leoni

Shkolla Shqipe – Zvicër/ Hapet pika shkollore në Roveredo të Kantonit të Grabündenit

 

Nxënës të shkollës shqipe në Roveredo të Kantonit Grabünden të Zvicrës

Nëntori si zakonisht sjell festë, gëzim në familjet shqiptare kudo qofshin ato, në atdhe apo në mërgim. Dhe ky nëntor në familjet shqiptare në Roveredo të Kantonit të Grabündenit solli gëzim dhe festë sepse fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të këtij vendbanimi në këtë nëntor filluan edhe mësimin në gjuhën amtare – në gjuhën shqipe. Ishte një përpjekje e Shkollës Shqipe” në Zvicër dhe veçanërisht angazhimi i mësueseve Mimoza Qarreti Elshani dhe Egzona Imeri, të cilat së bashku me prindërit hapën dyert e pikës më të re shkollore në Zvicër. 

Mësimi plotësues i gjuhës shqipe zhvillohet në shkollën fillore në Roveredo ( scuola elementare di Roveredo), edhe atë çdo të shtune nga ora 10:00-11:30, ku mësuesja Egzona Imeri i pret nxënësit me gëzim të madh duke i motivuar, që ta mësojnë dhe ruajnë gjuhën shqipe. Ajo përveç orëve mësimore me qëllim kryesor përvetësimin e shkronjave të shqipes, gjatë orëve mësimore të këtij fund nëntori i ka kushtuar vëmendje të veçantë datave historike, veçmas Kongresit të Alfabetit dhe “28 Nëntorit – Ditës së flamurit.  

Këto orë mësimore ngjallën një atdhedashuri të veçantë te fëmijët shqiptarë, si rëndësia  e shkronjave të gjuhës shqipe, dijetarët shqiptarë që përpiluan alfabetin e gjuhës, udhëheqësit e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, flamuri kombëtar etj. Pra ishin disa shenja kombëtare të cilat ngjallën dashuri dhe respekt te fëmijët – nxënësit e shkollës shqipe. 

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …