Si u pasqyrua gjendja pas demonstratave në Kosovë, në mbledhjen e mbajtur nga komunistët e Lypjanit më 20 maj të vitit 1981 III

Në fletoren e Proces-verbaleve( Zapisnik) të mbledhjeve të rregullta, e nganjëherë edhe të jashtëzakonshme të komitetit komunal të Lypjanit është pasqyruar e ashtuquajtura situatë e sigurisë pas demonstratave “armiqësore” të filluar më 11 mars të vitit 1981.

Fletorja e parë e proces-verbaleve fillon më 30 prill 1981 me rend dite: “Shqyrtimi i informatës për demonstratat në Kosovë, në komunën e Lypjanit dhe marrja e aksioneve dhe masave ideopolitike”.  Mbledhjen e kishte hapur Hasan Lekiqi, kryetar i konferencës së Lidhjes së komunistëve të Lypjanit. Në mbledhje kishin marrë pjesë, të gjithë aktivistet e strukturave të organizuara politike, ndërsa nga Komiteti Krahinor kishin marrë pjesë partiakët e lartë: Bajram Selimi e Kadri Qerkini.

Në diskutime morën pjesë: Josip Ivanoviq, Tefik Llugiqi, Faik Dedushi, Bajram Selimi,  Faik Dedushi, Bajram Selimi, dhe Hasan Lekiqi. Të gjithë diskutuesit kanë folur vetëm në gjuhën serbe, ashtu sikur edhe është evidentuar në proces-verbalin e shkruar në gjuhën serbe në alfabetin cirilik. Në rastet kur procesmbajtësi ishte shqiptar, edhe kur shkruante në gjuhën serbe, përdorte alfabetin latin.

Mbledhja e dytë është mbajtur më 3 maj, ndërsa mbledhja e tretë më 20 maj të vitit 1981.

Në mbledhjen e mbajtur më 20 maj ishte shqyrtuar gjerë e gjatë situata aktuale politike në komunë dhe në fshatrat e kësaj komune, edhe për fatin se mbledhja mbahej vetëm pesë ditë para datës 25 maj, kur në Beograd dorëzohej stafeta e Titos dhe në nivel federativ festohej ditëlindja e Josip Broz Titos. Në këtë mbledhje kanë diskutuar 16 të pranishëm, disa në gjuhën serbe, disa në gjuhen shqipe, për dallim nga dy mbledhjet e para kur ishte diskutuar vetëm në gjuhën serbe.

 

Në postin e kryetarit të konferencës së Lidhjes së komunistëve të Lypjanit mbledhjen e kishte hapur, Hasan Lekiqi. Ai kishte informuar të pranishmit se për shkak të situatës së rënduar në tërë Kosovën por edhe në Lypjan, organet krahinore kishin marrë vendim që përfundimi i mësimit për vitin Shkollor 1980/1981 kishte përfunduar më 18 maj, gati një muaj para afatit, nga frika se nxënësit e studentët shqiptarë do të organizonin demonstrata. “Neve tashti kemi obligime të shumta për veprime ideopolitike, derisa studentët janë kthyer dhe po qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre. Duhet ta kemi para sysh faktin se ata që kanë zhvilluar demonstrata nëpër qytete, ata do të bëjnë përpjekje për të vepruar edhe nëpër fshatra. Në lidhje me këtë ne kemi marrë disa masa në Komitetin e MPP-së dhe Vetëmbrojtjes  shoqërore.

Jemi mirë të organizuar dhe duhet të punojmë në mënyrë që ta mbulojmë me aktivitet ideo-politik çdo pëllëmbë të terrenit.  Neve presim nga armiku aktivitet diversante në objekte të caktuara. Kemi punuar në këtë drejtim dhe kemi caktuar edhe aktivistë. Çdo gjë në terren e dimë me emër e mbiemër, prandaj duhet të jemi syçelë. Këto ditë kemi sulmin e tretë me radhë të “Zërit të Popullit”, ku Partia e Punës së Shqipërisë, krejt haptas ka marrë anën e demonstruesve të Kosovës dhe ata po mundohen ta nxisin edhe më tej  këtë gjendje. Këtu kemi pretendime territoriale të Shqipërisë ndaj Kosovës. Po ashtu si material bazë duhet të na shërbejë reagimi në “Rilindjen” e “Jedinstvon” e 19 majit. Këto shkrime duhet  të përpunoni në çdo organizatë bazë. Kryetari i komunistëve të Lypjanit, Hasan Lekiqi, veç tjerash kërkonte sy-çelësi maksimale me rastin e 25-majit, meqë konstatonte se armiku do ta shfrytëzojë rastin për veprime armiqësore pikërisht në këtë ditë, në Ditën e Rinisë dhe Ditëlindjen e shokut Tito.

 

Në këtë mbledhje, në fillim të debatit fjalën e kishte marrë komunisti nga fshati Sedllar, tani Shalë,  Jusuf Drenica.

Ai kishte thënë: Të gjitha subjektet dhe bashkësitë lokale janë aktivizuar. Deri tash nuk kemi pasur dukuri të ekseseve. Kujdesi i përgjithshëm është në nivel. Po mundohemi që dukuritë e këqija, armiqësore, t’i eliminojmë. Ka dezinformime, por edhe ato do t’ i luftojmë. Kemi formuar njësinë speciale krahas asaj territoriale…

 

Gjatë debatit në mbledhjen e 20 majit të vitit 1981, komunisti, Bajram Selimi pyet të pranishmit, A jeni të sigurt se armiku pas gjithë këtyre përgatitjeve tuaja do ta realizojë qëllimin e tij, apo jo? Kjo është e rëndësishme për ne, që secili të sigurojë për veten e vetë…. Qytetarëve duhet t’u tregohet qartë qëndrimi ynë.

 

 

Faik Dedushi, nga fshati Kraishtë, me banim në Lypjan, (flet vetëm në gjuhën serbe, procesmbajtësi shkruan serbisht në cirilikë) thotë: Tash për tash territori i komunës sonë është i qetë por kjo nuk do të thotë se armiku nuk do të bëjë përpjekje për ta çrregulluar gjendjen. Qendra e veprimtarisë armiqësore është në Lypjan dhe duhet të kemi kujdes  derisa sa të mbarojë mësimi, më 28 maj. Mendoj se 99 për qind e qytetarëve janë me ne dhe në këtë drejtim kemi harruar regjistrin e të gjithë komunistëve. Duhet t’ i kushtojmë rëndësi punëtorëve…

 

Emin Gashi nga janjeva. Në këtë ndërkohë të gjitha subjektet kemi punuar mjaft duke inkuadruar në to edhe të rinjtë në LSPP si fronti më i gjerë por edhe në organizata e tjera. Në Janjevë kemi kombe e kombësi të ndryshme  dhe deri tani nuk ka pasur eksese dhe besojmë se nuk do të ketë as në të ardhmen.

 

Nebih Gashi, nga Pjetërshtica, komunist, arsimtar, thotë: Neve kemi organizuar roje, patrulla dhe të gjitha subjektet jemi të organizuara mirë. Besoj se armiku nuk mund të na bëjë asgjë, sepse ne situatën e kemi në dorë. Neve me nxënës dhe me studentë kemi punuar mjaft shumë. Nuk kemi shënuar raste të studentëve tanë që kanë marrë pjesë në demonstratat armiqësore. Jam i bindur se nuk do të kemi raste të veprimeve armiqësore as në të ardhmen.

(Që Nebih Gashi bashkëpunonte me nxënës për të zbuluar një të arratisur të asaj kohe, ai me një mënyrë e ka pranuar edhe vetë. Konkretisht ai ka pyetur madje edhe ka kërcënuar dy nxënës së lagjes Qeriqi, për të mësuar se ku ndodhet i arratisuri, i cili prej 3 prillit të vitit 1981 e deri më 11 majit të vitit 1982 kishte jetuar në arrati i ndjekur nga policia e RSFJ-së.).

 

Sejdi Ibrahimi: Ne kemi pasur një nxënës në QAMO (Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar) që ka marrë pjesë në demonstratë. Disponimi i qytetarëve është kundër veprimeve armiqësore dhe besoj fuqimisht  se nuk do të ketë më raste të veprimit armiqësor. Për fshatrat Bujan dhe Grackë e Vjetër nuk jemi të sigurt 100 për qind.

 

Salih Mëziu: Më 14 maj të vitit 1981 kemi mbajtur mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Popullore dhe të Vetëmbrojtjes Shoqërore, në Magurë. Kemi konkluduar se gjendja momentale politike është e  mirë. Kemi shqyrtuar aktivitetin tonë të tashëm dhe të ardhshëm dhe jemi organizuar me një sy-çelësi të lartë. Në bazë të këtij aktiviteti ne besojmë se nuk do të ketë veprime armiqësore.

 

Nazmi Gashi: Kemi mbajtur tubime të ndryshme me të gjitha strukturat politike e shoqërore. Nuk kemi pasur eksese as pjesëmarrës në demonstrata. Më 6 maj kemi shënuar rastin ku nxënësit i kanë gjuajtur me gurë disa punëtorë. Më vonë është konstatuar se fëmijë  kanë qenë duke luajtur kur disa gurë kanë rrëshqitur në drejtim të punëtorëve.

 

Halim Llugiqi: Deri tani nuk kemi pasur eksese. Komiteti i MPP dhe VSH ka aktivizuar të gjitha subjektet  dhe besoj se ne me forcat tona do të japim kontribut në qetësimin e situatës…

 

Adil Rashiti (QAMO)  Neve në Qendër kemi formuar programin e posaçëm aksionar,  të harmonizuar në bazë të situatës momentale. Për angazhimin e këtij plani janë aktivizuar komunistët, Lidhja e Rinisë, organet punë drejtuese dhe organet e tjera vetëqeverisëse. Punën tonë në këtë drejtim e kemi koordinuar me komunistët në komunë dhe aktivistët.  Kemi biseduar me nxënës ku jepet mësimi në gjuhën jo amtare, me qëllim që në procesin mësimor ta kultivojmë bashkim vëllazërimin. Jemi duke i vënë në jetë, konkluzat e Mbledhjes së 16-të, të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Iu kemi dhënë detyra konkrete  kujdestarëve të klasave për të kërkuar përgjegjësi. Prej 20 prillit e deri më 1 maj kemi pasur dukurinë e bartjes së kapelave të bardha (kombëtare)  nga nxënësit shqiptarë, por tani nuk kemi raste të tilla…

Këtë aktivitet po e zhvillojmë çdo ditë. Kemi përjashtuar nga shkolla 18 nxënës, prej tyre 17 shqiptarë, për shkak të pjesëmarrjes në demonstrata,  në Lypjan.

Ne e dimë më së miri se QAMO është vendi më i ndjeshëm për veprimtari armiqësore në komunën tonë. Më 5 maj të vitit 1981 ne kemi mobilizuar të gjithë mësimdhënësit  e dy ndërrimeve. Situata momentalisht është stabile, por duhet të jemi syçelë në prag të festës së Rinisë, më 25 maj deri më 28 maj kur të kemi mbaruar mësimin me maturantët.  Andaj kërkoj ndihmesën Tuaj dhe të gjitha subjekteve të LK-së e të tjera, sepse e kemi mjaft të vështirë përfshirjen e nxënësve në praktikën e nevojshme për praktikantë.  Situatën politike e kemi siguruar mirë, por nuk mund të garantojmë 100 për qind. Sepse kjo varet edhe prej faktorëve të jashtëm.

Në vazhdim të Mbledhjes kanë folur dy komunistë serbë, Marko Vignjeviq dhe Zhivojin Bozhiq fjalët e të cilëve nuk po regjistrojmë, duke qenë se nuk janë objekt  i hulumtimit tonë.

 

Ismajl Jashari: Me masat që kemi ndërmarrë deri më sot  mendoj se në Bashkësinë lokale të Babushit nuk mund ta asgjësojmë armikun.  Duhet të ndërmarrim masa ideo-politike në të gjitha strukturat  e posaçërisht te rinia, apo të grupet e vogla që i kemi lënë jashtë aktivitetit…

 

Bajram Peçani: Në diskutimin e tij u ndal më shumë në sigurimin e objekteve vitale nga Mbrojtja Territoriale  në nivel të komunës.  “Ne në këtë drejtim kemi arritur suksese dhe sipas situatës kemi ndërmarrë edhe masa adekuate. Gjithashtu punën tonë e kemi konsoliduar në të gjitha subjektet.

 

Bajram Selimi:  Dy -tri netët e fundit ka pasur trazira në Konviktet e Studentëve në Prishtinë. Ne kemi marrë qëndrim, që ta ndërpresim mësimin para kohe nëpër fakultete. Gjatë këtyre ditëve nuk kemi arritur t i identifikojmë ata por aksioni ynë do të vazhdojë.

Dy kryesitë e Kosovës  kanë marrë qëndrim që bashkëpunimi me Shqipërisë të mos zhvillohet me Kosovën por me RSFJ-në. Neve,  valën kryesor të armiqve e kemi shkatërruar po jo edhe aktet e tjera diversive, të cilat posaçërisht planifikohen për 25 Maj ( Dita e Stafetës së Rinisë për ditëlindja e Josip Broz Titos, i cili kishte vdekur një vit më parë).

Ne nuk mund të vazhdojmë përgjithmonë me këto masa  administrative, por do të luftojmë ideologjikisht  për çlirimin e vetëdijes së sëmurë të disa personave. Puna armiqësore po vazhdon me  shpërndarjen e materialit propagandistik nga qendrat e jashtme, nga ambasadat e huaja.  Tash për tash Shteti ynë nuk do të insistojë në ndërprerjen e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Është mirë që përgjegjësinë për nxënësi në QAMO e kanë marrë mësimdhënësit. Ashtu duhet të jetë edhe në organizatat e tjera.

Për nxënësit që shkojnë në punë praktike duhet të angazhohen edhe arsimtarët. Nuk presim demonstrata nga armiku por presin akte diversive, parulla armiqësore etj.

Mirëpo, asnjëri prej juve nuk e keni theksuar diferencimin ideopolitik, dezinformimet dhe krejt çka po flitet për këto demonstrata. Është me rëndësi të dihet se çka po flasin ata dhe si po

reagojmë ne.

 

Hasan Lekiqi:  Diskutimi i shokut Bajram mund të na shërbejë si udhërrëfyes për punën tonë të ardhme.  Mund të konstatoj se një punë ideo-politike është zhvilluar mirë, diku më shumë e diku më pak. Edhe në QAMO ekziston përgjegjësi dhe sy çelësi e plotë dhe deri tani organizim i mirë. Neve na kishte  mbuluar nga pak pluhuri i oportunizmit  dhe i liberalizmit  dhe në të ardhmen duhet të punojmë më shumë. Kontinuiteti i punës ideo-politike  duhet të zhvillohet në mënyrë permanente, duke i nxitur të gjitha subjektet.

Vlerësimi ynë sot flet për një mobilizim dhe sy çelësi. Kemi premtuar, jemi optimistë dhe këtë duhet ta dëshmojmë. Nëpër tubime duhet të kemi gjëra të reja, freskime, për të mos kaluar puna në monotoni. Neve duhet të na dërgoni kalendar të mbledhjeve të ftuara, në mënyrë që ta dimë se çka do të trajtohet në to.

Mandej duhet të luftojmë kundër dezinformimeve dhe ju duhet të na informoni se çka po flitet në terren, si po komentohen ngjarjet  e të tjera.

Përgjegjësinë më të madhe, ne, do ta kërkojmë nga komunistët sepse nuk ka vend ku ata nuk kanë depërtuar. Në disa fshatra kemi dukuri të uzurpimeve dhe këto akte duhet të pengohen me masa ideo-politike dhe me ato administrative. Në Golesh ka kërkesa për regres…

Është me rëndësi sesi do t i organizojmë maturantët praktikantë në OPB ( Organizata e Punës së Bashkuar) dhe sa do të kemi mundësi  t; i përfshijmë ata.

Procesmbajtësi: nënshkrimi …

 

 

Në këtë mbledhje, të mbajtur më 20 maj të vitit 1981 nga komunistët e Lypjanit kuptohet fare lehtë se edhe pas përgjakjes së rinisë shkollore e studentore të Kosovës në mars e prill të vitit 1981, ata  i kishin mbetur besnikë LKJ-së, disa madje ishte treguar edhe më besnikë sesa kërkonte partia, madje edhe më agresivë sesa komunistët serbë, sikur ishte rasti i disa partiakëve shqiptarë tashmë të apostrofuar të kësaj komune.

Sa thellë kishte depërtuar ideja e jugosllavizimit ndër komunistët shqiptarë të asaj kohe tregon edhe fakti se asnjëri prej tyre nuk dha dorëheqje për shkak të dhunës kundër liridashësve të Kosovës, madje edhe ata që u përjashtuan nga partia nuk pranuan se ishin kundër programit të LKJ-së lidhur me zhvillimet në vendin tonë. Edhe pse në Kosovë ishin dënuar rreth 12.000 pjesëmarrës e organizatorë, edhe pse ishin vrarë dhjetëra nxënës e studentë, edhe pse ishin diferencuar mijëra të tjerë, asnjëri prej komunistëve të Lypjanit nuk doli në mbrojtje të tyre, madje as më vonë asnjëri prej tyre nuk doli në mbrojtje të autonomisë së Kosovës.

Si ndihen sot ata njerëz?

Si ndihen bijtë e bijat e tyre në krye të PDK-së, LDK-së e partive të tjera politike?

A ka marrë pjesë ndonjëri prej tyre, apo bijave dhe bijve të tyre në çlirimin e Kosovës?

Sa prej këtyre ish  dhe tani këtyre  komunistëve të shpërfytyruar dhe të konvertuar politikisht i gëzojnë frytet e lirisë së Kosovës, mbi kurrizin e atyre që kanë derdhur gjak në vitin 1981 dhe në luftën e UÇK-së?

Janë edhe sa e sa pyetje të tjera që mund t iu drejtohen mbetjeve të idealeve  të bashkim vëllazërimit.

 

Të zhgënjyer në Beogradin zyrtar pas kontributit të tyre shumëvjeçarë, disa syresh edhe kontributit të tyre jetësor,  ata nuk treguan burrëri të pranojnë gabimet e tyre, me faktin se  kishin pranuar të bëheshin vegla të Beogradit për ta dëmtuar interesin kombëtar, por fajtorin e gjenin, e disa syresh pretendojnë ende ta gjejnë, pikërisht te liridashësit, në mesin e atyre që u kishin paraprirë proceseve të shkatërrimit të Jugosllavisë, ata që, sipas tyre, kishin kërkuar para kohës Republikën e Kosovës. Kjo klasë poltrone dhe e klonuar politike, asnjëherë nuk i kërkoi falje popullit, rinisë revolucionare e cila organizoi, udhëhoqi dhe bëri realitet çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe e sllave dhe shpalli pavarësinë. Këta njerëz, nga kjo prejardhje e politikës së perënduar janë pengesë kryesore e aspiratave për bashkim kombëtar, ashtu sikur ishin dikur pengesë për krijimin e Republikës së Kosovës. Këto mendje të retarduara, këta poltronë të përjetshëm të të huajve, këta nostalgjikë të Beogradit dhe të Serbisë, kanë qenë dhe kanë mbetur llumi i shoqërisë, mbetjet dhe jashtëqitjet e Beogradit. Me vetë faktin se ata kurrë nuk kërkuan falje për krimet e tyre kundër bashkëkombësve, madje as pas luftës dhe fitores historike kundër Serbisë, jep për të kuptuar se cili është niveli i tyre shpirtëror, etik e politik, andaj në këtë segment edhe lejohet gjuha e tillë e urrejtjes dhe diskreditimit. Në të kundërtën nuk ka pasur nevojë për ri-shfletimin e kësaj veprimtarie të zezë, të damkosur e të pështirë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, rivarrosen pesë dëshmorët e kombit, në mesin e tyre edhe trupi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova (E mërkurë 2 dhjetor, 1998)

Isa, Elezi, Luani e të tjerë që në mëngjes janë nisur drejt maleve të Berishës. …