Sulejman Krasniqi mbetet frymëzim për brezat

Fjala e kryetarit të Rahovecit Smajl Latifi në përurimin e librit kushtuar shkrimtarit dhe atdhetarit të shquar, Sulejman Krasniqi

Të nderuar drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe të shtëpisë botuese Nacional, fillimisht dëshiroj t’ju falënderoj dhe përgëzoj për punën që po bëni në rikthimin e Sulejman Krasniqit te lexuesi shqiptar. Them rikthimin për faktin se ndryshimet shoqërore e politike në trojet shqiptare sikur e zhvendosën vëmendjen e opinionit nga kultura e letërsia, duke krijuar kështu një boshllëk të madh në shpirtin e shumë shqiptarëve.

Të respektuar familjarë të bacës Sulë, ju sjell përshëndetjet më të përzemërta nga vendlindja e njeriut tuaj të dashur, kolosit të letrave shqipe, siç thoshte poeti ynë kombëtar Dritëro Agolli për Sulejman Krasniqin, ,,Balzaku i letrave shqipe”.

Fakti që ky burrë e shkrimtar i madh lindi e u rrit në një rajon të begatë, ku nderi e burrëria ishin ndër vlerat më të shquara njerëzore, na bën të ndjehemi mirë që jemi bashkëvendas të tij.

Organizimi i këtij aktiviteti kulturor kushtuar Sulejman Krasniqit këtu në Tiranë, është një dëshmi se ai nuk i përket vetëm një krahine të Shqipërisë, por është i shtrirë në tërë gjeografinë kombëtare dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë.

Kjo pasuri e madhe letrare – artistike që e krijoi me mund e përkushtim të jashtëzakonshëm Sulejmani ynë i madh, i përket çdo shqiptari. Romani i tij historik, ishte është dhe mbetet përherë si thesar i pasur i historisë shqiptare. Dihet se ne nuk mund ta përcaktojmë hierarkinë e vlerave në historinë e letërsisë shqiptare, mirëpo ne vetëm mund të përqendrohemi në emra të përveçëm të letërsisë shqipe dhe në shëmbëlltyrën e tyre atdhetare. Vlerësimi i këtyre figurave dhe i veprave të tyre letrare është një sistem i hapur që nuk mund të përkufizohet as në kohë dhe as në hapësirë. Veprat e Sulejman Krasniqit u kanë rezistuar epokave, prandaj themi se këtu qëndron madhështia e tij si shkrimtar i romanit historik dhe e veprimtarisë së tij atdhetare e letrare.

Në Rahovec ne i kemi marrë disa vendime të rëndësishme për t’ia dhënë vendin e merituar Sulejman Krasniqit; ndër to vlen të përmendet emërtimi i bibliotekës komunale me emrin e tij, themelimi i çmimit letrar “Sulejman Krasniqi”, organizimi i tryezave dhe takimeve vjetore në ditëlindjen e tij më 7 dhjetor. Synimi ynë ka qenë dhe mbetet; – bartja te brezat e rinj të asaj fryme që dikur na mobilizonte për të qëndruar karshi dhunës e respresionit sllav, frymë që baca Sulë e mbolli me romanet e tij historike. Ndonëse ai ishte shpallur armik i Jugosllavisë, librat e Sulejman Krasniqit depërtonin gjtihandej në trojet shqiptare të pushtuara dhe lexoheshin me një frymë e pastaj barteshin tinës nga dora në dorë.

Duke folur e shkruar për Sulejman Krasniqin, ne nuk po synojmë ta rishkruajmë historinë, por po mësojmë nga historia. Puna e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Botimet Nacional, por edhe e institucioneve të tjera kulturore, po i bëjnë shërbim të madh historisë, kulturës dhe trashëgimisë tonë kombëtare. Duke e risjellë te lexuesit romanin historik të Sulejman Krasniqit, dëshmojmë nderim e respekt për pararendësit tanë, për ata e ato që ju qëndruan furtunave të kohës dhe e mbrojtën Shqipërinë e shqiptarët me mund, me djersë e me gjak. Kështu u përcjellim brezave rrugëtimin e kombit shqiptar, rreziqet dhe flijimet e të parëve tanë, duke iu përkujtuar se e kanë detyrim ta ruajnë këtë trashëgimi dhe të punojnë pa u lodhur për çlirimin e bashkimin e trojeve shqiptare.

Po ashtu, duhet t’ju tregojmë se, Sulejman Krasniqi e bëri luftën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, duke gdhendur në vepra arti figurat tona kombëtare siç janë: Rrustë Kabashi, Oso Kuka, Mic Sokoli, Bajram Curri e shumë heronjë të tjerë kombëtar.

Sulejman Krasniqi ishte i bindur se, identiteti ynë kombëtar është sintezë e të gjitha ngjarjeve, proceseve historike, luftërave e përpjekjeve për mbijetesë, është sintezë e zhvillimit tonë mendor, kulturor e shoqëror. Prandaj, punon shumë për të treguar se, ky identitet nuk është formuar brenda një epoke të caktuar historike, mirëpo shqiptarëve u janë dashur shekuj për ta ruajtur e zhvilluar qenien e vetë kombëtare. Ai tregon se roli i individit është i pamohueshëm në tërë këto zhvillime të vetëdijes historike, prandaj punon pa u lodhur e dekurajuar që ta nxjerrë në dritë historinë e lavdishme me përplot vuajtje, humbje e fitore.

Pavarësisht kufijve administrativ, kombi shqiptar është grup kompakt etnik, me kulturë, histori, me mendësi unike, me veçanti dalluese dhe me të përbashkëtat e civilizimit botëror. Sulejman Krasniqi e njihte historinë, prandaj u bë një mësues i mirë dhe frymëzues për brezat jashtë kufijve administrativ të Atdheut, duke e konsideruar këtë si mision të jetës së tij. Këtë mision ai e përmbushi me sukses, prandaj ne i jemi borxhli kësaj figure të madhe kombëtare. Duke qëndruar mbi këtë bazament të fortë që Sulejman Krasniqi, pararendësit dhe bashkëkohanikët e tij e ndërtuan për ne, them se kemi edhe shumë për të bërë, me qëllim që këto vepra arti, kulture e historie të qarkullojnë në çdo cep të trojeve shqiptare. Mbledhja, sistemimi, botimi e ribotimi i veprave të këtij kolosi të letrave shqipe, janë ndër detyrat tona që presin të përmbushen.

Të vetëdijshëm për këtë rol që kemi, i kemi besuar shkencës dhe shkencëtarëve, duke i mbështetur në punën e tyre hulumtuese e krijuese. Financimi nga ana e Komunës së Rahovecit i projekteve, siç është përmbledhja me dokumente, vështrime kritike, recensione e kujtime “Për Sulejman Krasniqin”, nënkupton përpjekjet tona për përmbushjen e obligimeve që kemi ndaj historisë dhe figurave tona historike. Jemi të vetëdijshëm se kemi edhe shumë për të bërë, por besojmë se në të ardhmen lexuesit tanë do të kenë në duar edhe materiale të tjera, vepra të botuara e të pabotuara të Sulejman Krasniqit.

Përgëzoj Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës për këtë botim, që po prezantohet sot në Tiranë, para një publiku të kualifikuar, pikërisht në hapësirën gjeografike e kulturore ku ka krijuar shkrimtari ynë i madh Sulejman Krasniqi. Botimet e kësaj natyre na ndihmojnë që të kemi qasje më përmbajtjesore rreth jetës dhe veprimtarisë së Sulejman Krasniqit, i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes sonë kombëtare. Ai na mbledhi sot këtu dhe do të vazhdojë të na mbledhë edhe në të ardhmen, sepse Sulejman Krasniqi ishte për bashkimin gjeografik e shpirtëror të shqiptarëve.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!

Tiranë, 22 shkurt 2025

Kontrolloni gjithashtu

Në Llukë të Epërme u mbajt manifestimi përkujtimor kushtuar 35-vjetorit të Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve

Sot në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit u mbajt manifestimi përkujtimor kushtuar 35-vjetorit të …