Ish-këshilltari politik i Kadri Veselit, Shkëlzen Dragaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për të rrëzuar mocionin e paraqitur nga ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkohej rrëzimi i disa pjesëve të aktakuzës. Dragaj ka shprehur zhgënjim dhe shqetësim të thellë ndaj vendimit, duke ironizuar qëndrimin e trupit gjykues dhe duke e cilësuar drejtësinë si të varur nga “disponimi dhe moti”. Paneli e rrëzoi mocionin e mbrojtjes me arsyetimin se nuk ka atë autoritet. Me një fjalë, paneli po thotë: ‘unë kam autoritet me të dënu mbi Kushtetutë, ligje e konventa’, ama ‘nuk kam autoritet me të liru nga do akuza’. Drejtësi në rënie të lirë, e interpretueshme varësisht nga disponimi e moti, mbi kurriz të UÇK-së”, ka shkruar ai. Ekipet mbrojtëse të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-ministrit Rexhep Selimi kishin kërkuar që të rrëzohen të gjitha akuzat që lidhen me periudhën para majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999. Sipas mbrojtjes, kjo është periudha jashtë kornizës së kohëzgjatjes së konfliktit të armatosur në Kosovë, e përcaktuar sipas fakteve historike dhe ligjore. Vendimi i sotëm i trupit gjykues për të mos pranuar mocionin është cilësuar nga shumë zëra publikë si vazhdimësi e qasjes selektive dhe politike të Speciales ndaj UÇK-së.
