Shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të Evropës do të udhëtojnë në Holandë për të marrë pjesë në një protestë masive pranë ndërtesës së Gjykatës Speciale në Hagë, më 14 shtator. Protesta mbahet një ditë para dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes dhe organizohet në mbështetje të ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata Speciale, e themeluar në Kosovë në vitin 2015, heton pretendimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat. Pjesëmarrja në protestë pritet të jetë masive. Qytetarë nga Florida, Texas, Nju Jork dhe Miçigani, si dhe nga vendet e Evropës, do të udhëtojnë me avionë, autobusë ose makina. Fatmir Koci, përfaqësues nga Evropa, tha se parullat do të jenë kryesisht në gjuhën angleze dhe mesazhet do t’i drejtohen institucioneve ndërkombëtare dhe Bashkimit Evropian. Organizatorët theksuan se leja për protestën është siguruar nga autoritetet holandeze dhe se nga Kosova do të ketë një organizim të veçantë me autobusë për veteranët. Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, shtoi se protesta do të ketë efekt simbolik, duke shënuar fillimin e dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes. Kjo do të jetë protesta e dytë në Hagë; e para u mbajt në prill të vitit 2023, në fillim të gjykimit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së. Së fundmi, organizata ka mbajtur edhe tubime në Prishtinë për të kundërshtuar padrejtësitë që ata i shohin nga Gjykata Speciale.
