Specialja mbyll dëshmitë, por jo kontestimet, kritikat shtohen teksa rasti i krerëve të UÇK-së, hyn në fazën finale

Gjykimi ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara po hyn në fazën përfundimtare, ndërkohë që mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit tashmë kanë zyrtarizuar mbylljen e çështjeve të tyre. Me këtë, procesi hyn në segmentin final të fjalëve përfundimtare – por kritikat ndaj mënyrës së funksionimit të Speciales vetëm sa po shtohen. Në parashtresat e fundit të publikuara, mbrojtja e Thaçit ka njoftuar se nuk ka më as dëshmitarë e as materiale provuese për të paraqitur, duke e shpallur çështjen e saj të mbyllur, në përputhje me Rregullin 131. Edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit ka bërë të njëjtën gjë, duke konfirmuar se nuk parasheh prova shtesë as dëshmi të reja. Ky zhvillim vjen menjëherë pas refuzimit të Speciales për të lejuar dëshminë e Bislim Zyrapit – një vendim që ka ngjallur debat të fortë mbi qasjen e Gjykatës në raport me të drejtat e mbrojtjes dhe barazinë procedurale në proces. Mbrojtja dhe Prokuroria kishin kërkuar shtyrje të afateve, duke propozuar që dosjet përfundimtare të dorëzohen deri më 30 janar dhe fjalët finale të mbahen në mes të marsit. Por Gjykata nuk ka pranuar këtë kërkesë, duke vendosur një dinamikë më të shpejtë: dosjet duhet të dorëzohen deri më 19 janar, kurse fjalët finale do të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt – si dhe më 16 e 18 shkurt. Me këtë ritëm të imponuar, kritikat ndaj Speciales janë shtuar, sidomos për mungesë fleksibiliteti dhe qasjen e saj  ndaj kërkesave të mbrojtjes, që sipas juristëve e opinionistëve, cenon balancën e procesit gjyqësor. Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, trupi gjykues do të ketë rreth tre muaj kohë për verdiktin. Kjo nënkupton që vendimi i shkallës së parë për Thaçin, Krasniqin dhe të tjerët pritet në fund të majit ose më së largu në fillim të qershorit.

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami sfidon Albin Kurtin: Në vend që të akuzojë opozitën për Radoiçiqin, le të tregojë si e la të ikte

Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kundërshtuar ashpër akuzat e kryeministrit Albin Kurti dhe Vetëvendosjes, …