Rasti i arrestimit të një piloti kroat dhe të dashurës së tij serbe nga Mitrovica e Veriut, të dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë, ka hapur një kapitull të ri shqetësues për sigurinë kombëtare të Kosovës. Dyshimet se informacione të ndjeshme për lëvizjet e KFOR-it dhe bashkëpunimin me NATO-n janë transferuar jo vetëm në Beograd, por edhe në Moskë, ngrejnë pyetje serioze mbi penetrimin e shërbimeve të huaja në Kosovë. Ekspertët e sigurisë e shohin rastin si pjesë të një “lufte të hapur spiunazhi” që Serbia, me mbështetjen e Rusisë, po zhvillon jo vetëm kundër Kosovës, por edhe ndaj vetë NATO-s. Sipas Burim Ramadanit, kjo është një dëshmi se inteligjenca armiqësore vazhdon të operojë me agresivitet, ndërsa hulumtuesja Jeta Loshaj paralajmëron se boshllëqet në koordinimin mes NATO-s, Kroacisë dhe Kosovës kanë lënë terren të hapur për operacione të tilla. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me ndikimin e mundshëm të këtij rasti, duke krijuar përshtypjen e një indiference të rrezikshme përballë një kërcënimi real. Në këtë situatë, pyetja nuk është vetëm nëse siguria e Kosovës u cenua nga ky çift, por sa të përgatitura janë institucionet për të përballuar një luftë të padukshme, që po zhvillohet prej kohësh në terrenin e Kosovës.
