leoni

Shirley Cloyes Dioguardi: Konfrontimi i rrënjëve të tatëpjetës së Kosovës

Gjashtë vite pasi “pavarësia e mbikqyrur” filloi në Kosovë dhe 15 vite pasi sulmet ajrore të NATO-s i dhanë fund luftës gjenocidiale në Kosovë, dhjetori i 2014 shënon një pikë kthese dëshpëruese në historinë më të re të Kosovës. Ngërçi gjashtë mujor në procesin politik të Kosovës që pasoi zgjedhjet e përgjithshme me 8 qershor dhe që mbaroi me ndarjen e koalicionit që kundërshtonte kthimin e Hashim Thaçit në pushtet si kryeministër dhe të partise së tij, Partisë Demokratike të Kosove (PDK), e ka thelluar deficitin demokratik të Kosovës. Me zgjedhjen nga Parlamenti i Kosovës me 8 dhjetor të Isa Mustafës si kryeministër, Hashim Thaçit si zëvendëskryeministër dhe ministër i jashtëm, Kadri Veselit, ish kryetarit të shërbimit të dyshimtë sekret (SHIK) si Kryetar i Parlamentit, bashkë me emërimin e një numri të madh ministrash dhe zëvendësministrash, politika elite që e ka ndaluar Kosovën të lulëzojë e të përparojë gjatë dekadës së fundit është kthyer në pushtet.

 

 

Përderisa Beogradi ka marrë çdo masë të mundshme që nga fundi i luftës për të mbajtur dominimin e tij mbi Prishtinën dhe për të destabilizuar Kosovën e rajonin, dhe përderisa Perëndimi ende ka për ti dhënë Kosovës sovranitet të plotë dhe ta pranojë atë në institucionet ndërkombëtare, shumica e elitës politike të Kosovës mban përgjegjësinë për përkeqësimin politik dhe ekonomik të vendit sepse ata kanë dështuar që të angazhohen seriozisht në shtet-ndërtim.

– Në vend se të mbështesin sundimin e ligjit, ata i kanë mbushur xhepat e tyre duke kërkuar haraç dhe duke emëruar në pozita të rëndësishme anëtarë të pakualifikuar të familjeve të tyre.

– Në vend se të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, aktivitetet e tyre privatizuese kanë çuar në projekte të diskutueshme që i kanë pasuruar ata dhe partnerët e tyre të huaj.

Si rezultat, papunësia tani është të paktën 40% (është mbi 60% në grupmoshat 18-30 vjeç) dhe rinia kosovare po braktis vendin masovisht, kryesisht në mënyrë ilegale.

Në kundërshtim me deklaratat e tyre se ata nuk luajtën rol në dhënien fund të ngërçit politik të pas-zdhedhjeve, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara ushtruan presion të madh mbi LDK-në, e cila fitoi 30 vende në zgjedhjet e fundit të Kosovës, që ta linte koalicioinin dhe të formonte koalicion me PDK-në, e cila fitoi 37 vende në Parlamentin me 120-vende. Perëndimi preferoi status-quo në mënyrë që të çonte përpara politikën e saj që ta paqësojë Serbinë, të cilën ata në mënyrë të gabuar e shohin si motorrin e ardhshëm të zhvillimit ekonomik dhe politik në Europën Juglindore.

Bashkimi Europian e ka dështuar popullin e Kosovës duke bërë retorikë të thatë për sa i përket dhënies fund të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, përderisa në të njëjtën kohë bëhet bashkë me anëtarët e korruptuar të elitave politike të Kosovës.

BE-ja është bërë pjesë e problemit me zbulimin e kohëve të fundit nga një britaneze se gjykatësit dhe prokurorët që përfaqësojnë EULEX-in kanë mbrojtur politikanë të pushtetshëm duke mbuluar evidencë të korruptimit të tyre.

BE-ja gjithashtu e ka kthyer Kosovën në “geton” e fundit europiane duke e shpërblyer Serbinë e duke mos i dhënë Kosovës liberalizimin e vizave – diçka që Parlamenti i Kosovës duhet të shqyrtojë menjëherë.

Liberalizimi i vizave është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonimik, por edhe për arsyen se izolimi i Kosovës i ka dhënë ngritje depërtimit të rrezikshëm e të paparë të islamit radikal. Përderisa kosovarëve nuk u lejohet të udhëtojnë për në Evropën Perëndimore apo Bashkimin Evropian, ata janë të lirë të udhëtojnë për në lindje në Turqi e më tej. Fundamentalistat islamikë nga bota arabe kanë qenë duke financuar lëvizje politike, ndërtuar xhami aty ku kurrë nuk ka pasur në Kosovë, dhe duke u dhënë para grave që jetojnë në varfëri si këmbim që ato ti veshin shamitë dhe ti dërgojnë bijtë e tyre në shkolla fetare. Për herë të parë që nga 1912 (kur okupimi 425 vjeçar i trojeve shqiptare nga Perandoria Turke Osmane u përmbys) fundamentalistat islamikë, të refuzuar gjerësisht nga shqiptarët në gjithë Ballkanin, ia kanë dalë që të infiltrojnë një popullsi laike muslimane, të cilët kanë jetuar krah për krah me fqinjët katolikë, të krishterët ortodoks, dhe hebrenjt në harmoni për vite e shekuj të tërë. Islami radikal është në kundërshtim me modelin shqiptar të islamit, thelbi i të cilit është toleranca ndërfetare, respekti, dhe mirëkuptimi.

 

Qeveria e SHBA-ve gjithashtu e ka dështuar popullin e Kosovës duke iu bashkuar BE-së në ngritjen elitave politike të korruptuara të Kosovës. Në këtë proces, Amerika e ka abuzuar fuqinë e saj tek shqiptarët, grupi etnik më pro-Amerikan e pro-demokraci në Evropën Juglindore. Duke ia dorëzuar pushtetin pas luftës pothuajse pa përjashtim atyre që do t’u bindeshin kërkesave të Perëndimit. Perëndimi dështoi që të shrytëzonte expertizën dhe shkollimin e shumë profesionistëve kosovarë. Duke qenë e dyta kundrejt Evropës, administrata e SHBA-ve i ka mundësuar Beogradit që të hyjë në vakumin e krijuar nga mungesa e unitetit dhe vendosshmërisë së 28 shteteve anëtare të BE-së, pesë nga të cilat refuzojnë ta njohin Kosovën si shtet i pavarur.

Në të njëjtën kohë, shumë kosovarë e mendojnë vetveten si minoritet i shtypur, të nënshtruar ndaj tekave të Serbisë, Rusisë, dhe BE-së që konspirojnë kundër vendit më të ri në botë. Realiteti është që shqiptarët janë shumica dërrmuese e shtetit të ri dhe në vend se të vajtojnë rreziqet e vërteta e të imagjinuara ndaj egzistencës së Kosovës, zyrtarët e zgjedhur duhen të përqëndrohen në punë të qeverisjes, policisë, ofrimin e energjisë, ujit, shkollimin adekuat, dhe kujdesin shëndetësor për të gjithë qytetarët, dhe të paraqitjes së masave anti-korrupsion në çdo institucion publik, si lokal ashtu edhe në nivel qëndror.

Qeveria e Kosovës e ka fuqinë ta ndryshojë të ardhmen e bisedimeve Prishtinë-Beograd duke marr kontrollin mbi marrëdhëniet me serbët në Kosovën veriore. Gjithashtu, ajo ka fuqinë që ti rezistojë krijimit të gjykatës speciale për krime lufte për Kosovën, kur as shumë pak trupa serbë paramilitare e militare nuk janë sjellur para drejtësisë për okupimin 10-vjeçar të Kosovës, dëbimin e një milion kosovarëve, dhe vrasjen e dhunimin e mijërave pa u ndëshkuar fare prej 1998-1999. Qeveria e Kosovës mund të përqëndrohet në sjelljen e kësaj padrejtësie para vëmendjes ndërkombëtare. Kjo thjesht është çështje e vullnetit politik.

Kosova mund të jetë e suksesshme, por nuk do ta arrijë atë po qe se kosovarët nuk ngriten përballë problemeve dhe nuk bëhen zot të fatit të tyre. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të rrësqasë në një gjendje të limbos politike dhe ekonomike dhe ajo do jetë në mëshirën e fuqive të huaja. Ka ardhur koha që kosovarët, sidomos të rinjtë, ta shfrytëzojnë momentin dhe të nisin veprime jo të dhunshme që të sjellin vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj tatëpjetës që e ka marrë Kosova. Është po ashtu koha që burrat dhe gratë e afta në diasporën shqiptare – shumë prej të cilëve iakanë kthyer shpinën Kosovës që kur pavarësia u deklarua me 2008 – ta ndihmojnë Kosovën që të dalë nga situatata dëshpëruese sociale dhe ekonomike në të cilën ajo gjendet. Përndryshe, Kosova do të vazhdojë të rrësqasë në një limbo ekonomike e politike, dhe do të jetë në mëshirën e vazhdueshme të fuqive të huaja.

 

Pashtriku.com

(Nga Shirley Cloyes DioGuardi – 29 Dhjetor 2014)

Ky shkrim është përkthyer në shqip nga Luan Mazreku

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …