Pas aksionit të madh policor dhe prokurorial që rezultoi me ndalimin e 109 personave, kryesisht komisionerë të numërimit të votave, skandali i manipulimit zgjedhor në Kosovë ka marrë përmasa ndërkombëtare. Rasti është pasqyruar edhe nga agjencia prestigjioze botërore e lajmeve, Reuters, e cila e cilëson këtë situatë si “turp i rëndë për shtetin e ri që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”. Reuters raporton se hetimet nuk pritet ta zhbëjnë fitoren e partisë së kryeministrit Albin Kurti, pasi dyshimet lidhen me ndërrimin e votave mes kandidatëve brenda të njëjtave lista partiake, e jo mes partive të ndryshme. Megjithatë, theksohet se përmasat e këtij manipulimi përbëjnë një goditje serioze për besueshmërinë e procesit zgjedhor dhe për imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Sipas raportimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte nisur hetime fillestare dy javë më parë, pasi kontrollet e videove nga disa qendra votimi zbuluan parregullsi të rënda gjatë numërimit. Të premten, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmoi se 109 të dyshuar janë ndaluar për ndryshim të votave me qëllim favorizimin e kandidatëve të caktuar. Zyrtarë të drejtësisë kanë paralajmëruar se arrestime të ngjashme priten edhe në qytete të tjera të vendit, çka e bën këtë një nga skandalet më të mëdha zgjedhore në Kosovën e pasluftës. Ky rast ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e administrimit zgjedhor, përgjegjësinë institucionale dhe gatishmërinë reale të shtetit për standarde evropiane, duke e vendosur Kosovën në një pozitë tejet të pafavorshme përballë opinionit ndërkombëtar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
