Specialja refuzon provat e mbrojtjes së Krasniqit mbi masakrat serbe: “të parëndësishme” për çështjen

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka refuzuar pranimin e disa provave materiale të paraqitura nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, të cilat lidhen me krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë. Në arsyetimin e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, i ka cilësuar dokumentet dhe raportet si “të parëndësishme” për procesin gjyqësor. Një nga pikat e refuzuara përfshinte një dokumentar të BBC-së, mbi masakrat e kryera nga forcat serbe në Rahovec, në vitin 1998. Sipas Prokurorisë, ky material “përmban vetëm pamje grafike të viktimave” dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me akuzat ndaj Krasniqit. Po ashtu, është hedhur poshtë edhe një raport mbi vrasjen e një shqiptari nga forcat serbe në mars të vitit 1999, me arsyetimin se “përsërit fakte tashmë të gjykuara” dhe lidhet vetëm me krimet e serbëve. Edhe një dokument tjetër mbi pamundësinë e kthimit të shqiptarëve të dëbuar në shtëpitë e tyre në Rahovec, në korrik 1999, është refuzuar me arsyetimin se nuk ka relevancë për akuzat e ngritura kundër UÇK-së. Ndryshe ka ndodhur me materialet e sjella nga vetë Prokuroria, të cilat janë pranuar nga Gjykata edhe kur buronin nga institucionet shtetërore serbe, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin e Sigurimit Shtetëror (BIA), Zyrën për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, si dhe arkivat e ushtrisë e gjykatave ushtarake jugosllave të kohës së Millosheviqit. Ky standard i dyfishtë ka ngjallur reagime të shumta, meqë materialet e mbrojtjes që pasqyrojnë krimet serbe konsiderohen “të parëndësishme”, ndërsa dokumentet e prodhuara nga strukturat e regjimit serb janë pranuar si prova nga Specialja.

Kontrolloni gjithashtu

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, priti në takim Shefin e Mbrojtjes së Turqisë Selçuk Bayraktaroğlu

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me ceremoni ushtarake …