Gjykata Speciale në Hagë kanë miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të zbuluar materiale shtesë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Vendimi është marrë më 17 tetor 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, raporton “Betimi për Drejtësi”. Materialet shtesë, të përfshira përkohësisht në listën e provave të dorëzuar nga Prokuroria, përbëjnë të dhëna nga pajisjet elektronike dhe ofrojnë sqarime shtesë për provat e mëparshme. Prokuroria argumentoi se këto dokumente janë të kufizuara në vëllim dhe kompleksitet, nuk shkaktojnë paragjykim ndaj të akuzuarve dhe janë në interes të drejtësisë. Në anën tjetër, mbrojtja e pesë të akuzuarve e kundërshtoi kërkesën, duke argumentuar se shtimi i materialeve në listën e provave nuk përfshihet në kuadrin ligjor të DhSK-së, mund të cenonte përgatitjen e mbrojtjes dhe është bërë jashtë afateve të parashikuara. Gjyqtarja Masselot vlerësoi se kërkesa e Prokurorisë është e justifikuar, pasi materiali shtesë plotëson dhe sqarojnë provat ekzistuese, nuk sjell aspekte të reja, dhe ekziston kohë e mjaftueshme për shqyrtimin e tyre para fillimit të procesit gjyqësor. Ajo gjithashtu konstatoi se kërkesa për ndryshimin formal të listës së provave është e panevojshme, pasi lista ende nuk ishte dorëzuar në mënyrë finale. Ky vendim vjen ndërsa procedurat paraprake në këtë rast vazhdojnë të jenë në një fazë të avancuar, por procesi gjyqësor nuk ka filluar ende dhe nuk është caktuar data për paraqitjen e provave nga Prokuroria.
