nga kjo kohë dhe e degdisi në një kohë të lashtë, ku nga


çasti në çast pritej të fillonte beteja. Pas pak, lahutari hapi gojën të


këndonte. Van Joviqi ndjeu një lehtësim, pasi zëri i tij, i njëjtësuar me


tingullin e lahutës, sikur e solli prapë nga ajo kohë e lashtë! Zëri filloi


të shkoqitej vetëm atëherë kur fjalët filluan të ndahen në rrokje.


 


M’ish kenë Sulltan Murati…


…dhe akoma pa përfunduar zëri i rapsodit të parë, një me zërin e zgjatur


të lahutës u ngjit zëri i rapsodit të dytë.


Mirë avdes kish pas’ marrë,


Miliqi arriti përmes pëshpërimës t’i përkthente ato që rapsodët i thoshin


njëri pas tjetrit. Kënga epike vazhdonte. Van Joviqi, ia kishte ngulë


vështrimin kapakut të lëkurtë të lahutës, që mbulonte atë zgavër druri,


sikur ishte duke u përpjekur t’i ndrynte brenda asaj zgavre rënkimet


mijëvjeçare të një populli, që nga larg i vinte, si pjesë e shpirtit të tij!


Ishte e mundur vallë që ajo copë druri e vogël e mbështjellë më lëkurë, të


mbante mbi vete shekuj të gjakosur, ushtarë dhe kalorës të molisur, shpata e


shtiza të skuqura nga gjaku. Ju bë se nga goja e rapsodëve tani nuk vinin


ritme muzikore por klithje e britma të dhimbshme ushtarësh, hingëllima


kuajsh, copa urdhrash, gjëmë dhe dënesa të padëgjuara ndonjëherë në jetën e


tij. Ashtu sikurse edhe valltarët më parë, edhe lahutarët, këndonin


tragjedinë e tyre të përmotshme të vënë në epos!


 


Millosh Kopiliqit fjalë i ka çua,,


E teslim ti me mu ba!…


 


Van Joviqi ju afrua Miliqit. Ai ishte duke ia përkthye Fransuas pikërisht at


varg. Përshtypje i bëri se edhe Miliqi sikurse edhe rapsodët shqiptarë,


mbiemrin e Milloshit e thoshin Kopiliqi. Ishte hera a parë që e dëgjonte


këtë, dhe jo nga shkrimet e emisarëve serb të „Naçertanies”, por nga goja e


rapsodëve analfabetë shqiptarë!


Një burrë ju afrua pranë Miliqit dhe i pëshpëriti diçka të veshi. Miliqi e


miratoji me kokë, pastaj vështrimin e hodhi nga i zoti i shtëpisë. Pa u vënë


re u ngrit dhe u zhduk në mesin e burrave.


 


Çojke kamën Sulltani me ja dhanë,


Ky Milloshi, në dorë hanxharin e kish pas,


Me hanxhar Sulltanit i ka ra…


 


I humbur pas fjalëve të eposit, i bëhej se ato zëra nuk ishin të kësaj bote,


por ishin zëra të ardhur nga një kohë e largët, e harruar nga populli sllav.


Ishin të kota përpjekjet e naçertanistve për sajimin e tyre! Ato i kishte


shkelur koha, i kishte mbuluar pluhuri i errët e harresës shekullore. Ju bë


se e pa Millosh Kopiliqin, i veshur në tirq me gajtanë, me përkrenare e


parzmore tunxhi, me hanxharin e tij të gjakosur që e godiste Sulltan


Muratin, pasi ai ia kishte zgjatur këmbën në shenjë nënshtrimi, e jo dorën


për pajtim! Pastaj, pa njerëzit rrotull tij, pasardhës të po atij populli


kryengritës që kishin jetuar nëpër male e shpella duke prerë sulltan e


vezir, për t’i ruajtur virtytet e të parëve të tyre, pa i këmbyer me liri e


pasuri nënshtruese, sikur të populli sllav, që pas humbjes së betejës së


Kosovës kishin pranuar nënshtrimin e sulltanit. Ndërsa sot, priftërinjtë dhe


naçertanistët vajtojnë si mëllenjat disfatat e të parëve të tyre!… Këto


virtyte të shqiptarëve, të ruajtura me xhelozi ndër shekuj, krijuan eposet e


famshme, dhe ja tani, nga dy malësorë rapsodë, riktheheshin me shekuj prapa,


duke u takuar në fushën e betejës me Millosh Kopiliqin! I bëhej se i


dëgjonte vringëllimat e shpatave mbi kokën e mbrojtur të Milloshit, dhe aty


fillonte ikja, zhgënjimi, tradhtia… por tani nuk e ndante dot, ishte ikja


e Millosh Kopiliqit të tradhtuar nga shkina plakë, apo ishte ikja e tij nga


rapsodët shqiptarë, të armatosur me epin e tyre plot gjak!


 


*Fragment nga romani “THESARET E HUMBURA”, Prishtinë 2005.


 


SHËNIME PËR AUTORIN:


Muharrem BLAKAJ (06.01.1959). Lindi në fshatin Vrellë, komuna e Burimit (ish Istogu). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, e përfundoi në Burim. Po atë vit e regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe. Muharrem Blakaj për herë të parë burgoset më 14 dhjetor 1979, kurse për herë të dytë  më 5 shkurt 1987. Herën e dytë në mungesë të provave e lirojnë, ndonëse  një vit më parë UDB serbe ia kishte mbytur të vëllanë  (Xhemailin), në burgun hetues në Pejës. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, policia ia merr dorëshkrimin e tregimeve të përgatitur për shtyp „Monolog i një komiti“, si dhe dy novelat „Balta me gjak“ dhe „Besa“, të cilat nuk i kthejnë asnjëherë.


Muharrem Blakaj, në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshoj Kosovën dhe të kërkoj strehim politik në Zvicër. Ai deri më tani i ka botuar tregimet dhe fragmente nga romanet e tij, kudo në shtypin shqiptarë qoftë në diasporë apo në Kosovë.  Muharrem Blakaj, jeton në Zvicër.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …