Sokol Bashota: “Unë jam në çdo vend”, një libër kushtuar shkrimtarit, poetit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Tahir Desku

Sokol Bashota: “Unë jam në çdo vend”, një libër kushtuar shkrimtarit, poetit dhe reporterit të luftës së UÇK-së, Tahir Desku

Tahir Desku, ashtu sikurse ka shkruar në një titull poezie, ishte në çdo vend, në çdo vend të Kosovës, për të cilën, me profesionin e vet të gazetarit të luftës, raportoi për medie vendore dhe të huaja për betejat e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për luftën e tyre kundër pushtuesve serbë, për krimet e serbëve bërë popullatës shqiptare. Raportoi edhe para luftës, fillimisht në gazetën e studentëve Bota e re, edhe për ngjarje sociale, arsimore, kulturore dhe për kronika të zeza. Tahir Desku edhe sot është në çdo vend të Kosovës dhe në shumë vende të botës. Kuptohet, nuk është fizikisht. Por, gjithkund ku flitet për të ekziston një rrëfim i tij dhe i dikujt tjetër për të, krejtësisht i natyrshëm, tërësisht i veçantë. Edhe sa ishte gjallë, edhe tash 12 vjet pas vdekjes së tij, kudo ku flitet për Tahirin dhe kushdo nga miqtë e mi që e kujton, ndien mall për të, për mungesën e tij, për sinqeritetin e tij, për batutat e tij, për dashamirësinë me njerëz, për dashurinë e tij për kulturën, veçanërisht për letërsinë, për veprat poetike të cilat i shkroi me dashuri të madhe edhe kur, fatkeqësisht, bashkëluftëtarëve të tij u rridhte gjaku nga goja. Ai nuk i kishte miq vetëm dy milionë shqiptarë. I kishte miq krejt shqiptarët dhe miq, miqtë më të fortë të shqiptarëve: amerikanët, gjermanët, britanikët etj. Me një fjalë, Tahiri është i pavdekshëm sepse atë s’e lënë të vdesin ata që e kujtojnë në ndenja, në libra, disa duke qeshur, disa të tjerë duke qarë e qeshur njëkohësisht.

Në shenjë homazhi për dritësinë e tij, shpreha dëshirë ta përgatis dhe ta shtyp me vetëfinancim këtë përzgjedhje me poezi marrë nga librat e tij, njëherësh ta sjell në mesin tonë Tahirin pas 12 vjetësh, që të çmallemi dhe të flasim për të.

Kujtime të bollshme me të, para kohës së luftës së fundit në Kosovë, gjatë dhe pas saj, kam dhe unë. Para luftës me Tahirin jemi takuar rrallë, gjatë kohës së luftës pak më shpesh kurse, pas mbarimit të saj, shumë më shpesh. Ishim bashkë, në Kijevë, edhe një natë përpara se të ndërronte jetë.

Kur Tahirin e takoja në luftë më fliste për paraluftën. Kur e takoja në paqe më fliste për luftën. Më fliste edhe për veprat e veta dhe, kur ndonjëherë pinim bashkë e rrinim natën deri vonë, recitonte dhe këndonte vargje nga veprat e veta, veçan nga libri Engjëjt e lirisë, të cilin ua kushton Engjëjve të lirisë, Jasharëve dhe të gjithë të rënë për atdheun, Mujë Krasniqit dhe 36 bashkëluftëtarëve të tij të rënë në pritë në Gorozhup më 14 dhjetor 1998, gjatë kthimit nga Shqipëria në Kosovë e heronjve dhe luftëtarëve që sot janë gjallë, të cilët i bëjnë dritë lirisë së Kosovës dhe të bëmat e tyre zënë vend, pos në historinë më të re të Kosovës, edhe në muzikën folklorike e cila këndohet aty ku mblidhen të festojnë njerëzit e të kujtojnë sakrifica të vogla dhe të mëdha.

Dy fjalë për Orën e Tahir Deskut

Më 7 shtator 2009, katër vjet pas vdekjes së Tahirit, me propozimin tim, organizuam në Klinë, për herë të parë, aktivitetin kulturor Ora e Tahir Deskut, i cili tashmë organizohet çdo vit. Në mesin e familjes Desku, gruas dhe fëmijëve të tij, vëllezërve e nipave të tij, të cilët kishin ardhur t’i përcillnin punimet e këtij aktiviteti dhe të bashkëndienin edhe më tutje për mungesëplotin tonë, kishte edhe shumë dashamirës të fjalës së shkruar dhe të folur, bashkëluftëtarë të tij dhe të mitë, të cilët i bënin homazhe poetit dhe luftëtarit të lirisë, njëkohësisht shprehnin respektin për të dhe nderonin familjen Desku, gjithë Siqevën, gjithë Klinën, Dukagjinin dhe krejt Kosovën.

Dhe, Ora e Tahir Deskut nisi duke u mbështetur në vlerat e veprës së tij dhe me qëllim të hulumtimit dhe të promovimit të vlerave letrare, krijimtarisë poetike dhe zbulimit të talenteve të reja, jo vetëm në Komunën e Klinës, por dhe më gjerë, njëherësh bazuar në nenin 17, në pikën r të Ligjit të Vetëqeverisjes Lokale, numër 03/L-040 dhe nenit 46 të Statutit të Komunës së Klinës, me preferencën e Komitetit për Politikë dhe Financa, të datës 14. 7. 2009, Kuvendi i Komunës së Klinës, në seancën e shtatë të radhës, të mbajtur më 28. 7. 2009, mori vendim për themelimin e manifestimit letrar tradicional letrar Ora e Tahir Deskut, i cili tash e disa vjet mbahet më 7 shtator, në datën e ditëlindjes së Tahirit, nën përkujdesjen time, të zyrës sime dhe të Drejtorisë së Kulturës në Klinë.

Ora e Tahir Deskut është orë e jona bërë për të dhe për shkrimtarë të shquar shqiptarë. Në dhe me Orën e Tahir Deskut deri më tash kemi nderuar poetë, prozatorë, kritikë, studiues që kanë lënë gjurmë dhe vlera në letërsinë shqipe. Do të vazhdojmë të nderojmë edhe më tutje profesionistë të tillë dhe po këta do të na nderojnë poetin më të shquar klinas, i cili, për nga vlerat letrare, i kalonte përmasat kombëtare.

Dy fjalë për këtë përzgjedhje

Ideja për përgatitje të kësaj përzgjedhjeje dhe për botim të saj më erdh në një natë tetori të vitit të kaluar në banesën time gjersa në raftet e librave po rendisja pesë-gjashtë libra që më kishin dhuruar autorë të ndryshëm. Sapo ata i lashë në rafte, i kapa në duar, njërin pas tjetrit, katër libra të Tahirit që gjendeshin pranë-pranë. Nisa shfletimin dhe leximin e tyre. Nga ndonjëri prej tyre mbaja mend ndonjë titull, nga ndonjëri ndonjë varg, nga një tjetër ndonjë strofë. Nga Engjëjt e lirisë, disa poezi. Por, vetëm ideja për këtë përzgjedhje nuk mjaftonte. Duhej të kisha edhe kohë të lirë më shumë, e cila, po si sot, për shkak të aktiviteteve të ndryshme që organizoj unë dhe komuna që udhëheq, më mungon shumë. Po ashtu, duhej të kisha dhe të merrja informacione më të plota për veprën e Tahirit, se për Tahirin kam çfarë t’ju flas një javë. Kështu që, kjo ide nisi të realizohej dalëngadalë.

Thënë të drejtën, atë natë të tetorit nuk e dija saktësisht sa vepra ka shkruar dhe ka lënë Tahir Desku. Engjëjt e lirisë, Prejardhja e dashurisë, Nga biografia e pashkruar dhe Idil dhe vetmi janë katër librat e tij të cilët m’i kishte dhuruar Tahiri me motivacione të ndryshme. Për të ditur nëse ka të tjerë libra, fillimisht u telefonova disa miqve që më shkonte mendja se kishin informacione më të shumta. Pothuajse asnjëri nga ta, pa bërë një kërkim në internet ose në bibliotekë, nuk qe në gjendje të më thotë se sa libra ka botuar Tahiri. I përmendnin dy-tre tituj, por jo të gjithë që i kisha para duarsh. Dikush ma përmendi, më në fund, edhe një tjetër libër të tij, për të cilin nuk isha në dijeni, librin Në cilin gjeth e kam vdekjen, të cilin, po nëpërmjet miqve, e mora pas dy ditësh. Me këtë m’u bënë, gjithsej, pesë libra të tij, shkruar dhe botuar para dhe pas luftës në Kosovë.

Por, prisni dhe pak, se ende kam çfarë të them.

Kur nga librat e tij nisa t’i marr poezitë dhe t’i nxjerr në Word, e dija përgjegjësinë që kishte një hartues dhe përgatitës si unë. Së pari, natyrën e përzgjedhjes. Së dyti, kriterin e saj. Së treti, ruajtjen e origjinalitetit të shkrimit.

Kujtoj dhe jua kujtoj, se përzgjedhje të librave me poezi dhe me prozë janë bërë edhe para vdekjes së shkrimtarëve, por më shumë janë bërë pas vdekjes së tyre, sikurse tash unë këtë. Dhe, ai që bën një këso përzgjedhje, vetëm nga librat e një autori, favorizon më shumë shijen e vet, e cila është shumë e natyrshme që mund të jetë e ndryshme nga e të tjerëve. Prandaj, pa drojë them, se nga librat e Tahirit kam marrë ajkën.

Më tutje, ndarjen e tyre e kam bërë në bazë të titujve të librave prej nga janë marrë poezitë. Në asnjërën ndarje nuk ka numër të njëjtë të poezive. Në njërën ka më shumë, në tjetrin ka më pak. Ndërkaq, kam pasur kujdes dhe ruajtur origjinalitetin e poezive deri në rastin kur: një fjalë e kishte pa vend një presje, një pikë ose një shenjë tjetër të pikësimit, ose kur një fjalë s’e kishte një ë, ose kur foljes mohuese i mungonte apostrofi. Në raste të rralla është ndërhyrë në përshtatje të gjinisë dhe të numrit. Do të thotë, kryesisht kam bërë përmirësime teknike dhe morfologjike. Sintaksa është e njëjtë. Vargjet, po ata. Thyerja e vargjeve, po ajo.

Dy fjalë për tre libra të Tahirit

Vitin e kaluar, në Klinë, në Sallën e Kuvendit Komunal, u mbajt edicioni i tetë i manifestimit kulturor Ora e Tahir Deskut. Sivjet, edhe më mirë se vjet, do ta organizojmë të nëntin, sepse kemi bërë traditë të gjatë të organizimeve kulturore dhe kemi bërë përmirësime për çdo vit aty ku kemi menduar se nuk ka shkuar si duhet dhe ashtu sikurse kemi dashur.

Meqë nuk mbaj mend se kam munguar në ndonjërin prej këtyre edicioneve ku është folur për veprën e Tahirit, ku janë lexuar poezi kushtuar atij, ku janë lexuar edhe poezi të tij, pa drojë them se për tre librat e tij të parë (Prejardhja e dashurisë, Nga biografia e pashkruar dhe Idil dhe vetmi) deri më tash është folur dhe shkruar shumë, më pak sesa për dy librat e tij të fundit Engjëjt e lirisë dhe Në cilën gjeth e kam vdekjen.

Po ashtu, meqë i kam mbaruar studimet për letërsi dhe për dramaturgji shprehja interesim t’i dëgjoja kumtesat e kritikëve dhe të studiuesve bërë veprave të tij me të cilat paraqiteshin në orët letrare dhe kritike për të. Dhe, duke pasur parasysh kohën kur ka shkruar dhe botuar, edhe motivet e temat që trajton në poezitë e veta, disa kritikë e kanë quajtur poet të pushkës dhe të pendës, disa studiues e kanë quajtur poet që i këndoi luftës dhe lirisë. Por, përpara këtyre temave të mëdha kombëtare dhe idealeve të çdo populli të përvuajtur që kërkon lirinë dhe s’kursen jetën për të, Tahiri ka shkruar për dashurinë, për vetminë, për mërgimin, për jetën dhe për vdekjen, për gjendjen e shkrimtarëve dhe të shqiptarëve në vitet e ’80-ta e të ’90-ta në Kosovë, edhe për gjendjen e vet sociale, arsimore dhe kulturore. Pra, para dy librave të tij të fundit, duhet të shihen tre të parët, niveli i tyre retorik dhe stilistik, motivet dhe temat.

As sa Tahiri ishte i ri, kur në moshën 25-vjeçare e boton librin e parë, as kur i bën 42 vjet dhe sërish boton libër me poezi, vepra e tij nuk pëson ndryshim forme, madje as morfologjik dhe stilistik, sepse prapë shkruan me varg të lirë, të bardhë do ta quanin teoricienët e letërsisë. Shkruan duke përmbysur rendin sintaksor të shqipes: kryefjalën, kallëzuesin, kundrinën. Pra, s’është e çuditshme që edhe një lidhëz gjendet në fillim të poezisë së tij, edhe një pasthirrmë, edhe një ndajfolje, edhe një folje, edhe një emër, edhe një mbiemër e një çfarëdo pjesë tjetër e ligjëratës. Por, ka raste kur, në ndonjë poezi, në ato të librit të fundit të cilat i bënë tekste kënge për heronj dhe për dëshmorë, shkruan me varg të matur, me ritëm të qetë dhe të vrazhdë, me rima të ndryshme brendore e fundore, me figura të llojllojshme tingullore. Do të thotë, nga ana ritmike, ai nuk është i njëjti poet si në fillim të krijimtarisë, si në fund të saj, të cilën, fatkeqësisht, e mbyll herët dhe tepër shpejt.

Tahiri ka qenë i lidhur shumë me Kosovën, me Rrafshin e Dukagjinit, me Drenicën, me vendlindjen, Siqevën. Subjekte të poezive të tij bëhen edhe anëtarët e familjes së tij, i ati që i jeton në Perëndim e i vjen rrallë, vëllezërit Sejdiu dhe Halili me të cilët i lidh fëmijëria e hershme, ditët e para të shkollimit.

Ai që herët deklarohet kundër përdorimit të armëve mes shqiptarëve, kundër ngatërresave dhe hasmërive, kundër kohës së kaluar. Nuk dëshiron as modernizim të shpejtë. Ai nuk e pret stinën e poezisë (vjeshtën) që të shkruajë. Nuk mund të dallosh se në ç’stinë ka shkruar Tahiri: në pranverë apo në verë, në vjeshtë apo në dimër sepse, në një varg të tij, në të njëjtën poezi, acari të çan trupin, në vargun tjetër shiu i rrëmbyeshëm të nxjerrë nga rruga, po aty të djegë dielli dhe, sapo fshihet pas vranësirave, nis të bredhë era që shkundë gjethet e pemëve në të cilat poeti nis ta kërkojë vdekjen e vet, të cilën, çuditërisht, e kishte paramenduar që në moshën 26-vjeçare, në poezinë Testamenti, në dy vargjet e para të saj: Nëse më gjeni të vdekur ndonjë ditë/ Bri rrugës ndanë asfaltit të nxirë…

Sa për kujtesë dhe për koincidencë, Tahiri u gjet i vdekur përbri rrugës, skaj asfaltit, afër gjetheve, te vendi i quajtur Kroi i Mbretit, më 3 tetor 2005. Këtë testament nuk e la vetëm për familjen, por për të gjithë ata që i lexuan 31 vargjet e kësaj poezie, të cilat, po për koincidencë, korrespondojnë me tridhjetë e një ditët e tetorit, tri prej të cilave i jetoi jo plotësisht.

Dy fjalë për Engjëjt e lirisë

Engjëjt e lirisë është libri i katërt i Tahirit të cilin e botoi menjëherë pas luftës. Engjëjt në këtë libër nuk janë ata që përmendën në libra të shenjtë. Janë disa engjëj të tjerë që, për lirinë e Kosovës, për atdheun, kanë dhënë jetën në luftë, kanë flijuar gjithë familjen, njerëzit më të dashur. Janë dhe disa të tjerë që, edhe pse s’i janë shmangur vdekjes për asnjë çast, ajo nuk u ka ndenjur pranë.

Engjëjt e lirisë është fryt i luftës, i heroizmit dhe i flijimit të Adem dhe Hamëz Jasharit dhe familjes së tyre; i masakrimit të anëtarëve të familjes Deliaj; i komandant Mujë Krasniqit dhe i 36 të rënëve, bashkëluftëtarë të tij, në majën e Gorozhupit; i heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovcit; i heroit Rasim Kiçina e i të tjerë “engjëjve” të luftës, me të cilët mburremi sot përballë atyre që u flasim për luftën dhe për qëndresën.

Engjëjt e lirisë, sikundër thuhet në titull, nuk është libër për njerëz të zakonshëm. Ajo çfarë bëjnë ata ku jetojnë dhe veprojnë është madhështore. Dhe, ata bëjnë jetë në male, në bjeshkë, në fusha, në lumenj. Edhe kur plagosen rëndë, kur humbin gjymtyrë të trupit, të njëjtat i zëvendësojnë me degë të lisave. Nuk zgjedhin as ku të shtrihen të pushojnë e të flenë. Edhe pse janë persona dhe figura historike dhe kombëtare, u ngjasojnë shumë personazheve mitike dhe të bëmave të kreshnikëve. Janë metaforat dhe hiperbolat e forta dhe mjaft të zgjedhura në shumë poezi të këtij libri kushtuar heronjve dhe komandantëve të luftës ato që mitizojnë heroizmin e tyre të vërtetë, edhe idealin e tyre kombëtar: çlirimin e atdheut nga pushtuesi.

Engjëjt e lirisë është thirrje për luftë kundër pushtuesit dhe thirrje për jetesë të lirë dhe të pavarur në shtetin e ri. Thirrja për kryengritje nis që në titull dhe shpërndahet në luftëtarët, në betejat e tyre, në pjesëmarrësit dhe pjesëtarët e luftës, në rafalët e armëve dhe të plumbave që nuk u kërcasin vetëm nga një e dy herë, por nga disa herë dhe që shtrijnë përtokë jo një e dy pushtues, por disa.

Engjëjt e lirisë u bënë ftesë intelektualëve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, etnisë së pastër kombëtare shqiptare, çdoherë ta duan dhe të punojnë më shumë për vendin e vet dhe t’i dalin zot në çdo kohë, përballë çdo mjeti, kujtdo sa herë që bëhet thirrje për mbrojtje të atdheut, sepse ata që vdesin në luftë, duke luftuar për vendin e vet, metamorfizohen në engjëj.

Engjëjt e lirisë dokumenton jo vetëm luftën e UÇK-së dhe nuk heroizon vetëm luftëtarët e saj, të rënët dhe të gjallët, por gjithë ata që e panë luftën me sy.

Engjëjt e lirisë është “muze” i kujtesës kombëtare!

Dy fjalë për librin Në cilin gjeth e kam vdekjen

Ky libër, siç dhe kemi shënuar më sipër, është botuar pas vdekjes së Tahirit, nën përkujdesjen e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i së cilës Tahiri u pat zgjedhur menjëherë pas luftës. Duke pasur statusin postmortem, në disa poshtëshënime të poezive jepen sqarime se poezitë e kësaj përmbledhjeje u gjetën të shkruara me shkrim dore në familjen e Tahir Deskut, në copëra letrash të ndryshme brenda kopertinave të fletoreve të fëmijëve të tij, edhe nga ato tekste të këngëve që i kishte shkruar Tahiri dhe ruajtur në studio të vet Ilir Shaqiri.

Në cilin gjeth e kam vdekjen për nga përmbajtja (vargu, motivet, temat, stili, personat) ngjason shumë me librin e tij të parafundit Engjëjt e lirisë. Madje, mund të themi se çmimi i lirisë nuk matet vetëm në front lufte. Matet edhe me mungesën e bukës, të ujit të pijshëm, të ilaçeve për shërim të sëmundjeve e të infeksioneve. Në këto raste, kur duket se edhe Zoti njerëzve ua ka kthyer shpinën, shtrohet dilema e poetit nëse Zoti është i njëllojtë për të gjithë njerëzit dhe popujt, nëse ekziston, nëse ndëshkon dhe nëse i shikon të gjitha çfarë ndodhin në Kosovë.

Në cilin gjeth e kam vdekjen e vazhdon po atë dramë, po atë heroizëm dhe po atë tragjedi të rreptë që shfaqet në përmbledhjen Engjëjt e lirisë. Vargjet e këtyre dy librave dalin e vijnë nga masakra bërë në popullatën shqiptare nga serbët në Korenicë të Gjakovës në prill të vitit 1999; nga vaji i fëmijëve, i grave, i nënave dhe i kërkim-mëshirës së tyre të kotë kur ngrehin duart lart e i kërkojnë Zotit shpëtim nga njerëzit të cilët fillimisht i therin pastaj, për të gjallë, i presin dhe, duke dhënë shpirt, i copëtojnë, pa pasur frikën e ndëshkimit përtej varrit, pa ndier as dhembje, as keqardhje për krimin e bërë.

Në cilin gjeth e kam vdekjen nuk kërkohet vetëm vdekja e poetit. Aty shohim duke luftuar dhe duke dhënë jetën, po për lirinë e Kosovës: Bekim Berishën (Abenë), Edmond Hoxhën, Jakup Agushin, Visar Krasniqin, Avni Beqirin, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Rexhep Bislimin e Vezir Jasharin, edhe Malush Ahmetin.

Edhe dy fjalë për fund, për Tahirin dhe për veprën e tij

Për Tahir Deskun dhe për veprën e tij do të flitet e të shkruhet gjerë dhe do të flitet e të shkruhet gjatë. Nuk do të flitet e të shkruhet vetëm në Klinë dhe vetëm një herë në vit. Tahiri është poet kombëtar. Ai ishte qytetar i qytetëruar i të gjitha qyteteve të Kosovës. Ai ishte pjesëmarrës, ndonjëherë edhe anëtar jurie, në manifestime të ndryshme kulturore që organizoheshin në qytete të Kosovës. Poezitë dhe veprat e tij janë shpërblyer me çmimet kryesore në disa manifestime.

Për Tahir Deskun, kurdo që publikohet një tekst i ri për historinë e letërsisë shqipe, do të shkruhet për të. Do të shkruhet edhe në tekste shkollore dhe universitare. Do të shkruhet se ishte njeri bujar, se ishte poet i talentuar që shkruante në luftë për luftën, se ishte gazetar i guximshëm që raportonte nga betejat e luftës. Dhe, në krye të tyre, në mesin e poetëve që i këndojnë luftës dhe kërkesës për liri, do të jetë Tahiri, sepse asnjë si ky nuk shkroi vargje për heronj e për heroina, për dëshmorë dhe për luftëtarë dhe për luftën që e përjetoi vetë dhe u angazhua, edhe me pushkë në dorë, për lirinë e brezave të rinj – për lirinë e sotme. Madje asnjë nga ta nuk shkroi tekste të këngëve për heronj më shumë dhe më bukur se ky. Vepra e Tahirit sot është aty ku është letërsia shqipe: këtu në Kosovë, po dhe në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, edhe tek ata shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe që krijojnë vepra artistike, me mall të pashuar për vendlindjen e për njerëzit që u mungojnë e më nuk rrojnë.

Tahiri ishte ai krijues që shkruante vargje derisa pinte birrë ose raki. Shkruante poezi derisa pinte duhan. Shkruante poezi derisa ishte duke ngrënë meze. Shkruante poezi derisa bisedonte me ty. Shkruante poezi skaj rrugës, përbri ndonjë shkëmbi, afër ndonjë lisi e përreth gjetheve. Shkruante edhe kur plumbat i fishkëllenin kah koka. Tahiri e gjente frymëzimin kudo ku gjendej: në mal, në bjeshkë, në lokal, në odë, në shtëpi, në veturë. Ishte poet i çastit dhe ishte jashtëzakonisht kreativ. I qëllonte në xhep edhe një laps dhe një letër edhe në kohën kur fort gjëmonin armët, të cilën britmë dhe gjëmë të luftës e tregoi menjëherë pas luftës.

Edhe pse duket se në luftë Tahiri nuk ka shkruar poezi, sepse Prejardhja e dashurisë botohet në vitin 1982, Nga biografia e pashkruar në vitin 1984, kurse Idil dhe vetmi më 1989, ishte pikërisht lufta ajo që Tahirit si poet i dha jehonë të madhe kombëtare sepse, siç do të duket një vit më pas, vringëllimi i armëve në Drenicë dhe aty ku ai ndodhej, kishte aktivizuar muzat që i gjendeshin brenda mendjes dhe shpirtit, sepse po nga lufta del libri i tij homazh për heronjtë dhe për dëshmorët, Engjëjt e lirisë, të cilin e boton në vitin 2000. Kurse i fundit i lënë dorëshkrim, Në cilin gjeth e kam vdekjen, i botohet një vit pas vdekjes, më 2006. Pra, Tahiri i boton vetëm këto pesë vepra, vetëm këto pesë përmendore poetike, të mbushura me vargje lirike, epike, epiko-lirike, të cilat mezi priste t’i këndonin Ilir Shaqiri, Halit Gashi e ndonjë këngëtar tjetër e mezi prisnim t’i dëgjonim ne këta të fundit. Ndërkohë, fillojnë që poezitë e tij të përzgjidhen e të flasin anglisht (Love and sping) e, pas vdekjes së tij, të botohen libra me përmbledhje të poezive e të kujtimeve të autorëve shqiptarë në shenjë homazhi për të.

Duke pasur nderim të veçantë për të dhe për veprën e tij, edhe kujtime të paharrueshme të njohjes me të në kohë dhe rrethana të ndryshme, përpara se një kurorë më 3 tetor ta dërgoj te varri i tij, kujtimet për të po i filloj në këtë mënyrë, me këtë libër.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …