Shkolla “Kenan Halimi” shënon Ditën e saj dhe përvjetorin e rënies së dëshmorit Kenan Halimi me aktivitete përkujtimore dhe festive

Me një atmosferë festive dhe pjesëmarrje të gjerë të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe mysafirëve, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Kenan Halimi” në Skifteraj ka shënuar sot Ditën e Shkollës, një datë që kujton jo vetëm rrugëtimin arsimor të institucionit, por edhe jetën dhe veprën e dëshmorit Kenan Halimi, emrin e të cilit e mban kjo shkollë. Fillimisht u bënë homazhe tek varri i dëshmorit, nga të pranishmit e më pas u mbajt një manifestim në ambientet e kësaj shkolle.

Në këtë ngjarje, në emër të institucioneve komunale të Vitisë, një fjalë rasti mbajti drejtoresha për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Vitisë, znj. Milihate Ajeti. Ajo shprehu urimet më të përzemërta për këtë ditë, duke vlerësuar kontributin e mësimdhënësve në edukimin e brezave dhe duke theksuar rëndësinë që ka kjo shkollë si vatër e dijes dhe vlerave kombëtare.

“Jeta dhe sakrifica e Kenan Halimit për lirinë e Kosovës do të mbetet udhërrëfyes frymëzimi për brezat që po rriten në këto banka shkollore,” u shpreh ndër të tjera Ajeti, duke përgëzuar të gjithë të pranishmit për përkushtimin në ndërtimin e një arsimi cilësor dhe të dinjitetshëm.

Ndërkohë, drejtori i shkollës, z. Eshref Sadiku, foli për historikun e shkollës dhe rrugëtimin e saj ndër vite. Ai vlerësoi punën e mësimdhënësve dhe përkushtimin e tyre në krijimin e një ambienti të shëndetshëm mësimor, që u ka dhënë dijes dhe vlerave të qëndrueshme brezave të shumtë të nxënësve. Një fjalë përshënetëse e mbajti edhe kryetari i degës së SHFD-së, Xhevxhet Ademi në emër të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe të pranishmit i përshëndeti Selami Halimi në emër të familjes së dëshmorit Kenan Halimi. U ndanë edhe disa mirënjohje për.më të dalluarit dhe kontributdhënësit.

Pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte edhe programi artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës, ku me këngë, valle dhe recitime, ata sollën emocione dhe krenari për shkollën dhe vendlindjen e tyre. Programi u mirëprit nga të pranishmit dhe vlerësua si dëshmi e talentit dhe punës së palodhshme të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Aktiviteti u përmbyll me urime për suksese të mëtutjeshme për shkollën dhe nxënësit e saj, në rrugëtimin drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhme më të mirë për komunitetin e Skifterajt dhe më gjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë publikoj agjendët e aktiviteteve me rastin e shënimit të 14 qershorit – Dita e Çlirimit

Agjenda zyrtare e organizuar nga Komuna e Vitisë – Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport …