Afati për presidentin po afrohet, institucionet ende pezull

Kosova po hyn në një fazë të ndjeshme institucionale, ndërsa 4 marsi afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri  po afrohet, por rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit ende nuk janë certifikuar përfundimisht. Kjo zvarritje procedurale, e kombinuar me mungesën e qartësisë politike për kandidaturën presidenciale, po rrit rrezikun për një bllokadë të re shtetërore. Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka siguruar 57 ulëse në Kuvendin e ri  rritje e ndjeshme krahasuar me përbërjen e kaluar dhe praktikisht e ka të garantuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë. Por kjo shumicë e thjeshtë nuk mjafton për postin e presidentit, ku kërkohen 80 vota dhe marrëveshje e gjerë politike. Ndërkohë, prioriteti për krijimin e shpejtë të qeverisë lidhet me nevojën urgjente për miratimin e buxhetit 2026 dhe garantimin e pagesave në sektorin publik. Situata bëhet më problematike për shkak të mungesës së sinjaleve politike nga Vetëvendosje lidhur me emrin e kandidatit për president. Deri më tani nuk ka qëndrim të qartë as për një mandat të ri të Vjosa Osmanit dhe as për ndonjë alternativë tjetër, çka e shton pasigurinë dhe e zhvendos vendimmarrjen në momentet e fundit. Edhe pse partitë opozitare janë deklaruar të hapura për diskutime, mungesa e negociatave konkrete dhe polarizimi politik rrezikojnë ta kthejnë procesin në pazare të ngutshme, me pasoja për stabilitetin institucional.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …