SQARIM PËR OPINION NGA DREJTORIA KOMUNALE PËR ARSIM NË RAHOVEC  

Drejtoria Komunale për Arsim në komunën e Rahovecit e ka parë të nevojshme të sqarojë opinionin publik ndaj disa informatave të pasakta që u plasuan në opinion nga portalet informative në rrjetet sociale. Sikur në çdo vit, edhe sivjet, DKA bën planifikimin e kuadrit arsimor, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e çerdheve, klasave parashkollore, shkollave fillore të mesme të ulëta dhe shkollave të mesme të larta. Në kuadër të DKA-së kemi të angazhuar në marrëdhënie pune 846 punëtorë, ku bëjnë pjesë edukatorët, mësimdhënësit e të gjitha niveleve, drejtorët e shkollave, punëtorët teknikë dhe pjesa e administratës së DKA-së. Punëtorët e arsimit të komunës së Rahovecit, përkatësisht shumica prej tyre kanë kontrata me kohë të pacaktuar (të përhershme) dhe kontrata me kohë të caktuar (të përkohshme). Sa për informimin e opinionit të gjerë, në sistemin arsimor të komunës së Rahovecit asnjë punëtor i arsimit, që ka kontratë të përhershme nuk është larguar nga puna. Nga kjo që u tha më sipër, rrjedh se Drejtoria Komunale për Arsim dhe as drejtori i saj nuk largojnë punëtorët e arsimit nga puna. Ne i kuptojmë pakënaqësitë eventuale që vijnë në shprehje tek punëtorët që kanë kontrata me kohë të caktuar, sepse edhe ata kanë nevojë të punojnë, por në rastet e tilla të gjithë ata e dinë se kontrata e tyre është me kohë të caktuar, e cila ka një datë të fillimit dhe një datë të mbarimit. Në përputhje me udhëzimet administrative DKA zhvillon edhe procedurat e konkurseve për plotësimin e vendeve të lira pas mbarimit të afateve të kontratave të përkohshme. Ne në DKA çmojmë punën dhe angazhimin e secilit mësimdhënës dhe punëtor të sistemit tonë arsimor, qofshin me kontratë të përhershme, qofshin me kontratë të përkohshme dhe i inkurajojmë ata që kanë kualifikimet përkatëse të aplikojnë në konkurset që shpall DKA.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për ndëprerje të qarkullimit rrugor në rrugën “Ilaz Kodra”

Me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e urës së re mbi Lumin “Klina” …