Platforma “Liria ka Emër” ka marrë mbështetje edhe nga Komuna e Suharekës për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë. Përfaqësuesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u pritën nga kryetari i komunës, Bali Muharremaj, me të cilin diskutuan për organizimin dhe mobilizimin qytetar për këtë aktivitet. Gjatë takimit, përfaqësuesit e platformës prezantuan aktivitetet e deritanishme dhe falënderuan komunën për përkrahjen, duke theksuar se nisma synon të mbrojë drejtësinë e paanshme dhe vlerat e luftës çlirimtare. “Mbështetja që po marrim nga komunat dhe nga kryetarët e tyre është dëshmi se kjo kauzë është mbi politikën ditore”, deklaroi Eliza Hoxha. Ismail Tasholli e cilësoi marshin si një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika. Nga ana e tij, kryetari Bali Muharremaj u zotua për angazhim maksimal në mobilizimin e qytetarëve për pjesëmarrje në marshin e 17 shkurtit, duke e quajtur atë një aktivitet me rëndësi të veçantë qytetare. Platforma “Liria ka Emër” ka paralajmëruar se do të vazhdojë takimet nëpër komunat e Kosovës për të zgjeruar përkrahjen dhe pjesëmarrjen në marshin që do të zhvillohet nën moton “Drejtësi, jo politikë”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
