Sot në gjykaten speciale në Hagë do të dorëzohen dosjet përfundimtare në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Prokuroria, përfaqësuesi i viktimave dhe ekipet mbrojtëse do t’ia paraqesin materialet përkatëse trupit gjykues. Pas këtij hapi procedural, pritet mbajtja e fjalëve përfundimtare nga 9 deri më 18 shkurt, ndërsa me përfundimin e tyre procesi gjyqësor do të konsiderohet zyrtarisht i mbyllur. Të akuzuarit ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. Pas fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë afat tre muaj për shpalljen e vendimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë. Prokuroria i akuzon ish-krerët e UÇK-së për përgjegjësi individuale lidhur me rrëmbimin, keqtrajtimin dhe vrasjen e civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime, përfshirë edhe persona të konsideruar si bashkëpunëtorë të forcave jugosllave apo kundërshtarë politikë. Në proces marrin pjesë 155 viktima. Gjatë fazës së provave, Prokuroria ka thirrur 125 dëshmitarë, ndërsa Mbrojtja 7. Gjykata ka theksuar se paraburgimi është justifikuar me rrezikun e ndikimit ndaj dëshmitarëve dhe pengimit të drejtësisë, duke e rishikuar atë çdo dy muaj. Megjithëse shumica e dëshmitarëve kanë dëshmuar në seanca publike, procesi është kritikuar për mungesë të transparencës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
