Parlamenti Studentor i Universitetit Haxhi Zeka ka bërë thirrje për organizimin e një proteste paqësore më 10 prill, në orën 12:00, në sheshin kryesor të Pejë. Kjo protestë vjen si reagim ndaj, siç thuhet në njoftim, rasteve të fundit të gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve të drejtuara ndaj ish-komandantit të UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj. Në thirrjen publike, organizatorët shprehen të shqetësuar për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe, sipas tyre, përpjekjet për deformimin e historisë së Kosovës, duke theksuar se këto veprime cenojnë kujtesën kolektive dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti. “Ne nuk mund të heshtim. Ne nuk mund të lejojmë që urrejtja të zërë vend në shoqërinë tonë dhe as që historia e Kosovës të shtrembërohet”, thuhet në reagim. Parlamenti Studentor u ka bërë thirrje qytetarëve, studentëve, profesorëve dhe aktivistëve që t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar për mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe kujtesës historike. Protesta është paralajmëruar të mbahet në mënyrë paqësore, me theks në reagimin qytetar dhe solidaritetin shoqëror ndaj zhvillimeve të fundit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
