Smajl Latifi: Në përkujtim të demonstratës së përgjakshme të 27 janarit 1990 dhe dëshmorëve që ranë për liri

Smajl Latifi: Në përkujtim të demonstratës së përgjakshme të 27 janarit 1990 dhe dëshmorëve që ranë për liri

Para 30 vjetëve, Kosova ziente nga protestat dhe demostratat e popullit shqiptar, i cili edhe pse i lodhur dhe dërmuar nga robëria, përsëri që ngritur në këmbë. Populli kërkonte lirinë e mohuar, përpiqej për çlirimin e vet nga zgjedha sllave. Lufta për liri kurrë nuk ishte ndalur. Ajo vetëm ka vazhduar herë me intensitet më të lartë, e shprehur me demonstratat gjithëpopullore të vitit 1981, pastaj përmes burgosjeve dhe përndjekjeve të shumë patriotëve, që nuk pajtoheshin me regjimin tititst, i cili “lejonte” liri ndër shqiptarët, për aq sa ata, luftonin e përpiqeshin për lirinë.

Në këtë vazhdë, vitet 1988, 1989, 1990 po shënonin një valë të re të zgjimit dhe mobilizimit popullor në përpjekjen e gjatë për liri kombëtare. Vëllezërit dhe motrat tona, kishin gjetur forma, mënyra dhe metoda për t’i shërbyer kauzës së çlirimit kombëtar, për t’i dhënë shpirt dhe përmbajtje rezistencës popullore.

Në periudha të ndryshme historike, janari është muaji që skuqi me gjak të pastër tokën shqiptare. Kujtojmë Skenderbeun, Isa Boletinin me shokë, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, Skender Rexhepin dhe Fitim Durakun e shumë ngjarje që ishin si fill i kuq i ecjes së pandalshme në rrugën e lirisë dhe përparimit kombëtar.

Organizatat ilegale, siç ishin LRSSHJ, FRONTI POPULLOR, OMLK, GMLK, etj. më pas LPRK në gjirin e vet kishin djem si Nesimi Elshani, Agron Fetahu, vëllezër e motra si ata, që e kishin vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin, shpirtin revolucionar dhe guximin për të përshkuar rrugën e tyre përmes përballjesh të shumta, për të mirën e popullit, për çlirimin e kombit nga robëria sllave.

Në frymën e këtyre zhvillimeve dhe të farkuar me ide liridashëse të qarta të profesor Ukshin Hotit, të bindur se ato mund të materializohen vetëm përmes përpjekjesh të pareshtura, një grup protestuesish ishin nisur nga Celina drejt Krushës së Madhe, Nagacit, Hoçës së Vogël, Brestocit. Me mijëra protestues po ecnin këmbë nëpër Brestoc dhe po shkonin drejt Rahovecit. Marshi u ndërpre nga lotsjellësit e shumtë dhe përdorimi i armëve të zjarrit të policisë speciale ndaj demonstruesve.

Akoma pa arritur lart, afërsisht kah gjysma e përpjetëzës, përmes megafonit policia u kishte bërtitur, por zjarri i shpirtit të tyre plot hov, ua kishte mbyllur veshët. Kishin bërtitur gjer në kupë të qiellit: “Liri e Demokraci” – dhe gjer në thellësitë e shpirtit e të tokës kishin gjakuar Republikën. Qielli nuk i kishte dalluar, se tokën ndërkaq e kishte mbuluar tymi i gazit lotsjellës.

Vdekja ishte dukur e palogjikshme, por ajo e kishte pasur kuptimin e vet: E vdiste një realitet politik për ta lindur Demokracinë.

Thirrjet e tyre për liri e dinjitet kombëtar, bënë që organizimi i rezistencës të mos topitet, përkundrazi të kërkohen forma të tjera të organizimit.

Ajka e atdhetarizmit, profesori, intelektuali e politologu Ukshin Hoti ishte ideator i kësaj lëvizjeje gjithë popullore e që ndezi peshë zemrat djaloshare. Ai frymëzoi djelmoshat e Lëvizjes ilegale për hapat që duheshin ndërmarrë dhe mënyrën e realizimit të aspiratave shqiptare. Ata e dëgjuan thirrjen e Ukshin Hotit që, “pa humbur kohë duhet të formohen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës”.

Askush nuk mund ta harroj atë ditë janari, e cila në fakt s’i ngjante janarit të bardhë. Fati i popullit tonë shqiptar e deshi që janarët tanë të jenë të përgjakur duke u nisur nga epoka e Skenderbeut, vëllezërit Gervalla e Kadri Zeka, duke pasuar njëjtë me katër dëshmorët që sot po i kujtojmë, e në luftën e ’99 po njëjtë na qëlloi historia. Janarin na e skuqën gjaku i shumë dëshmorëve e martirëve që u vranë nga pushtuesi serb në atë janar të acartë që veç dhimbjen nuk arriti ta ngrijë.

Në horizont shihej se duhet të bëhemi gati me metoda dhe mjete të tjera për ta fituar lirinë dhe jo me fjalë dhe mjete paqësore. Me 27 janar 1990 ranë 4 trima, u plagosën rreth 60 demonstrues rëndë e lehtë. Në Brestoc u derdh gjak lirie. Ky është gjak për Republikën e Kosovës, gjak që do të ujit rrënjët e lirisë, do të frymëzoj të rinj e të reja, brezat tanë të ardhshëm.
…..
Andaj, sot në kujtim të atij janari të përgjakshëm, bëmë homazhe në vendin e rënies dhe në vendin ku pushojnë eshtrat e tyre, në Brestoc, Krushë të Madhe, Nagac dhe Celinë, si dhe u mbajtë akademia qendrore e “Flakës së Janarit” në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zyberaj”.

Poashtu, u bë promovimi i Monografisë ” Shtegtari i Lirisë – Nesemi Elshani” nga autori Qemajl Krasniqi.

Lavdi dëshmorëve të lirisë!
Dritë u bëftë gjaku i tyre!

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Fahredin Hoti: TË MOS HARROJMË KURRË!

(25 vite nga tragjedia dhe gjenocidi serb në Krushë të Madhe)    Në përkujtim dhe …