Ahmet Selmani, “ABEJA E AKULLT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Feniks”, Shkup 2009
Poeti Ahmet Selmani, i cili jeton dhe krijon në Shkup, duket si i mbetur në një oazë, ku shkretimi letrar e ka sjellë buzë dilemës: të krijojë a të mos krijojë në këtë “dhé ashpëran/ (që) një herë të pjell/ pastaj të ha”, (faqe 35). I vetëdijshëm për rrethanat shoqërore e politike që po kalon kombi ynë, ai sikur më me ngulm i është qasur krijimit letrar, edhe pse konsideron se “nuk është stina e tij”, ai vazhdon, është bërë një zë i rrallë i këtyre anëve. Pasioni i tij letrar ka bërë bujë edhe në këto kohë ndryshimesh ku askush nuk çan kokën për librin, qoftë si lexues i rëndomtë, e lëre më si shtytës a ndihmës në këto procese të dhimbshme qo po kalon shoqëria jonë jo vetëm kulturore.
Ahmet Selmani është bërë i njohur së pari në fushën e studimeve dhe kritikës letrare, e më pas si emër i pranuar në prozën e shkurtër, në ese letrare dhe, së fundi, edhe në fushën e poezisë, ku sivjet botoi edhe përmbledhjen e dytë poetike “Abeja e akullt”.
Nuk e di sa është e nevojshme të theksohet një fenomen që e hasim te Ahmet Selmani, dhe ky fenomen ka të bëjë më tepër me rrugën që ka ndjekur ky autor, sesa me formën që ia ka përcaktuar vetes për t’iu bashkuar kolonës së letrarëve shqiptarë dhe më gjerë.
Ai së pari është marrë me kritikë e studime letrare, si redaktor letrar, ka treguar një afinitet në përkthime. Më pas do të botojë libra me publicistikë, tregime letrare dhe, krejt së fundi, edhe poezi, fenomen ky që ndeshet rrallë, pasi shumica e autorëve, nisin nga poezia dhe përfundojnë në prozatorë, kritik letrar e studiues.
Si duket kjo trajektore e emancipimit letrar, sikur i ka shërbyer këtij autori për të dhënë rezultate të lakmueshme, me përmbledhjen e dytë poetike bëhet edhe më i pranuar, por tashti edhe në fushën e poezisë. Përvoja e tij letrare në fushën e kritikës dhe studimeve letrare do t’ia ketë mundësuar për t’i kapërcyer shumë pengesa që për poetë të tjerë do të duheshin përvoja të gjata. Poezia e Ahmet Selmanit është një poezi e brishtë, me një koncept ndërtimi dhe me imazhe të stërholluara të metaforës poetike, se “mbi gjoksin (e tij) me plagë/ ndalet një flutur e bardhë”, (faqe 16). Ky origjinalitet i tij vjen, siç theksuam edhe më lart, nga përvoja letrare, fenomen që është bërë i dallueshëm, e pse jo edhe i diskutueshëm qysh në titullin e librit “Abeja e akullt”, për të pasuar me ciklet, titujt dhe nëntitujt e poezive, pasi i tërë vëllimi, poezi për poezi, ka nëntitullin si një tekst narrativ me një mesazh pak a shumë sugjestiv: “Kryemësimi – ose ninulla e jetës”, “Duke mësuar veten – ose zgjimi i hershëm”, “Stinë e huaj – ose gjumi i jetëvdekjes”, “Rënia ime – ose gëzimi i kotë”, “Atdheu i qelbur – ose britma e bukur” e kështu me radhë. Sidoqoftë, autori ka arritur të krijojë tipin e vet në kuadrin e poezisë së sotme shqiptare, gjë që është për t’u lakmuar.
Përgjatë tërë lëndës trajtohet fati i individit në një shoqëri në tranzicion, dhe ky ndryshim jo rrallë ka marrë kahe negative për të cilën gjë poeti shqetësohet: “Pika sa s’më bie/ kur e shohë atdheun të qelbur”, (f. 35), megjithatë në të njëjtën poezi lexojmë këmbënguljen e poetit për të qëndruar: “unë s’luaj vendit/ gurit i futem në palcë”, (f. 35). Kjo vendosmëri e poetit shpjegon se është i futur me tërë qenien e tij në vorbullën e këtyre ndryshimeve, dhe duke qenë i pafuqishëm që të ndikojë, ai proteston, jo rrallë ofshan, aty-këtu mallkon, sa që duket sikur shqetësimi i tij intelektual është futur në një krizë të thellë shpirtërore, sidomos kur sheh se njeriu i është sulur edhe zotit.
Por, poeti është mjaft i vetëdijshëm për rolin dhe misionin e tij para kombit, të cilit ai me shkrimet e tij i shërben, “rrugën ta hap/ për njerëzit/ që të ecin/ të lirë”, (faqe 26), me një fjalë ai e di pse proteston, pse ofshan dhe pse mallkon, andaj me lehtësi bën një ndryshim substancial të tekstit: “edhe nëse nuk e gjen/ patjetër duhet ta krijosh”, (faqe 27), kurse mesazhi që lexohet nga poezia në poezi e nxjerr lexuesin nga letargjia.
Këto asonanca krijuese kaq të trishtuara nuk i ndeshim edhe aq shpesh nëpër librat me poezi që krijohen në hapësirën tonë:
Unë bie
po ti pse gëzohesh sikur të kem vdekur (Faqe 30)
Ky lloj krijimi kaq i trishtuar bëhet me të vetmin qëllim, (së paku në aspektin letrar), të ketë funksionin e vet në ndryshimet që po ndodhin. Unë po bie të fle
ti zgjomë vetëm nëse ka
ndonjë lajm të mirë
(Faqe 31)
Poeti këtë nuk e arsyeton gjatë krijimit poetik, këtë e kuptojnë të gjithë ata që e njohin trajektoren e formimit dhe emancipimit të tij si krijues i pasionuar dhe përplot guxim për t’u rrekur me forma krijimi si te vëllimi poetik “Abeja e akullt”, ku do të gjejmë një përsosmëri të vargut, në harmoni të plotë edhe me mesazhin e krijimit.
Poeti shpreh protestën personale përmes poezisë, se një histori “(që s’u shkrua kurrë!), është përrallë e padëgjuar”, (faqe 9), duke lënë për të kuptuar se poezia është e shkruar si një lloj proteste artistike. Duke përshkruar artistikisht jetën qytetare, si krijues ka shprehur edhe dramën e tij të brendshme, qoftë të mendimit apo të përjetimit real. Dramaciteti kaq i madh për të ndikuar në ndryshimet që po ndodhin në shoqërinë e re demokratike, është i arsyeshëm, sepse ai, (më shumë se kushdo tjetër), është i vetëdijshëm se këto zhvillime janë në shpërputhje me kahet dhe zhvillimet shoqërore e kulturore në rajon dhe në shkallë botërore, pasi që, siç thotë ai: “shkretëtira e ka gojën e madhe/ por ti kurrsesi mos lejo të të gëlltisë”, (faqe 28).
Ahmet Selmani i di mirë ndikimet e kombit tonë në Rilindjen evropiane (renesanca evropiane), si dhe ato nëpër vende e kontinente, sepse tashmë janë të tejdukshme, por ai, më mirë se kushdo tjetër, mund t’i dijë edhe ndikimet e paraardhësve të tij në fushën e letërsisë kombëtare, ashtu siç mund t’i dijë edhe nëpërkëmbjet që iu bënë këtyre brezave e atdhetarëve të dëshmuar nga konjuktura të çmendura komunistësh, prandaj shqetësimi i tij nuk ka aq të bëjë me të kaluarën, por me të tashmen, dhe si i tillë shqetësimi bëhet i arsyeshëm dhe mjaft subtil.
Ditët po m’i ha nata
i vjell mbi mue e unë ende kujtoj
se po m’lag shiu
heu ku je vdekje
që m’paske harrue (Faqe 38)
Drama dhe dramaciteti që lexohet brenda këtij vëllimi poetik, janë fatet e një shoqërie të tërë, pavarësisht nga mezhdat që na i vunë, apo mezhdave e hendeqeve që i groposëm vet kundër njëri-tjetrit, të yshtur nga pavetëdija a lakmia e tepruar: “Sërish/ po çapiten varg e varg/ sa të tmerrshëm luftëtarët e paqes/ njëlloj duken si paqësorët e luftës”, (faqe 61). Kjo dramë duket edhe si një lloj aventure e cila i ngjan një varke në detin e hapur përplot me tallaze, se a do të arrijë ajo ta puthë bregun e ëndërruar, varet më shumë nga shkathtësia e drejtuesit të saj, gjë që Ahmet Selmani duket se i ka këto aftësi, pasi vëllimi i tij poetik është i lidhur me heronjtë e tokës. Mënyra metaforike e tekstit përmes vargjeve lakonike sublimojnë përpjekjen e poetit.
Unë
flas kundër së keqes
çdo ditë e pështyjë me vrer
ti ç’dreqin më ndëshkon mua ke frikë ta prekësh ligësinë
që na hëngri të gjallë (Faqe 60)
Kjo sprovë poetike, ky dramacitet krijues dhe ky projektim metaforik, e bëjnë poetin më të afirmuar dhe librin e tij – më të pranueshëm e më shërbyes, jo vetëm në fushën e letërsisë, por edhe në fushën e përditshmërisë sonë kaq të tensionuar nga ndryshimet marramendëse ku “turpin e gëlltisin si bukën e bardhë/ të gjithë janë bërë nofulla e dhëmbë”, (faqe 62).
Ahmet Selmani më shumë se poet, si studiues i letërsisë dhe si kritik letrar, ka bërë kërkimet që i duhen për vite të tëra një poeti, prandaj arritjet e tij qysh në fillimet e poezisë, rezultatet mund t’i kërkojmë në fushat e cituara ku është dalluar si një lexues i thellë dhe njohës i përkushtuar i letërsisë, e veçmas i poezisë, prandaj trajtimi në këtë mënyrë i fatit të njeriut në raport me shoqërinë, del si një koncept i studiuar dhe analizuar mirë: “Ia behin me kokat përpjetë/ s’përulen e s’i luten askujt/ njerëzit ah njerëzit/ e çmendën edhe/ perëndinë”, (po aty f. 62). Raportet e poetit me rrethin dhe shoqërinë janë të thella dhe më perceptuese, ku sinjalet shprehëse dhe mënyra e të shkruarit, i japin atij përmasat madhështore, ku sprovat dhe provokimet për të mbijetuar e kanë cytur muzën krijuese për t’i regjistruar si indikacione që mund të jenë shërbyese se “ditën/ e mbaj në pëllëmbë të dorës”, (faqe 64).
E gjithë drama jetësore e përjetuar duket si refleks dhe reagim i domosdoshme për gjera të paarritshme, për gjera të parealizuara, siç shprehet te poezia “Me engjëj a me djaj – ose vetmi mishngrënëse”, ku poeti shpreh një skepticizëm “me cilët të lidhem më parë/ me engjëjt që duken si djaj/ a me djajtë që duken/ si engjëj”, (faqe 67). Duke e bërë dramën jetësore më të pranueshme, më të arsyeshme dhe, vetë poetin, racional dhe mjaft pragmatik. Në këtë dramë jetësore nuk shohim vetëm një aventurë krijuese, por në të shohim një laborator ku thellë e më thellë janë zhytur mendimet sa humane, po aq edhe filozofike dhe shërbyese për veten dhe shoqërinë në përgjithësi. Ai dramën e tij të përjetimeve jetësore e ballafaqon me dramën e ndryshimeve të gjithëmbarshme të shoqërisë, duke i dalë në ndihmë dhe mbrojtje njeriut të zakonshëm, por duke sugjeruar që “atdheu edhe kur na e kthen shpinën/ s’kemi të drejtë ta mallkojmë”, (faqe 89).
Akti i ballafaqimit, nuk është një gjendje e tensionuar shpirtërore, ose një mllef që autori dëshiron ta shprehë, në këtë rast akti i tillë është një dyluftim, sepse vetë jeta është luftë më vete, dhe secilës i duhen heronjtë. Tani, me këtë rast mund të nxjerrim një përkufizim shërbyes: Pasi përditshmëria jonë i ka nxjerrë heronjtë të paprekshëm dhe luftëtarët – të privilegjuar, edhe protagonisti ynë është luftëtar, sepse ai do të bëhet therror i së bukurës në art e letërsi, e pse jo edhe në përditshmërinë e zakonshme: “O engjëll butëlosh/ ti ke të drejtë të më qortosh”, (faqe 101). Ballafaqimi me të sotmen do të thotë prishje e harmonisë për t’i shërbyer të nesërmes që nuk i dihet.
Nëse autori e ka paksa të theksuar zhgënjimin, ky del si rezultat i dështimeve të njëpasnjëshme që po i bën shoqëria jonë, mllefi i tij duket si një lloj proteste për atë që nuk po e realizojmë dhe është në kompetencën tonë, ndërsa mallkimi më shumë duket si një protestë për gjithë ata që po shkelin mbi “heronjtë” e letërsisë, sepse për autorin “dijetarët” janë heronj mbi heronjtë, pasi ai thellësisht beson se vetëm dija dhe njerëzit e mençur e kanë zhvilluar dhe emancipuar botën dhe shoqërinë njerëzore.
Artikulimi i këtyre fenomeneve është bërë përmes vargjeve metaforike, përmes poemave dhe elegjive që autori i ka zgjedhur sipas shijes dhe momentit të caktuar. Por, mënyra e ndërtimit është rezultat i suksesit dhe arritjeve që ai i ka nga përvoja e gjertanishme, dhe krejt natyrshëm mund të befasohet “pse na ndjek ky mallkim i zi/ ne nuk e deshëm atdheun/ apo ai s’na honeps/ fare”, (faqe 88).
Ahmet Selmani është një personalitet që di ta artikulojë mendimin e tij edhe përmes poezisë, por që kjo është strukturuar dhe konceptuar për të shtjelluar dramën e tij personale. Sepse drama e tij jetësore është edhe drama e kombit, prandaj poezitë janë shkruar me një koncept që të pasqyrojnë më mirë atë dhe shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Ahmet Selmani, shihet se ka punuar gjatë në këtë strukturim dhe konceptim të materies poetike, pasiqë nga poezia në poezi, dhe sidomos nga cikli në cikël zbërthehet më mirë mesazhi i poezisë: “…qyteti ka dy jetë të vërteta/ njërën ia rrëmbeve ti/ tjetrën ia ringjallin/ pëllumbat”, (faqe 76). Ligjërimi poetik i autorit sa vjen e bëhet më lakonik, herë më i ashpër e herë violent, varësisht nga situata dhe tema me të cilën rreket, ku zakonisht shkruhet me një mënyrë poetike, e cila herë pas herë sikur mbulohet me një vello të poezisë sarkastike:
Imzot Noli
dhe ti Lamja im i vogël
nuk më habit ky ndëshkim
më habit ferri që e shohë
e kam ditur të zjarrtë
po ky qenka i akullt
seç vuaj një dënim
të mbrapsht
për punë të mbarë
(Faqe 83)
Degradimi i vlerave, shoqërinë e shpie në degjenerim. Këtij akti të shëmtuar autori i tmerrohet skajshmërisht, prandaj përpjekjet e tij dhe zëri sa qortues po aq edhe ironizues duhet të kuptohet si klithmë intelektuale se ndoshta do të ishte “më mirë në duart e zotit” se në duart e atdheut”, (faqe 88). Në një moment më duket sikur ai është njeriu që gjendet në bregun e detit dhe sheh një varkë duke u fundosur, por ai nuk është në gjendje të ndihmojë. Në këtë rast duart e poetit janë shtrirë nga mirësia dhe lutjet që çdo gjë të mos fundoset nga kaosi i ndryshimeve socio-kulturore që po mëton t’i bëjë shoqëria jonë, dhe pastaj “historinë, historinë edhe një herë ta ribëjmë”.
Jo vetëm kaq, me sa u shprehëm deri më tani, poeti ka ndërtuar një mori refleksionesh dhe imazhesh poetike të sintetizuara me kujdes dhe kulturë. Por imazhi kaq reflektiv dhe metaforat e këtij vëllimi sikur bëhen ujëvarë, që nëpër të shkëlqejnë koralet, duke u reflektuar në imazhin e konceptit dhe librit si tërësi, me një fjalë t’i rrëqeth edhe ndjenjat e trupit:
Ky dhé gjaknxehtë
derën e mban të hapur
të pret me bukë kripë e zemër
po shqiponjat prapë e hanë
njëra-tjetrën
…
(Faqe 40)
Pikërisht këtu gjendet gurra prurëse që kreshpëron mjaft shpesh brenda vëllimit si tërësi, veçmas nuancimet filozofike, inpresionet dhe imazhet e shumta janë edhe një vlerë që aspiron kah lartësia të cilën e mëton autori i librit.
Perceptimi dhe artikulimi i fenomenit, shikuar nga pikëpamja historike e ka ndërtuar imazhin poetik mjaft inpresionues me një potencë perceptuese në rritje, si një artikulim artistik me shije dhe sintetizim estetik, siç duken tre vargjet e para te poezia “Ëndërr Çamërie ose mall i përgjakur” ku ndër të tjera shkruan: “U nisa drejt teje/ po zjarri ma preu udhën/ klithmat m’i çanë veshët”, (faqe 45).
Imazhet që dalin nga këto poezi shprehin qëndrimin inpresionues dhe artikulojnë një koncept sfidues dhe mjaft këshillues, tendencë e dukshme që e hasim nëpër pjesë e pjesëza të librit, përkatësisht nëpër poezi e strofa të shumta të këtij vëllimi poetik. Sidoqoftë autori ka arritur që nga intimja të shprehë të përgjithshmen, gjë që parapëlqehet dhe më lehtë nënkuptohet edhe nga lexuesit e zellshëm, që synim e kanë gjetjen e këtyre imazheve në poezinë e Ahmet Selmanit:
S’kem kohë
me pritë e vajtue
as plagt’ me i shërue
kjoftë bekua e naltue
kjo Shqypnia
jonë
(Faqe 44)
Nëse qëllimi i poetit është që nëpërmes imazhit metaforik, nëpërmes elementeve shoqëruese që e përcjellin poezinë të shprehë ndjenjën e tij të brendshme në njërën anë dhe, në anën tjetër, të ndërtojë portretin e tij poetik, mendojmë se në masë të madhe autori e ka arritur këtë synim, sepse libri edhe si koncept, edhe si strukturë, por edhe si vlerë është mjaft i arrirë. Këtë konstatim e gjejmë te vargjet “pak nga pak ta stolis qenien time/ që jeta të më duket si ëndrrat/ e ëndrrat të më duken/ si jeta”, (faqe 56). Imazhet e tjera që kanë një semantikë të fuqishme gjenden te poema “Abeja e akullt – ose zgjimi i Faik Konicës”, pastaj edhe te poezitë: “Fundfjala e okarinës – ose kënga e emrit”, “Mëkat dashurie – ose këngë trinike”, “Lirimi i Servantesit – ose cubat fisnikë” etj. Por, elemente idolatrike i gjejmë në poezinë “Zemra e dheu – ose letër Kate Xukaros” ku shprehet se: “ti bënë shumë mirë që e ke zemrën te dheu/ por unë s’di si ta sjell dheun te zemra”, (faqe 41). Poezi këto të ngarkuara me një impresion të theksuar alegorik, që vërehet sidomos te amaneti që Konica ia lë Imzot Nolit dhe Lamjes të cilët, siç dihet, për të gjallë të tyre nuk e kanë realizuar këtë amanet. Indikacione të tjera mjaft identike i ndeshim edhe te poezia që ia kushton poetit kuksian Havzi Nela, të cilin diktatura komuniste e pat dënuar me varje në litar: “ti s’je n’tokë/ flatron në qiell/ kurrsesi s’mundem/ me t’përqafue”, (faqe 48). Prandaj, kur dihen rrethanat shoqërore e politike që përcollën kombin tonë, si tonet elegjiake, si mesazhet e poezisë marrin një konotacion dhembjeje, malli e dëshpërimi, që poeti i ka mveshur me një mllef e mallkim poetik për atë që ka ndodhur, me theks të veçantë në të tashmen e trishtueshme, ngase poeti dhe intelektuali sot përbuzet si kurrë më parë, dhe nuk dihet “pse na ndjek ky mallkim i zi/ ne nuk e deshëm atdheun/ apo ai s’na honeps/ fare”, (cituar më parë, f. 88).
Madje kjo përbuzje ndodh edhe me ata poetë që i kanë dhënë emër kombit, dhe me ata që vepra e tyre ka qenë vazhdimisht në shërbim të tij. Nëse poezia shihet nga ky këndvështrim, ajo sikur flet më shumë me të tashmen, ngase edhe ai është i vetëdijshëm se e kaluara është si një perde e mbyllur në shfaqjet teatrale, por e ka frikën se “nëse i mbyll sytë/ do të sundojë harresë e gjatë”, (faqe 115). Natyrisht këto prekje të imazhit impresiv sikur kanë tone qortuese, por refuzimi i vazhdueshëm dhe mospajtimi sikur e bëjnë edhe më kryengritës dhe më të vendosur për të shkuar në heroizma të reja letrare që, dhashtë zoti, e nuk do të na mungojnë, pasi ai “kënaqet kur bënë gjëra të mira”, (faqe 73).
Fundja e fundit kjo është liria e krijimit që, përmes refleksioneve poetike të kësaj natyre e ka thënë dhe shprehur një qëndrim të caktuar, për të cilën më shumë se kushdo tjetër, poeti e ka meritën kryesore për krijimin e veprës dhe për ta përcaktuar imazhin e saj, që me kaq guxim ia ofron lexuesit të tij, “por si çdo njeri tjetër i gjallë/ kam edhe ndonjë të pamirë/ bie fjala jam më i shkurtë/ se sa që duhet të jem”, (po aty, f. 73).
Poeti Ahmet Selmani ka arritur që përmes figurave dhe portreteve të ndërtojë imazhin artistik. Dhe kur ky imazh shpreh ndjenjat e brendshme dhe preokupimet e tij jetësore, ka “shkëlqim dhe marrëzi”, siç i shpreh me poezi:
Pas vetes
po lë shkëlqim dhe marrëzi
ndanë meje
thithni vetëm shkëlqim
marrëzitë mos m’i prekni
shkëlqimin e bëra për të tjerët
për vete marrëzitë
(Faqe 119)
Besoj se vepra poetike e Ahmet Selmanit ka prekur drejtpërdrejt përditshmërinë e secilit. Pastaj poezia bëhet pjesë e njeriut, si një dramë më vete që shpreh preokupimet e një shoqërie dhe rrethi më të gjerë. Kjo potencë e guximshme, kjo alegori e guximit qytetar për t’u shprehur publikisht është një sfidë e re letrare në poezinë e sotme shqiptare.
Nice, Francë, verë 2009.
Kontrolloni gjithashtu
Shqipëria fillon restaurimin e trashëgimisë kinematografike
Procesi i restaurimit të trashëgimisë kinematografike në Shqipëri ka një rëndësi të madhe për ruajtjen …